Marinza, aty ku shiu bie me baltë e me gaz të “ëmbël”

Apr 7, 2015 | 14:14
SHPËRNDAJE

SAZAN GURI

   Pas njëmbëdhjetë vjetësh aktivitet, e përkëdhelura e shtetit që me tururu e mban, dhe e mallkuara e popullit që në gji e futi, shpaguhet si për ledhatimet e Zeusit (shtet) dhe për mninë e Akilit (komunitet), që pikë të dobët nuk ka thembër, por butësinë dhe qetësinë e buallit, e kafshës prej nga kanë edhe simbolin e jetës pikërisht njerëzit e kësaj treve. Çudia s’ka të sosur me këtë vendburim, me dhe për këta njerëz. Mbasi kompania, gjynah mos qoftë, e shkretë, del çdo vit me humbje, sikundër shumë kompani të tjera në këtë vend të begatë për nga natyra, por të shkretë nga qeverisja; Pasi ndërton gropa “ekopite”, të ashtuquajtura ekologjike, që i lë të hapura në mëshirë të natyrës, pa gjeomembranë, pa gjeotekstil, pa formacion argjilor, ku mbetjet e pista të naftës sterrosin më keq se nafta tokën e begatë të myzeqarit; Mbasi flakin kukafshehthi në ajër, në orë të komanduara, gazet me sulfur hidrogjeni, ta lashë s’ta lashë, ta hodha s’ta hodha, dhe sa do thoni ju? Me mijëra depozita tankers kanë nga një oxhak të tillë, ku njëra prej tyre është sa qindra marmita makinash; Mbasi trondisin tokën nën dhé dhe banesat mbi dhè, veçse kur shungullima si bubullimë katallani nga poshtë dhe çarja e shtëpive nga sipër trondit foshnjat dhe fëmijët që s’bëzajnë, por veçse tinëz qajnë; Mbasi u mbush sofrën me produkte të ndotura, ku nuk pipëtin as ulliri e as vreshta, as gruri e as truri, ku mosha mesatare nuk kalon dot 57 vjetët e taksura nga varfëria, që duhet të ishin 157 vjet nga naftë pasuria; Mbasi 99 për qind e njerëzve kanë 99 për qind të trupit me karbon në gjak, ku në 1000 banorë 200 persona me probleme në gjak, e pjesa tjetër me probleme të tjera shëndetësore që duhen faqe të shkruhen, ndryshe nga banorët e Kurjanit, prapa maleve të naftës, që e kanë koeficientin natyror një për një mijë; Mbasi bulmeti më shumë ka dioksinë e furane sesa enzima e vitamina për foshnjën në djep; Mbasi kjo e mbasi ajo, dhe vjen një ditë!…
Dita e shpagimit. Mirë ajrin nuk ia përmirëson dot, po pse edhe më tepër ia ndot? Banorët që i gjete, i dashur (armik) kompani që të gjeç e mirë, nuk i bërë ndonjë rrugë apo urë komunikimi, po me muret e shtëpive ç’pate që ia çave, o të çaftë ujku, kur i thonë aso ane. Dhe vjen një ditë prapë. Që inxhinierët e vjetër të naftës i nxore në mbudhë, dhe pastaj pusi prej 1300m të nxjerr ty baltë e lyrë. Pse do thoni ju, të dashur lexues? Po inxhinierët tanë, si Bashkim Manaj, Tahir Cuni, Fatmir Shehu, Novruz Limaj, Arqile Cupa e sa të doni ju pa mbarim, kanë shpuar puse 6700m të thellë, dhe këta mbyten me puse 1300m si stuhia në një gotë çaji. Madje, edhe kur shteti ishte me brekë nëpër këmbë, në vitet e para të demokracisë, ku në mensë inxhinierët tani gjejnë veçse fasule e qepujka, inxhinieri Lad Azizaj shpoi pus më tepër se 5000m nëpër shtresa me humbje argjilore, me horizonte që vithisen në gjuhën gjeologjike. Sot, në thellësi 1300m, që këto thellësira inxhinierët tanë (shpues e gjeologë, ata lart dhe njëqind të tjerë si ata lart) i kanë shpuar pa , ndërsa kompani me nam, nënkontraktorë me nam e nishan, dhe ndodh ajo që kurrsesi s’duhej të ndodhte! Që nuk shpërthen thjesht pusi, por gjëmon toka. Sepse ajo tokë e di se ç’heq, ç’janë këto male (Zharrëza e Marinza) që rënkojnë? Ajo nëntokë ka nxjerrë nga gjiri i saj 200 milionë tonë naftë, rërë e ujë, dhe ajo mbitokë ka mbajtur ushtrinë e Cezarëve, të bizantëve, të sulltanëve dhe sot nuk ushqen dot të zotët e saj, as me shtëpi e as me katandi.
Dhe për çfarë shpërthen pusi? Sepse vetitë e lëngut të argjilës që ushtrojnë presion ndaj faqeve të pusit, sot më 2015 janë të dobëta, janë jashtë inxhinieringut, me parametra si peshë specifike, viskozitet më të vogël se presioni i lëngut ardhës, si gazi apo uji. Po si mund ta dijë kompania këtë?! Asnjë gjë dhe asnjëherë nuk ndodh pa paralajmërim natyror. Sigurisht që me domosdo peshës specifike të argjilës, gjakut të pusit duhet t’i jenë ulur parametrat, për shkak të gazifikimit të saj nga çlirimet e pusit, dhe menjëherë një doktor (lexo inxhinier apo teknik i lëngut larës) do ta vërente këtë tension të ulët të gjakut (lëngut argjilor) dhe menjëherë do të reagonte. Si, qysh?! Duke i “trashur” parametrat që të ushtrohej një presion më i madh ndaj mureve mbajtëse të pusit apo duke iu përgjigjur me një presion më të lartë presionit të gazit të ardhur, qoftë edhe si kapele gazore të një shtrese nafte ose të një thjerze të caktuar gazmbajtëse. Ndaj guxojmë si një inxhinier gjeolog nafte prej disa vjetësh në puse kërkimi dhe jo në puse si të vendburimit të Marinzës, ku janë deri më sot më tepër se 2000 të tillë, ku çdo shtrese i njihet energjia, presioni, sasia e mundshme e lëngut hidrokarbur etj. Dhe kur, sot, dhe pse, sepse babëzia për fitim është më e madhe se madhështia për punë.
*Inxhinier i naftës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura