Marrëveshja Athinë-Shkup nënshkruhet në fundjavë, çfarë pritet në Prespë

Jun 15, 2018 | 8:45
SHPËRNDAJE

Marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë pritet të nënshkruhet të shtunën ose të dielën në Prespë. Në këtë ngjarje të quajtur historike, do të jenë të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ndërmjetësi në bisedimet për çështjen e emrit Matthew Nimetz, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe komisioneri për zgjerim i BEsë, Johannes Hahn.

zaev cipras

 

Kjo, për t’i dhënë rëndësinë e duhur zgjidhjes së konfliktit shumëvjeçar mes fqinjëve. Prania e këtyre figurave të rëndësishme ndërkombëtare mund të krijojë edhe një lloj “zbutjeje” të qëndrimit kundër marrëveshjes nga opozitat e të dy vendeve. Marrëveshja pritet të nënshkruhet nga ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

Të pranishëm në Prespë do të jenë edhe Kryeministrat Zoran Zaev dhe Alxsis Tsipras. Marrëveshja mund të nënshkruhet të shtunën ose dielën, kjo në varësi të votëbesimit të Kryeministrit Tsipras në Kuvendin grek. Marrëveshja për emrin përmban renditjen e obligimeve që kanë marrë palët. Detyra e parë pas nënshkrimit zyrtar do të jetë ratifikimi në Parlamentin e Maqedonisë, informimi i Athinës zyrtare për ratifikimin dhe organizimi i Referendumit në Maqedoni.

Pas tij pritet të fillojë procedura për ndryshime kushtetuese, të cilat duhet të përfundojnë brenda vitit 2018. Hapi tjetër, pasi Shkupi zyrtar të njoftojë Athinën edhe për ndryshimet në pjesën ligjore, është propozimi i ratifikimit të marrëveshjes në Parlamentin grek. Pas gjithë këtyre hapave, emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut do të përdoret edhe zyrtarisht.

Emri do të përdoret në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, institucione dhe forume, duke përfshirë të gjitha takimet dhe korrespodencat, në të gjitha marrëdhëniet e tyre bilaterale, me vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura