Marrëveshja e detit, PDIU: Shqipëria dhe Greqia konflikt të heshtur me zonat detare të kërkimit të naftës në Jon

Mar 24, 2015 | 17:20
SHPËRNDAJE

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, i kërkon qeverisë shqiptare zgjidhjen e marrëveshjes së kufijve detar me Greqinë, ndërsa deklaron se midis dy vendeve është duke u zhvilluar një konflikt i heshtur lidhur me zonat detare të kërkimit të naftës në detin Jon.

“Ditët e fundit jemi njohur me një diskutim të zhvilluar në Komisionin e jashtëm të Parlamentit grek në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare. Prej atij diskutimi që përfshinte ministrin e ri të jashtëm dhe përfaqësues të disa partive ekstremiste dhe fashiste greke, PDIU beson se ka ardhur momenti të vendosen pikat mbi “i” për disa çështje”,-thuhet në deklaratën e PDIU-së.

PDIU kërkon miratimin e ligjit për kufijtë detarë, një projekt që sipas saj është i sugjeruar nga ekspertët e fushës si një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë dhe që e vendos vendin në një pozitë më të barabartë me Greqinë në lidhje me këtë çështje të mbetur pezull. 

“Nga diskutimi në Komisionin e jashtëm të parlamentit grek mësohet se qeveria greke në përpjekje për të kompaktësuar pozicionin e vet përkundrejt palës shqiptare, bën diskutime parlamentare për marrëveshjen e detit apo të delimitimit të hapësirave detare. Kjo është diçka që dhe qeveria shqiptare duhet ta bëjë. Kështu pozicioni i shtetit tonë përkundrejt Greqisë në negociatat e ardhshme do të jetë më solid, pse do të jetë shprehje e qëndrimeve të të gjitha krahëve të politikës shqiptare”,-deklaron PDIU. Ndërsa shton se çështja e naftës nuk është çështje dypalëshe, por ndërkombëtare dhe interes jetik për kombin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura