Frroku në Kushtetuese, kërkon lirim nga qelia: Prokuroria ngriti akuza të reja pa autorizim nga Kuvendi

May 28, 2015 | 16:10
SHPËRNDAJE

Deputeti Mark Frroku, i lënë në “arrest në burg” nga Gjykata e Lartë si i dyshuar për “vrasje me paramendim”, “pastrim parash” dhe për “fshehje të pasurisë”, kërkon lirinë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i PKD, Mark Frroku, ne gjykate

Dy ditë më parë, avokatët mbrojtës të deputetit Frroku i janë drejtuar Kushtetueses me një kërkesë me objekt shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që la në qeli klientin e tyre. Sipas mbrojtësve, vendimi i dhënë nga Kolegji Penal për deputetin Frroku ka ardhur si rezultat i një procesi të parregullt ligjor dhe në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës.

Ndër të tjera shkelje, mbrojtësit Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj pretendonin se Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur procedim penal për dy vepra penale ndaj klientit të tyre pa autorizimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në vendimin e saj të shpallur më 4 prill të këtij viti, Gjykata e Lartë la në “arrest në burg” Frrokun, si të dyshuar për tre vepra penale, një vrasje të ndodhur në 1999 në Belgjikë, “pastrim parash” dhe për “fshehje të pasurisë”.

SHFUQIZIMI
Argumenti kryesor i avokatëve të Frrokut kundër vendimit të Gjykatës së Lartë ishte procedimi i deputetit për dy vepra penale të tyre pa autorizimin e Kuvendit. Avokatët sqaronin se autorizimi i dhënë nga Kuvendi, më 2 prill 2015, ishte vetëm për procedimin e regjistruar ndaj Frrokut për akuzën e “vrasjes me paramendim”. Në vijim, bazuar një kallëzimi të ILDKP, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedim ndaj deputetit për dy veprat e tjera penale, “pastrimin e parave” dhe “fshehjen e pasurisë”.

Dy procedimet janë bashkuar në një të vetëm dhe sipas mbrojtësve, ndonëse kishte autorizim vetëm për një vepër, Prokuroria e Përgjithshme ka lëshuar urdhër ndalimi për deputetin për tre vepra penale. Mbrojtësit pretendonin se për sa kohë që Kuvendi nuk ka dhënë autorizim për ndjekje penale ndaj deputetit Frroku “vendimi Nr.17, datë 03.04.2015, i Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, duhet të shfuqizohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pasi kërkuesit dhe deputetit Mark Frroku i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese për një proces të rregullt ligjor”. Sipas avokatëve, bazuar në këto rrethana, Gjykata e Lartë nuk mund të caktonte masë sigurimi për Frrokun.

DOSJA E BELGJIKËS
Një tjetër pretendim i avokatëve të Frrokut për një proces të parregullt ligjor ndaj tij, ishte mungesa e vendimit të transferimit të procedimit penal të nisur ndaj deputetit në Belgjikë. Sipas avokatëve, dosja ku deputeti dyshohet si i përfshirë në një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, është duke u gjykuar nga Drejtësia e këtij vendi.

Mbrojtësit pretendonin se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë nuk mund të caktonte masë sigurimi ndaj deputetit Mark Frroku për aq kohë sa mungon vendimi i transferimit të procedimit penal nga Belgjika në Shqipëri. ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura