Frroku, në Kuvend: S’kam kryer asnjë krim në jetën time, jam malësor i vërtetë, jo si disa

Apr 2, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Seanca e sotme e rendit të ditës së Kuvendit të Shqipërisë, nisi me fjalën e deputeti kristinademokrat Mark Frroku, i cili ka sqaruar pozicionin e vet ne lidhje me akuzen qe rendon mbi te, pas udher arrestit te Belgjikes, per vrasjen e kryer ne vitin 1999.

Deputeti i PKD, Mark Frroku, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte miratuar me 113 vota pro, 2 kunder dhe 2 abstenime, kerkesa e dyte te Prokurorise se Pergjithshme qe kerkon autorizimin e parlamentit per arrestimin e deputetit Mark Frroku, i akuzuar nga drejtesia belge se eshte i perfshirë ne nje vrasje ne vitin 1999

Frroku ka deklaruar nga foltorja se nuk ka kryer asnje krim, duke thene se eshte malsor i vertete e jo si disa te tjere. 

Fjala e plote e Frrokut sot ne Kuvend  

I nderuar z. Kryetar!
Të nderuar deputetë!
Pas një jave ndodhem sërish në të njëjtin vend dhe i vënë sërish nën akuzë nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Nëse në rastin e parë, e pashë të arsyeshme që të flas nga karrigia e deputetit për shkak të farsës dhe akuzave bajate që ishin ngritur ndaj meje, tani kam dalë këtu, në këtë foltore të shenjtë, dhe jam para jush, për t’iu bërë të ditur ju dhe gjithë shqiptarëve se nuk kam shkelur për asnjë moment betimin e deputetit që kur kam hyrë në këtë sallë. 
Jam betuar jo vetëm si deputet, por edhe si malësor, me rregullat e traditës. Jo si ndonjë nga këto malësorët e ditëve tona!
Pra, unë nuk kam kryer asnjë krim në jetën time. Unë nuk kam vrarë apo shtyrë në vrasje askënd.
Po ashtu, dua t’iu them ju të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe të gjithë zgjedhësve të mi në Qarkun e Shkodrës se nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga drejtësia shqiptare, belge apo e ndonjë shteti tjetër të botës që më fajëson për ndonjë krim.
Unë kam respektuar Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Shqipërisë, si qytetar, si sipërmarrës, si politikan, por edhe si deputet në këto 18 muaj.
Sot jam gati që të shpjegohem para zgjedhësve të mijë dhe para shqiptarëve për çdo akuzë që rëndon ndaj meje.
Dikujt mbase nuk i pëlqen prania ime këtu, por ky është rasti më i mirë për t’iu dhënë përgjigje atyre; për tu sqaruar njëherë e mirë përmes kësaj foltoreje.

 

Deputeti i PKD, Mark frroku dhe Kryeministri Edi Rama, gjate seances se sotme parlamentare
Do të zgjatem paksa në kohë, por besoj se secili prej jush do të më mirëkuptojë dhe do të tregojë pak durim.
Në vitin 1998 kam lënë vendlindjen time, në Pukë, për shkak të problemeve ekonomike dhe si shumica e shqiptarëve kam emigruar në Belgjikë. Në atë periudhë, ndër të vetmet mënyra për të marrë dokumentet e leje-qëndrimit, ishte kërkesa për azil politik. Rruga më e lehtë për ne shqiptarët e nëpërkëmbur të Shqipërisë, që emigruam ishte që të paraqiteshim para autoriteteve europiane si shtetas nga Kosova, e cila asokohe vuante gjenocidin e Millosheviçit.
Unë nuk kam qëndruar në Belgjikë rreth 4-5 muaj.
Familja ime në Shqipëri kishte probleme ekonomike dhe në atë kohë mbaj mend se iu kam dërguar 4 mijë eurot që kisha mbledhur dhe më pas kam udhëtuar drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty kam punuar. Aty kam krijuar familjen. Me përkushtim dhe në respekt të ligjit, unë kam marrë shtetësinë amerikane, të cilën e mbaj edhe sot e kësaj dite.
Emrin e Aleksandër Kurtit e kam dëgjuar për herë të parë pak kohë pas ngjarjes. Dua që, edhe nga kjo sallë, ti përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjes Kurti në Malësinë e Madhe dhe disa prej anëtarëve të saj në SHBA, dhe të ndaj dhimbjen bashkë me ta. Aleksandri u kujtoftë gjithmonë, edhe në këtë dhe atë botë.   
Trupi i pajetë i Aleksandër Kurtit është gjetur nga policia belge më 5 mars 1999. Unë kam deklaruar se nuk kam qenë në Belgjikë në atë periudhë. Që nga nëntori i vitit 1998 deri në vitin 2004 nuk e kam shkelur tokën belge. Këtë gjë unë dhe avokatja ime ua kemi provuar autoriteteve belge me fakte.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në marsin e vitit 2013, familja ime, në praninë e 24 burrave, dhe 2 priftërinjve katolik, i ka bërë benë familjes Kurti në zonën e Malësisë së Madhe.
Shumëkush në këtë sallë e kupton mirë se çfarë do të thotë ti bësh benë tjetrit në praninë e 24 burrave dhe dy priftërinjve:
Ju e dini se çfarë të thotë ti betohesh në Zot, dhe në Kanun dikujt për një gjë që nuk ia ke bërë:
Në këtë botë ka shumë njerëz be-rrejshëm, por Familja Frroku i ka dalë borxhit me moral dhe kanun familjes së të ndjerit Kurti.
Do t’iu lutesha të gjitha mediave që ta lexojnë qartë këtë informacion që ka sjellë Belgjika dhe që është futur në relacionin e prokurorisë. Në media shqiptare i është shitur opinionit sikur ka qenë një ceremoni pajtimi gjaqesh, dhe këtu ka një keqkuptim dramatik. Kjo ka qenë vrasja më e madhe që i është bërë prindërve të mi.
Nëse doni që ta provoni se nuk ka qenë një ceremoni falje gjaqesh, por një ritual beje, ju mund të merrni dëshminë e 24 burrave dhe 2 priftërinjve që kanë qenë të pranishëm.
Madje, kjo ceremoni është e regjistruar me kamera dhe unë kam një kopje, të cilën jam gati t’iua vë në dispozicion çdo mediaje që është e gatshme ta transmetojë të plotë?!!
Edhe atëherë, edhe sot unë nuk i jam shmangur për asnjë moment as përgjegjësisë ligjore për akuzat që më janë ngritur apo dyshimet që ka pasur familja Kurti. Belgjika është një ndër vendet më të zhvilluara të Europës dhe për 16 vjet me radhë nuk ka arritur të më provojë fajësinë time për këtë krim. Avokatja ime, Carine Couqlet ia ka provuar drejtësisë belge se nuk ndodhesh në territorin e Belgjikës në kohën kur ndodhi vrasja. Ndaj meje ka pasur vetëm një dëshmitar anonim.
Vetëm në Shqipëri, pa bërë asgjë, prokuroria dhe politika të bëjnë kriminel, trafikant dhe tutor.
Falë zotit, Kushtetutën e kemi me standarde europiane dhe unë do ta mbroj veten deri në pikën e fundit të frymës.
Zotërinj deputetë!
Më lejoni të ndalohem në disa momente: Në vitin 2004 autoritetet belge më kanë thirrur si i dyshuar për këtë ngjarje, dhe unë iu jam vënë në dispozicion menjëherë. Pas dy muaj më kanë lënë të lirë pasi nuk kishin prova.
Në vitin 2010 gjykata belge më ka dënuar me 10 vjet në mungesë dhe, po në atë  vit, Gjykata e Lartë shpalli pavlefshmërinë e provave, duke më shpallur edhe mua të pafajshëm.
Sot, pas 16 vjetësh, Prokuroria e Përgjithshme i ka zbrazur të gjitha armatimet ndaj meje për këtë ngjarje, ndonëse për të janë vënë në akuzë edhe 4 veta të tjerë. Po pse nuk hetohen personat e tjerë zoti Kryeprokuror?!
Të nderuar deputetë!
Dua t’iu bëj të ditur se unë jam kryetari legjitim i Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë. Unë jam i ri në krye të kësaj partie dhe në politikën shqiptare.
Kristian-demokratët për herë të parë arritën që të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, duke shënuar një sukses të befasishëm.
Deputeti i PKD, Mark Frroku, duke folur per gazetaret pasi ka dale nga nje seance parlamentare, ku eshte miratuar me 113 vota pro, 2 kunder dhe 2 abstenime, kerkesa e dyte te Prokurorise se Pergjithshme qe kerkon autorizimin e parlamentit per arrestimin e deputetit Mark Frroku, i akuzuar nga drejtesia belge se eshte i perfshirë ne nje vrasje ne vitin 1999.
Shumëkush ia dedikon suksesin e kësaj partie Mark Frrokut dhe pasurisë që ka mbledhur me sakrifica të mëdha familja ime në këto 23 vite emigracioni dhe biznesi.
Unë i kam neveritur këto zëra dhe iu kam dhënë përgjigje thashethemeve të tyre.
Shkodranët dhe pukjanët e votuan PKD-në dhe Mark Frrokun se të zgjedhurit e tyre ishin arratisur prej vendit ku buronte legjitimiteti i tyre.
Deputetët e tyre nuk shkonin as për turizëm në Malësi të Madhe, apo në Pukë. Ata ishin ngjitur me tutkall në kolltukun e pushtetit dhe natën flinin të qetë në shtratin me pupla, pa e vrarë mendjen se mijëra pukjanë kthehen në shtëpi pa asnjë lek në xhep dhe e bënin gjumin me barkun bosh.
Sado para të kem pasur unë, këtë mandat nuk mund ta fitoja mbi mjerimin e tyre, sepse ata që e kanë shkaktuar këtë gjendje, iu siguroj se, kanë më shumë lekë se sa unë.
Dhe pikërisht sot ata janë më të zellshëm të bëjnë politikë duke shpifur dhe akuzuar në çdo moment.
Unë i jam nënshtruar të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar dhe kam hyrë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, si një shtetas që i plotëson të gjitha kushtet për të zgjedhur dhe për tu zgjidhur.
Mandatin tim ma kanë dhënë pukjanët dhe ma ka certifikuar KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Vlefshmëria e mandatit është provuar edhe në këtë Kuvend, nga Komisioni i Përkohshëm i Vlefshmërisë së Mandateve.
Unë nuk jam futur nga dritarja e kësaj ndërtese, por nga dera.  Partia Kristian Demokrate ka kërkuar ndryshimin e madh në vitin 2013. 1 milionë vota ishin përgjigja më e mirë për Sali Berishën dhe qeverisjen e tij.
Po e them nga kjo sallë e Kuvendit se kush kërkon ti kriminalizojë këto vota e ka gabim. Nuk ka bankë dhe as bandë në botë që ta blejë vullnetin e popullit për ndryshim. Këtë harrojeni!
Kjo mazhorancë ka për detyrë të mbrojë votën që ua kanë dhënë të bardhë shqiptarët me 23 qershor. Humbësit duan ta bëjnë pis. Ata duan ta helmojnë edhe politikën, duke kërkuar banditë në Parlamentin shqiptar.
Unë nuk lejoj askënd që t’ia shesë shqiptarëve dekriminalizimin, si sapuni për djathë, duke përdorur “kufomën time politike”. Unë nuk kam vdekur. Ky parlament ka qenë dëshmitar i shumë krimeve. Në këtë parlament kanë ndodhur edhe atentate. Nga kjo sallë padrejtësia ka marrë fuqinë dhe e drejta ka marrë arratinë. Në këtë sallë janë bërë shumë amnisti dhe pazare të pista. Por, unë sot nuk kam ardhur të bëj gjyqtarin e askujt. Jam këtu për të mbrojtur veten time.  
Unë kam reaguar kur u publikua lajmi për këtë çështje në mediat belge në tetorin e vitit 2014. Fillimisht kanë qenë tre artikuj, thuajse me të njëjtin tekst, me standarde skandaloze në raportim gazetaresk, të botuara në portalet e një grup mediatik në Belgjikë. Asnjë gazetar belg nuk më mori në telefon për të konfirmuar akuzat apo marrë versionin tim sepse dukej ashiqare se ishte trafik i pastër mediatik. Atëherë unë e kam konsideruar një shantazh të fëlliqur dhe e kam identifikuar autorin e këtij sulmi të paskrupullt. Gjithsesi, unë e kam sqaruar edhe publikisht këtë histori. Kush ka pasur veshë e ka kuptuar.
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit!
Nuk iu kam kërkuar kurrë që të deklaroheni publikisht dhe as mediatikisht se ju jeni miqtë e mi. Mund t’ia dëshmoni edhe këtij Parlamenti dhe t’jua thoni gjithë shqiptarëve nëse unë iu kam kërkuar qoftë edhe një favor në këto 18 muaj të përfshirjes time në politikë.
Zoti Ministër i Brendshëm! Ju duhet të sqaroni deputetët e opozitës nëse unë iu kam bërë ndonjë telefonatë apo iu kam kërkuar ndonjë nder.
Unë kam qenë dhe jam deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe para ligjit jam sjellë si qytetar. Kjo prokurori prangos deputetë ndërsa lë jashtë burgut kriminelë. Nga kjo sallë i bëhet presion drejtësisë që të mos-ekstradojë trafikantë drejt vendeve të BE-së dhe tashmë ka nisur lojën e keqe për shkatërrimin e imazhit të personit që përfaqëson vullnetin e popullit në këtë sallë.
Të nderuar kolegë!
Unë nuk kam kërkuar mbrojtje as nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe as nga kryeministri Edi Rama. Para deputetëve të opozitës, dua t’iu them se as për këtë çështje, as për çështjen e vëllait tim apo për ndonjë çështje tjetër, unë nuk jam pengu apo skllavi i kryeministrit, i kryetarit të Parlamentit. Unë jam skllav veç para Zotit. 
Të nderuar deputetë!
Unë nuk jam këtu që t’iu kërkoj votën kundër kërkesës së Prokurorisë. Po iu them që të mos e fusni as në procedurën e votimit. Kjo është një çështje që i takon drejtësisë, dhe vetëm me drejtësinë shqiptare, apo belge, në Gjykatën e Tiranës apo Strasburgut do ta fitoj të drejtën time.
Tani jam i gatshëm që t’iu përgjigjem të gjitha pyetjeve që keni ndaj meje.  
Deputeti i PKD, Mark Frroku, duke folur per gazetaret pasi ka dale nga nje seance parlamentare, ku eshte miratuar me 113 vota pro, 2 kunder dhe 2 abstenime, kerkesa e dyte te Prokurorise se Pergjithshme qe kerkon autorizimin e parlamentit per arrestimin e deputetit Mark Frroku, i akuzuar nga drejtesia belge se eshte i perfshirë ne nje vrasje ne vitin 1999.

Mark Frroku mbërrin në Kuvend i shoqëruar nga policia, ja autorizimi me leje të veçantë i Prokurorisë (FOTO)

Deputeti Mark Frroku ka mbërritur rreth orës 10:00 në Kuvend i shoqëruar nga policia, për të marrë pjesë në seancën ku do të votohet kërkesa e prokurorisë për autorizimin e arrestimit të tij mbi çështjen e Belgjikës.

Pasi ka deklaruar se klienti i tij do të marrë pjesë në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, avokati i deputetit Mark Frroku, ka bërë publike edhe shkresën drejtuar Kuvendit nga Prokuroria e Përgjithshme. Një autorizim ky për leje të veçantë për deputetin Mark Frroku, që duhet të prezent në seancën parlamentare të ditës së enjte, datë 2 prill 2015.

“Bashkelidhur ju dergojme ‘autorizimin me lejen e veçante’, te deputetit Z. Mark Frroku i cili duhet te marre pjese ne mbledhjen e seances plenare te Kuvendit te Shqiperise qe zhvillohet diten e enjte, me date 2.4.2015, ora 10:00, ne godinen e seancave plenare te Kuvendit”,- thuhet ne shkresen e Prokurorise se Pergjithshme drejtuar Kuvendit.

“Neser ne oren 10 ne godinen e séances plenare te Kuvendit ku deputeti Z.Mark Froku do te mbaj fjalen e tij para 139.. deputeteve..”,- shkruan avokati Saimir Visha.

Shkresa e Gjykates se Larte, drejtuar Kuvendit te Shqiperise per lejimin e Frrokut te marre pjese ne seance parlamentare

Mark Frroku ishte për herë të fundit në Parlament të enjten e kaluar, kur pasi Parlamenti votoi me 79 vota pro për arrestimin, ai u ndalua nga Policia dhe kaloi dy netë në paraburgim përpara se të dilte në arrest shtëpie.

Në mbledhjen e kësaj të enjte Frroku pritet të mbajë sërish një fjalim kur të diskutohet kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij për llogari të drejtësisë belge, ku akuzohet për një vrasje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura