Marrëveshja CEFTA, hiqen barriera të tjera për biznesin

Jul 18, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

DORINA AZO

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha dje se për dy sektorët me impakt të lartë në ekonomi, atë të bujqësisë dhe të industrisë, do të lehtësohen barrierat për eksport. Heqja e barrierave do t’i ofrojë lehtësi biznesit shqiptar në shkëmbimet tregtare me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s. Ministri Ahmetaj, dje në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë, ftoi biznesin të identifikojnë barrierat që hasin për shkëmbimet tregtare.

ahmetaj

“Qeveria shqiptare është në dialog me komunitetin e donatorëve në Shqipëri për të realizuar një analizë të thelluar të çështjeve të identifikuara si barriera të aksesit në treg, madje, shumë shpejt, do të kemi dhe një projekt të dedikuar për lehtësimin e tregtisë dhe krijimin e zonës së integruar ekonomike të 6 vendeve të rajonit, me Bankën Botërore. Ndërkohë, në identifikim të barrierave që vazhdojnë akoma të pengojnë aksesin në treg, në konsultim me përfaqësuesit e sektorit privat, po thellohemi për dy sektorë që kanë impaktin më të madh në ekonomi, atë të perimeve dhe metaleve (hekur dhe çelik), në Shqipëri.

Kjo analizë është bërë edhe në vendet e tjera të CEFTA-s, për t’i mbështetur këto vende për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Protokolli Shtesë 5 i Marrëveshjes së CEFTA-s. Kërkohet bashkërendim dhe efektivitet institucional edhe me sektorin privat nëpërmjet Forumit rajonal të Dhomave të Tregtisë së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, si përparësi të MAP REA, të cilat pritet të intensifikojnë shkëmbimet tregtare, hapjen ekonomike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të rajonit, duke kapërcyer edhe dobësitë strukturore që paraqet struktura ekonomike në rajon”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se politikat tregtare bazuar në Marrëveshjen e CEFTA-s dhe marrëveshjet dypalëshe të Tregtisë së Lirë me partnerë të tjerë tregtarë, zgjeruan kanalet për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis vendeve të rajonit. “Gjatë 10 viteve të fundit, shkëmbimet tregtare janë rritur me rreth 5 herë; rritjen më të madhe e kanë shënuar shkëmbimet tregtare me Serbinë me 8,73 herë, me Kosovën me 6,2 herë dhe me Malin e Zi me 5,6 herë.

Gjatë vitit 2017, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me 5,7 për qind, Turqia me 11,2 për qind dhe Greqia me 9,2 për qind. Eksportet e mallrave arritën vlerën 273 miliardë lekë, duke u rritur me 12,1 për qind, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 626 miliardë lekë, duke u rritur me 8,1 për qind. Ndërkohë, po t’u referohemi eksporteve të gjashtëmujorit të 2018-s, rritja është 18.3 për qind krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit 2017”, tha ministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura