Marinarja Anna Nina: Në det të hapur prej 14 vjetësh

Oct 26, 2012 | 15:44
SHPËRNDAJE

Emri i saj duket si i dalë nga romanët e Tolstoit. Në fakt, Ana Nina nuk ka asnjë lidhje me Rusinë e aq më pak me heroina si Ana Karenina. Megjithatë ajo është një heroinë në llojin e saj. Është marinare, një profesion që e ushtron prej 14 vjetësh. Prej udhëtimit të parë me vela në vitin 1998, ajo kuptoi që aventurat i përkisnin botës së saj dhe nuk iu shmang dëshirës për të provuar itinerare të reja. Për Anën, nuk ishte vetëm çështje dëshire, ishte edhe zotim përballë çdo të papriture, herë edhe të rrezikshme në det të hapur. Si presidente e “Yacht Club Albania”, shoqatës shqiptare të jahteve që lundron në hapësirën detare të vendit tonë, Ana flet mbi përvojat e saj në det, udhëtimet e gjata anekënd botës, magjinë e emocioneve që përjeton në çdo pikënisje të re…

Si ka lindur pasioni juaj për lundrimin?
Kam qenë e lidhur me detin që në fëmijëri, por kontakti i parë me botën e velës ka ndodhur në Xhenova, në vitin 1998. Ishte një udhëtim i rastësishëm, por aty kuptova që kjo botë e mrekullueshme shpejt do të bëhej dhe e imja. U bëra pjesë e këtij sporti shumë shpejt, duke zhvilluar kësisoj pasionin tim për detin.
Cilat kanë qenë ndjesitë e fillimit gjatë një lundrimi në det të hapur?
Udhëtimi im i parë ka qenë nga Xhenova në Francë, dhe ky udhëtim nisi në perëndim të diellit. Ka qenë peizazhi më i bukur që kisha parë deri në atë moment. E gjithë atmosfera ishte perfekte. Në Tramontana frynte erë e lehtë, pikërisht aq sa duhej që të na shtynte drejt Francës. Mandej, ndjesia më e bukur ishte lindja e diellit në bregdetin e Nice Ville. Ende mbetet një nga fotografitë më të bukura në mendjen time.
Më pas pasionin e kthyet në profesion, i cili duhet thënë nuk është shumë femëror…
Dihet që bota e navigacionit është “mashkullore”, por në 15 vitet e fundit është rritur prania e femrave në këtë punë. Lundrimin e kam pasion, dhe të lidhësh pasionin me punën të jep shumë kënaqësi. Duke “zaptuar” detin, unë jetoj jetën time. Ndihem e lirë. Nuk mendoj se jetë normale bëhet vetëm në tokë. Unë që kam provuar edhe të jetuarit për shumë kohë në det, kam dyshimet e mia për këtë…
Keni vizituar kaq shumë vende, ndiheni me fat?
Asnjë prej udhëtimeve që kam përjetuar nuk i ngjan tjetrit, jo vetëm për nga veçantia, por edhe të papriturat. Gjithmonë duhet të jem gati përpara momenteve të paparashikuara, siç janë agjentët atmosferikë, shpejtësia e lëvizjes së erës, shiu etj. Kam filluar lundrimin në detin Mesdhe, atë Jon dhe Adriatik, gjithë ishujt e Greqisë, e në Turqi. Gjithashtu, kam përshkuar Oqeanit Atlantik, Karaibet, ishujt në Amerikë deri në Oqeanin Indian. Nuk mund të mos ndihesh me fat, kur ke prekur nga afër të gjitha këto brigje e bukuri natyrore. Të gjithë vendet janë të bukura, por momenti që unë preferoj, janë netët me yje në lundrim të hapur.
Ju ka mbetur ndonjë breg pa shkelur?
Në listën e udhëtimeve që kam provuar, më mungon vetëm Oqeani Paqësor, që shumë shpejt do ta realizoj si udhëtim. Cila ka qenë eksperienca më e rrezikshme për ju?
Në profesionin tim të marinares, frika nuk ekziston. Emocione ndoshta…, por frikë, kurrsesi. Kjo pasi çdo udhëtim i ri është sfidë e re, plot të panjohura për cilindo pjesëtar të ekuipazhit që e provon. Në çdo përballje të re me detin jam e vetëdijshme që rreziku shkon përkrah punës sime. Por, eksperienca e gjatë dhe profe- Marinarja Anna Nina ERMIRA ISUFAJ sionalizmi në këtë profil më kanë bërë të ndihem e sigurt dhe aspak e rrezikuar. Deri më tash, asnjë situatë serioze rreziku (qesh).
Lundrimet zgjasin me ditë… E ndieni mungesën e familjes apo mësohesh…?
Udhëtimi më i gjatë ka qenë kalimi i Oqeanit Atlantik dhe në këto ditë të gjata, ku më është dashur të jem larg familjes, kam ndier edhe nostalgji për njerëzit e zemrës. Nuk është e lehtë të jesh larg të dashurve të tu për ditë e muaj të tërë. Por e kam pranuar këtë kosto në profesionin tim. Tashmë, e kam bërë një zgjedhje.
Mos do të thotë se ndiheni më mirë në det?
Për një njeri si unë, që i ka përjetuar të dy tipologjitë e jetës, besoj se secila ka dallim në vetvete. Por, kur lundroj, kam një ndjenjë lirie që nuk e kam ndier në asnjë vend tjetër. Duke lundruar me varkë në det të hapur, aty gjej veten time.
Ju jeni drejtuese e “Yacht Club Albania”. Si lindi ideja e kësaj iniciative?
Ideja lindi kur kuptova që vela do të ishte e ardhmja ime. Dhe në momentin e duhur u ktheva në Shqipëri për të transmetuar pasionin dhe emocionin e këtij sporti. Në klubin tonë sportiv nuk mungojnë dhe personazhet e njohur e personalitete të jetës publike në vend, çka më motivon edhe më shumë për projekte të reja, në sportin e velave dhe lundrimit në Shqipëri.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura