Marinza, aty ku ndotja mbush sofrën e myzeqarit

Apr 12, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

SAZAN GURI*

               Kompania me aktivitet në Marinzë arrin që mbetjet si ujë shoqërues ndotës i naftës i dalë nga thellësia ta rifusë me anë të pompimit përsëri në shtresë, jo vetëm për ruajtje të ekuilibrit, por… .edhe të mosndotjes së ujërave sipërfaqësorë, ose për të shmangur kostot e mëdha të trajtimit të tyre. Ndërkohë që mbetjet e rërës së dalë nga nxjerrjet e masës naftë, ujë e rërë, si edhe mbetjet e tjera të naftës, dherat e ndotur, vajrat, grasot etj., kompania i shkarkon nëpër gropat ekologjike.

Çfarë kemi kuptuar lidhur me këto gropa. Se ato nuk janë të pajisura me gjeomembranë, që mund të përkthehet në kosto të munguar, plus dëmin direkt në mjedis dhe direkt e indirekt në shëndetin e banorëve, por as me gjeotekstil që mund të përkthehet gjithashtu në kosto të munguar, plus dëmin direkt në mjedis dhe direkt e indirekt në shëndetin e banorëve, si dhe as me veshjen argjilore të mureve anësorë sipas standardeve europiane me përshkueshmëri prej 10-9m/sek, që edhe kjo mund të përkthehet në kosto po aq të munguar, plus dëmin direkt në mjedis dhe direkt e indirekt në shëndetin e banorëve.

Meqenëse jemi te gropat ekologjike të quajtura “ekopit”-e. Ato duhet të kenë mbledhës të lëngjeve shkarkues që drenojnë nga bazamenti i gropave, të cilat grumbullohen dhe trajtohen në deporatorë të posaçëm për to. Mungesa e trajtimit të këtyre lëngjeve, që s’janë gjë tjetër veçse mbetje të rrezikshme, mund të përkthehet gjithashtu në kosto të munguar, plus dëmin direkt në mjedis dhe direkt e indirekt në shëndetin e banorëve.

Sepse prej mungesës së saj pritet rrjedhje nga çarjet e mundshme të gjeomembranave apo gjeotekstileve, edhe nëse ato ekzistojnë. Po aq problem në jetën e banorëve është ajri i ndotur, sepse të gjitha depozitat që shërbejnë për grumbullimin e naftave kanë oxhak që herë pas here lëshojnë gazet e mbledhura, si sulfurin e hidrogjenit H2 S, por edhe gaze të tjerë shoqërues të naftave, duke shkarkuar në ajër makro dhe mikroelementët përbërës të naftës, si vanadium, bor, nikel, plumb, krom gjashtë valent, etj. Edhe impianti i trajtimit të mbetjeve të naftës që mbërrijnë në destinacionin e fundit, e quajtur gropa finale e mbetjeve të tyre, lëshojnë në ajër akoma më shumë avuj aromatizues që ndikojnë jo vetëm në ambientin e punës, por edhe për gjithë zonën e banimit.

Nga ana tjetër, impiantet e trajtimit të mbetjeve të naftës duhet të kenë mbledhës të shkarkimeve në ajër ose nën impiante të kapjes së gazeve që dalin gjatë proceseve të përdorimit të temperaturave për djegie. Sidomos, gropa e fundit ekologjike si pritëse e mbetjeve të mbetjeve, nuk mund të jetë e njëjtë si të tjerat. Ajo përfaqëson një gropë për asgjësim final dhe i ngjan një CDF (Controlled Deposited Facilities), pra një grope për varrosje përfundimtare për mbetje të llojit të rrezikshme. Si e tillë, ajo duhet të jetë shumë më ndryshe nga ato të zakonshmet dhe/ose të përkohshmet. Ajo ka një standard krejt tjetër nga gropat e tjera ekologjike. Madje, ajo nuk ngjet as me gropat e mbetjeve urbane.

Kjo përbën rastin e një grope shumë të sigurt ekologjike dhe tipike për mbetje të rrezikshme. Ajo duhet të jetë e pajisur me shumë komponentë që të dëftejnë për gropë të mbetjeve të rrezikshme, si p.sh., materialet e mbetura duhet të jenë të paketuara në çanta plastike të papërshkueshme dhe mbasi futen në këtë gropë, pothuajse të taposur nga të gjitha anët, bëjnë atë që quhet varrosje përfundimtare të mbetjeve të naftës. Epo këto lloj rregullash as që ekzistojnë në këtë fushë naftëmbajtëse dhe njëherësh truall banorëmbajtës.

Po aq mbetje kanë edhe ujërat nëntokë- sorë, jo vetëm nga trashëgimia e ndotjes së ardhur nga historia e çarjeve të tubove të naftës së kohës së Albpetrolit, por edhe sot nga aktiviteti i kompanisë. Pse do thoni ju? Kjo që ndodhi me shpërthimin e dy gejzerëve me gaz, me baltë e me ujë, po se po. Por, edhe nga momentet e shpërthimeve të vazhdueshme prej vitit 2009 deri në para pak kohe, ku perforimet (shpimet e tubove dhe të kolonave të çimentove për rrjedhje nafte të puseve horizontalë) shkundin shtresat ujore dhe i turbullojnë ato, sikundër ndodh kur bie shi në malet e Tomorit, dhe uji i Bogovës në Berat kurrsesi s’pihet apo në rastet e shpërthimeve të tipit “fruckdown” për nxjerrjen e gazeve nga shtresat argjilore në zona të vendburimeve në Kanada dhe në Amerikë.

Ndotja e ujit me elementë të hidrokarbureve vazhdon akoma më keq se ajri, sepse përbën bazën e jetës për bimët rrotull bahçes, për produktet bujqësore, për silazhin e lopës, deles deri te qumështi i fëmijës. Sikur nuk mjaftojnë këto, banorët ballafaqohen çdo ditë e çdo natë me ndotje akustike, që në largësinë 50m, banesat e kanë 95db dhe në largësinë 100m larg sondës së shpimit e kanë 55-62dcb, kundrejt normave 35dcb për natën. Po pse vetëm zhurmat, o të keqen vëllai! Po vibrimet, po koha e ekspozimit, po shungullimat, po uji i ndotur, po pluhuri, po ajri i ndotur.

Me që ra fjala për ajrin e ndotur. Shqetësimi i banorëve, veç plasjeve të shtëpive, është edhe ajri i ndotur, sidomos në periudha të vitit me lagështi dhe ose çdo ditë herët në mëngjes, ku lagështia e vesës bën që ndotjet të qëndrojnë në lartësitë e njeriut. Ndaj dhe në anemnezat e banorëve të zonës nuk vërehen përmirësime ose ulje të numrit të tyre me karbon në gjak. 99% e njerëzve, më saktë banorëve të zonës, janë të prekur nga sëmundjet si karboni në gjak, menjëherë mbas të cilës vjen anemia, problemet me frymëmarrjen, me zemrën, me sistemin tretës, aq sa mesatarja e jetës në këtë trevë nuk kalon të 57 vjetët.

Edhe kjo përbën kosto mjedisore, që e përkthyer ndryshe do të thotë kosto shëndetësore dhe mjedisore. Ndaj, me plot gojë, mund të themi se mbetjet e naftës janë të shtruara bashkë me ushqimin në sofrën myzeqare.
*Inxhinier i naftës

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura