Marksistët i frikëson fuqia e planit të Bashës për taksë të sheshtë 9%

Sep 23, 2020 | 12:11
SHPËRNDAJE

VEHAP KOLA

Vehap Kola

Plani i Bashës për taksën e sheshtë 9% ka shqetësuar veçanërisht marksistët e rinj. Jo se kjo është hera e parë që Basha angazhohet për taksën e sheshtë 9%, pasi ky ishte propozimi i PD-së edhe në 2017, por sepse kësaj here ata janë të bindur se kjo do të bëhet realitet. Zgjedhjet e 25 prillit 2021 duken gjithnjë e më të vështira për t’u manipuluar dhe rezultati i tyre gjithnjë e më i thellë për t’u përmbysur me blerje votash, terror mafioz mbi votuesit dhe rishpërndarje të numrit të deputetëve sipas orekseve të Ramës.

Vetë kryeministri në ikje e provon në mënyrën më autentike këtë siguri fatkeqe për të kur luan kartën e fundit që i ka mbetur në dorë përpara programit të Bashës: të zbatojë programin ekonomik të PD-së 4 muaj para zgjedhjeve që të zbusë sa më shumë efektin e këtij programi mbi votuesit. Pasi ka përvetësuar dhe po bëhet gati të zbatojë premtimin e PD-së për të zeruar taksat mbi biznesin e vogël deri në 14 milion lek xhiro, Ramës i mbetet që në janar 2021 të nisë edhe aplikimin e taksës së sheshtë 9%. Natyrisht, kjo nuk tregon se Rama beson në virtytin e taksave të ulëta. Përkundrazi, ai sheh se oferta e taksave të ulëta sjell vota në këtë situatë kolapsi ekonomik të vendit.

Por le ta lëmë Ramën të shijojë reumatizmën moshës së thyer të pushtetit të tij dhe të kthehemi tek sfida teorike që po përpiqen t’i ngrenë marksistët e rinj taksës së sheshtë 9% nga plani i Lulzim Bashës. Shqetësimi i tyre i parë është që taksa e sheshtë 9% do të sjellë përfitime më të mëdha për të pasurit dhe oligarkët dhe të varfrit nuk do të fitojnë gjë prej saj. Kështu taksa e sheshtë do të rrisë pabarazinë ekonomikë në shoqëri, thonë ata.

Çuditërisht, këta aktivistë të majtë nuk kanë shprehur asnjë keqardhje apo habi se përse pabarazia gjatë viteve kur në Shqipëri është aplikuar taksa e sheshtë ulej, ndërsa periudhat me taksë progresive i thellojnë pabarazitë.  Si përpara 2007, kur nisi zbatimi i taksës së sheshtë 10%, ashtu edhe pas 2013 kur u rikthye takimi progresiv, Indeksi GINI tregon se pabarazia ishte më e thellë. Përkundrazi, gjatë viteve të aplikimit të taksës së sheshtë, pabarazia ekonomike u reduktua.

Siç mund të shihet në grafikun e mësipërm, pabarazia ekonomike në Shqipëri nis të reduktohet pas aplikimit të taksës së sheshtë 10% në vitin 2007. Ndërsa zbatimi i tatimit progresiv gjatë viteve 2014 – 2018 (të dhënat për vitet 2019, 2020 nuk janë publikuar ende) shkakton një rritje të madhe të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve me të ardhura të larta dhe atyre me të ardhura të ulëta.

Konkretisht, pjesa e të ardhurave e përfituar nga 10%-ëshi më i varfër i popullsisë ra nga 3.7% në vitin 2012, në 2.9% në vitin 2014, në 3% gjatë viteve 2015- 2017. I njëjti tregues provon se 10%-ëshi më i pasur i popullsisë e rriti kontrollin e tij mbi të ardhurat që prodhon ekonomia nga 22.9% në vitin 2012 (niveli më i ulët që nga 1996) në 25.5% në vitin 2014, dhe 25% për vitet 2015-2017.

Pyetja nuk është se përse taksa e sheshtë i zbut pabarazitë në shpërndarjen e të ardhurave, sepse ky është fakt empirik, por përse marksistët e rinj, që protestojnë për më shumë barazi, preferojnë një formë taksimi që shkakton më shumë pabarazi?

Frika e tyre e vërtetë nuk është pabarazia, pasi kjo hidhet poshtë nga shifrat, por forcimi i biznesit, sipërmarrjes dhe sektorit privat në tërësi. Siç e shprehin në mënyrë të tërthortë, ata duan një ekonomi shtetërore të fortë, dominuese mbi iniciativën private. Një ekonomi e tillë, në fakt, ushqen korrupsionin dhe shtrembërimin e tregut përmes favoritizmit ndaj një liste të ngushtë miqsh të qeverisë. Nuk ka gjë më të qartë se kjo në dy mandatet e qeverisë Rama, që taksat e larta i mbledh me kërbaç dhe fondet e mbledhura i dan me vetëm një grusht miqsh me skema korruptive PPP.

Shqetësimi i dytë që shprehin këta është se buxheti i shtetit humbkërka qindra miliona dollarë të ardhura nga taksat nga ulja e normës së tatimit mbi të fitimin dhe të ardhurat e larta nga, përkatësisht, 15% dhe 23% në normën e sheshtë 9%. Kjo rënie në të ardhurat buxhetore rrit defiçitin buxhetor dhe dobëson aftësinë e qeverisë për të ofruar edukim e shëndetësi më të mirë dhe infrastrukturë më moderne.

Edhe në këtë rast marksistët e rinj tregohen të pasinqertë me qytetarët. Buxheti i arsimit në dy vitet e fundit është rrudhur në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit. Në vitin 2018 vetëmn arsimit i janë akorduar fonde sa 2.47% e PBB-së, ndërsa në vitin 2019 ai nuk i kalon nivelet e mbështetjes të ofruara në vitin 2013. Në shëndetësinë e financuar me tatimin progresiv, rritja minimale e financimit ka shkuar për skemat korruptive PPP, që këta marksistë të rinj nuk i kanë kritikuar kur punonin në qeverinë Rama 1.

Për ta, faji i Ramës qëndron tek zbatimi i politikave të djathta, siç i quajnë ata PPP-të, jo tek rritja e taksave dhe taksimi progresiv. Por gënjejnë sepse quajnë konçesione tenderat shumëvjeçarë që Rama u ka akorduar oligarkëve rreth tij. Ato janë thjesht tendera të dhëna në avancë dhe me afat shumëvjeçar, praktikë që bëhet e mundur vetëm nga qeveri të majta, që u marrin paratë sipërmarrësve për të bërë biznes vetë. Ndërkohë, një politikë e djathtë do t’ia linte paratë individëve, familjeve dhe sipërmarrjeve për t’i investuar në projektet e tyre dhe shteti nuk do të administronte pjesën më të madhe të ekonomisë me tendera favoritistë.

Një tjetër gënjeshtër e marksistëve është paralajmërimi se ulja dhe sheshimi i normës së tatimit mbi të gjithë llojet e të ardhurave është rrudhja e të ardhurave buxhetore. Së pari, këta lënë qëllimisht në harresë se nuk ishte rritja e normës së tatimit dhe aplikimi i tatimit progresiv që solli të ardhura në buxhetin e qeverisë së majtë pas 2013, por kërbaçi i përditshëm, terrori mbi tatimpaguesit dhe persekutimi i sipërmarrësve që nuk bindeshin. Pra, një politikë fiskale mesjetare e mbështetur jo mbi kulturën fiskale por mbi një strategji dhune dhe plaçkitjeje.

Së dyti, ata fshehin po prapë qëllimisht rritjen e të hyrave në buxhet me zbatimin e taksës së sheshtë në vitin 2007. Norma e ulët dhe thjeshtësia e deklarimit të detyrimeve tatimore zgjeroi bazën e tatimpaguesve dhe rriti të ardhurat e mbledhura në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Investimet e mëdha në infrastrukturë u mundësuan pikërisht në sajë të kësaj politike fiskale. Investimet e Huaja Direkte kaluan pragun 1 miliard euro po në sajë të taksës së sheshtë.

Sa i përket konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë në rajon, taksa e sheshtë jep një efekt të drejtëpërdrejtë. Së pari, nxit investimet e huaja që kanë rëndësi kritike për të përmirësuar bilancin tonë tregtar. Së dyti, i lejon sipërmarrësit shqiptarë që të investojnë në përmirësim dhe inovacion më shumë fonde nga fitimet vjetore. Veçanërisht në turizëm, që është eksporti ynë më i rëndësishëm, investimet dhe përmirësimet shtojnë numrin e vizitorëve.

Janë të gjitha këto avantazhe të taksës së sheshtë që e kanë bërë edhe vetë FMN-në që t’i kërkojë qeverisë ta rikthejë atë. Por nuk ka mbetur më kohë për këtë qeveri, prandaj taksa e sheshtë e propozuar nga Lulzim Basha do të vihet në jetë pikërisht nga qeveria e këtij të fundit që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme.

indeks

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura