Marijuana nisja industriale, përfundimi fatkeqësi sociale

May 14, 2020 | 10:41
SHPËRNDAJE

REDI SHEHU redi shehu

Është tipike. Në momentet më të vështira kur një  shoqëri e gjen veten, atëherë, si me porosi, shfaqen si pikëpyetje të mëdha sociale disa çështje “kuruese” të plagëve, prej të cilave kjo shoqëri ankon. E pikërisht në kulmin e dilemave të mëdha se a do ta kalojmë sprovën e Covid-19, apo se si mund të luftojmë korrupsionin, ilegalitetin, informalitetin, krimin, dhunën shumëdimensionale, papunësinë, shpërdorimin e kohës dhe jetës etj., na shfaqet në hapësirën e debatit publik, dilema nëse duhet të legalizojmë apo jo kultivimin e marijuanës për përdorim industrial. Mundesh me të gjithë seriozitetin ta marrësh me sportivitet këtë iniciativë, por kushtet, faktet si dhe realiteti, në të cilin jetojmë, nuk lejon aspak një sipërmarrje të tillë. Është e habitshme kokëfortësia e Kryeministrit dhe qeverisë për t’iu rikthyer mëkatit, i cili tashmë transformohet jo thjesht në një fiksim, por edhe në një alibi.

Besoj se duhet të ekzistojë një konsensus social mbi faktin se vitit 2016 ishte shfaqja më kuptimplote se si Shqipëria as që duhet ta ëndërrojë një gjë të tillë. Po ashtu, vitet në vazhdim, me fuqizimin dhe sofistikimin e bandave dhe grupeve të strukturuara kriminale, janë prova se pse Shqipëria as që duhet ta honepsë një gjë të tillë. Vetë dëshira për t’u rikthyer në anormalitet, është dimensioni më anormal i gjithë kësaj historie. Asnjë nga vendet, të cilat, edhe pse kanë standarde, nuk arrijnë dot ta kontrollojnë të gjithë aferën e kanabisit. Asnjë nga vendet që e kultivojnë për qëllime industriale, nuk kanë pasur eksperiencën e Shqipërisë dhe as nuk kanë pasur një qeveri dhe ministër të Brendshëm ”në ekstazë” mariujane

Ne duhet të kuptojmë së pari faktin nëse marijuana futet apo jo në kategorinë e lëndëve narkotike. Faktet shkencore si dhe studimet e pafundme kanë vërtetuar se marijuana përfundimisht futet në përbërësit me efekte psikotike, të cilat qëndrojnë në organizmin e njeriut, në varësi të përdorimit, nga disa ditë në disa javë. Marijuana është tashmë e vërtetuar që më përdoruesit e rregullt të saj, ndikon në dëmtimin e aftësive motore të njeriut; jep disfunksionime të trurit, stimulon një përqendrim momental për një çështje, por bën që të humbësh sensin e të tjerave, ul aftësinë e thithjes së dijes, pas euforisë që shkakton përcillet më pas me depresion dhe varësi ndaj këtij produkti. Gjithashtu, është një pararendës i shkëlqyer për të vazhduar varësinë dhe kaluar nga marijuana në droga të tjera më të rënda si kokaina, heroina, ku, sipas studimeve, 20- 25% të përdoruesve të rregullt të marijuanës kalojnë në varësi të drogave të rënda.

Çdo përbërës, organik apo joorganik, i cili kontribuon për ta nxjerrë njeriun nga gjendja normale drejt një gjendjeje tjetër që anon për nga anormaliteti, si pasojë e stimuluesve, duhet të ndalohet dhe bojkotohet. Në përgjithësi, të gjitha përpjekjet ligjore, kulturore, sociale, politike e morale, përpiqen të restaurojnë individin normal e të shëndetshëm sociologjikisht. Dalja me vetëdije i këtij individi nga ky status, përmes legalizimit të lëndëve si marijuana, në thelb, përbën legalizimin e humbjes së sensit të masës.

E kamufluar brenda iniciativës së prodhimit të kontrolluar industrial, ashtu siç disa vende të standardizuara e kanë tashmë, qëllimi përfundimtar dyshohet të jetë tjetërkund. I gjithë ky dyshim lidhet me faktin se eksperienca jonë e freskët me kanabisin kishte tjetër fytyrë dhe tjetër rezultat. Risjellja e kësaj teme në formën e një projektligji ngjall dyshime të forta për një riciklim të ambientit të hashashit në Shqipëri. Riciklim, i cili starton me qëllim industrial dhe përfundon me legalizim social. Duke qenë kështu, atëherë ne mund të shtrojmë një pyetje të thjeshtë lidhur me qëllimin e legalizimit të marijuanës: a duam të legalizojmë marijuanën apo duam të legalizojmë efektin e saj që është euforia dhe ekstaza? Sepse, marijuana është vetëm mjeti, ndërsa qëllimi përfundimtar është të përftuarit e gjendjes së ekstazës apo “çlodhjes” siç kanë qejf ta quajnë përdoruesit e saj. Atëhere, e dalë jashtë kontrolli, gjendja që të shkakton marijuana, e nxjerr njeriun nga normaliteti, nga aftësia për të marrë vendime në përditshmërinë e tij për shkak të ekstazës. Me legalizimin e marijuanës, ne, në fakt, duam të legalizojmë efektin e pakontrolluar të saj, duam të legalizojmë humbjen e sensit të masës dhe moderimit të individit.

Një ndër argumentet e mbështetësve të legalizimit të përdorimit të kësaj bime, është edhe masiviteti i saj në shoqëri. Ky është një argument, i cili, në fakt, tregon edhe një farë sensi fatalist të dorëzimit ndaj një përballjeje. Si parim, duhet të themi që masivizimi i një të keqeje kurrsesi nuk e legalizon atë. Çështja parimore duhet të ruajë koherencën e saj, qoftë nëse ajo ndodhet në situatë shumice, qoftë edhe në situatë pakice, sepse parimi është garanti më i mirë për rirregullim në raste të tilla.

Mbështetësit e legalizimit mundohen të argumentojnë se në një format legal, marijuana do të ishte më pak e përdorshme, si pasojë e daljes nga ilegaliteti. Pra, në parim, pranohet të merret një masë për ta zvogëluar fenomenin, gjë që na bën të një mendjeje se ajo qenka e dëmshme. Eksperienca e ka provuar se legalizimi i një të keqeje nuk e redukton atë, por e shtrin në një format më të gjerë social. Për shkak të paaftësisë, pamundësisë dhe korruptimit të institucioneve tona ligjzbatuese, imagjinoni shtrirjen abuzive dhe ilegale të marijuanës në të gjitha shtresat sociale, nga shkollat 9-vjeçare e deri tek institucionet shtetërore, në privat e publik. Pjesa më e madhe e tyre do të shtriheshin në format ilegal për t’i shpëtuar taksimit, çka do të sillte edhe furnizues me shumicë të tyre ilegalë, të cilët zhvillojnë një luftë po ilegale ndërmjet tyre për zona influence. Produkti përfundimtar do të ishte hiperkriminalizimi i ambientit tonë, tashmë të kriminalizuar.

Arsyeja se me legalizimin shteti do të mblidhte më shumë taksa, kjo ka në parim një problem etik, i cili thotë se çfarë t’u bëjmë atyre taksave që vijnë nga një fatkeqësi sociale. Por ajo që është më e rëndësishme, është fakti se vërtet shteti do të merrte taksa, por kostoja që do të kishte shteti për të mirëmbajtur me mijëra individë të varur prej saj, është më e madhe. Mjafton të përmendim një fakt. Në SHBA, shteti merr nga taksat e shitjes se duhanit 25 miliardë dollarë në vit, por kostot e tij për sa i përket menaxhimit të efekteve që shkakton duhani në shoqërinë amerikane, shkon në 200 miliardë dollarë në vit. Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se në ditën e parë që u legalizua marijuana në Kolorado, vdiqën 37 veta nga overdoza, atëherë panoramën imagjinojeni vetë.

Mbrojtësit e legalizimit të marijuanës sjellin si shembull ekzistencën e duhanit dhe alkoolit të legalizuar në shoqëri dhe mundohen të argumentojnë se dëmet e këtyre janë më të mëdha se ato të marijuanës. Së pari, nuk kemi se pse dy të këqijave t’i shtojmë edhe një tjetër, sepse kjo nuk është mënyra për t’i luftuar ato. Së dyti, duhet të dimë se dëmi për njësi i marijuanës është më i madh se i duhanit dhe alkoolit, çka e bën marijuanën potencialisht më shkatërruese në terma afatgjatë. Por dëmi më i madh është te besueshmëria e cenuar e qeverisë shqiptare lidhur me këtë fenomen, për shkak të implikimit të institucioneve të saj në krijimin e krizës më të madhe të hashashit në një vend europian. Kaq mjafton që ne të paktën të ndihemi të turpëruar thjesht ta mendojmë një iniciativë të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura