Mark Frroku akuzohet për “kallëzim të rremë”, avokatët: Absurde, ka qenë thjesht dëshmitar

May 4, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Deputetit Mark Frroku i është komunikuar sot nga prokuroria zyrtarisht akuza ‘kallëzim i rremë’ për çështjen “Doshi”. Akuza iu komunikua Frrokut në spitalin e burgut ku ndodhet për arsye shëndetësore.

Mark Frroku në Gjykatën e Lartë

Ashtu si edhe Doshi, Frroku akuzohet se ka përgatitur videon me Durim Bamin për të nxitur organin e akuzës që të niste hetimet për një komplot të mundshëm për vrasje kundër deputetit të Shkodrës. 

Avokatët e Mark Frrokut thanë për mediat se Frroku ishte dëshmitar në një çështje dhe nuk mund të ketë për të një akuzë të tillë. Sipas tyre prokuroria pranon se nuk ekziston një skenar, nga ana tjetër e akuzon për ‘kallëzim të rremë’.

“Moskallëzim të krimit, të kujt? Të alibisë thotë prokuroria. Pra i referohen një alibie, që e përjashton krimi”, tha avokati Genci Gjokutaj.

Avokati Saimir Vishaj: “Akuzë të rremë për një fakt që s’ka krim, për një çëshjte që ndiqet kryesisht nga prokuroria…Ka qenë thjesht dëshmitar e s’mund të kemi nje vepër penale të tillë…Durim Bami akuzohet për moskallëzim krimi për kallëzimin e rremë?”.

Hetimet për çështjen “Doshi” nisën pas akuzave publike që bëri deputeti i Shkodrës se kishte zbuluar një komplot për eliminimin fizik të tij dhe të kolegut demokrat Mhill Fufi. 

Pas hetimeve Prokuroria e Krimeve të Rënda doli në përfundimin se e gjithë ngjarja ishte e sajuar dhe ia delegoi çështjen Prokurorisë së Përgjithshme. 

Pas marrjes së autorizimit në Kuvendin e Shqipërisë, kryeprokurori Llalla firmosi urdhër-ndalimin për deputetët Doshi e Frroku.

Dy deputetët dyshoheshin për tre vepra penale “deklarim i rremë”, “kanosje e dëshmitarit” dhe “kallëzim i rremë”. Por prokuroria rrëzoi dy të parat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura