Marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët perëndimorë, partitë opozitare shprehin shqetësim

Jun 6, 2023 | 20:09
SHPËRNDAJE

Partitë opozitare në Kosovë u shprehën të shqetësuara me marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatë perëndimorë, ndërsa e bënë përgjegjëse qeverinë për moszgjidhjen e situatës në veri të vendit.

kuvendikosove

Ata i bënë këto komente pas takimit me të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, të cilët që nga mbrëmë po qëndrojnë në Kosovë në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga situata në veri ku po vazhdojnë protestat e grupeve të qytetarëve serbë.

“I pari shtensionimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhjet e reja sa më parë në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, tha i dërguari evropian Miroslav Lajçak të hënën në mbrëmje pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri Kurti nuk foli për takimet por sipas një komunikate të zyrës së tij, ai citohet të ketë thënë se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”. Sipas tij “vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore”.

Komunikata citoi kryeministrin Kurti të ketë thënë po ashtu se “rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani po ashtu përmes një komunikate tha se “zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kuadrin aktual kushtetuese e ligjor dhe të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në ato komuna”.

Tensionet në veri pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nën përcjelljen e njësive të posaçme të policisë. Kjo nxiti reagimin edhe të aletatëve të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi e ciësoi të vëshirë situatën në veri dhe të papranueshme atë me aleatët.

“Asnjëherë më shumë nuk kam parë ndonjë shqetësim të këtij niveli, të kësaj natyre nga ana e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës. Është ndjenje aspak e mirë, aspak e lehtë që të dëgjosh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian duke shprehur këtë zhgënjim kaq të thellë me qeverinë e Kosovës, e cila e ka obligim që të forcoj raportet tona dhe jo t’i dëmtojë ato”, tha zoti Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e cilësoi të pashembullta marrëdhëniet aktuale të Kosova me aleatët.

“Po futemi në një situate bukur shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë të kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë. Në këtë fazë Kosovës, Republikës, qytetarëve tanë i mbetët të sheh dhe pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë në radhë të parë nga SHBA-të, BE dhe NATO”, tha zoti Abdixhiku.

Ndërsa, Milica Andriç Rakiç nga organizata joqeveritare “Nisma e re sociale” në veri të Kosovës tha se në diskutime me të dërguarin amerikan dhe evropian është diskutuar për mënyrën e daljes nga kriza.

“Organizimi i zgjedhjeve të reja është një hap drejt daljes nga problemi, por duhet të përfshijë negociata serioze me të gjithë ata që duhet të marrin pjesë në ato zgjedhje”, tha zonja Andriç Rakiç.

Bashkimi Evropian të shtunën paralajmëroi se dështimi për të bërë hapa në shtensionim të situatës do të ketë pasoja negative për të dyja palët dhe aps raportimit të zotit Lajçak dhe shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, blloku do të vendos për hapat e radhës./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura