Maria Callas/ Për 40-vjetorin e vdekjes së Divinës: Jetë që nisi e trishtë, shkëlqeu dhe u shua nga dashuria

Sep 20, 2017 | 12:43
SHPËRNDAJE

“Marina Callas vdiq nga dhimbja në moshën 53-vjeçare, në vitin 1977, prej një jete tragjike, e dëshpëruar. Në jetën e përditshme ishte një grua e thjeshtë, kujdesej për shtëpinë e saj të bukur me kopsht të madh. Kujdesej për menynë e ushqimit, shkonim nëpër antikuarë për të zgjedhur mobilie veneciane të viteve ‘700, shëtisnim nëpër dyqane, pastronim bashkë gjërat e argjendta që kishte në shtëpi.

Por bënte edhe gjëra banale, siç ndodh me të gjithë ne. Sapo kalonte derën e teatrit, transformohej në Callas-in që të gjithë donim. Ngrihej nga gjumi vonë, rreth orës 11:00, pothuajse si të gjitha këngëtaret. Hante shumë pak, fileto peshku të pjekur e perime. Pinte kafe vazhdimisht. Ndiqte me përpikëri regjimin ushqimor që e bëri të humbiste 50 kg. Kishte një fytyrë të bukur, sy të mëdhenj që i lyente shumë dhe duar të mrekullueshme që i lëvizte në mënyrë magjike, kur ngjitej në skenë.131030404_maria_callas

I vetmi problem i saj ishin kaviljet e fryra, që i kishte ndoshta prej mbipeshës që kishte pasur, për këtë bënte masazhe të shpeshta. Më parë, nuk kishte qenë fare e bukur, përkundrazi, aspak tërheqëse. As zëri nuk i pëlqehej.

Por me vendosmëri të madhe, arriti atë që u bë më vonë. Ishte e pasur, e dashur nga të gjithë dhe e famshme”, këto janë vetëm një pjesë e kujtimeve të Giovanna Lumazzit, mikeshës së ngushtë të divës, e cila është pyetur vazhdimisht nga mediet italiane rreth fundit tragjik të Callas-it. Sot, në 40-vjetorin e vdekjes së saj, po kujtojmë etapat më të rëndësishme të jetës së saj. Asaj jete që nisi e trishtë, diku shkëlqeu, e shpërndau ndriçimin në të gjithë botën dhe u shua sërish nga marrëzia e një dashurie…

CALLAS, FËMIJA QË U NDJE I SHËMTUAR DHE I PADËSHIRUAR

Cecilia Sophia Anna “Maria” Kalogeropoulos u lind më 3 dhjetor 1923 në Queens, New York, vetëm pak muaj pasi prindërit e saj mbërritën në SHBA nga Greqia. Babai i saj, George Kalogeropoulos, ishte farmacist dhe e ëma Evangelia (Litza) ishte një aktiviste shoqërore ambicioze me aspirata të mëdha për familjen e vet. Afër kohës së lindjes së saj, babai i Marias ndryshoi mbiemrin e familjes në Callas.

Maria ishte më e vogla e tre fëmijëve, motra më e madhe, Jackie, ishte lindur më 1917 dhe vëllai i saj Vasilis lindi më 1920. Maria nuk e njohu kurrë vëllain e saj, por ishte e destinuar të jetonte në hijen e tij në pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj. Vassilis vdiq më 1922 nga meningjiti. Prindërit e saj, të dëshpëruar për një tjetër djalë, shkuan aq larg sa të këshilloheshin me astrologë që t’i këshillonin se kur mund të ishte koha më e përshtatshme për të ngjizur djalë.1200px-Maria_Callas_(La_Traviata)

Kur Maria lindi, e ëma ishte aq e shqetësuar dhe e zhgënjyer, sa refuzoi ta shihte vajzën e vogël për katër ditë. Ndoshta edhe për shkak të këtij fillimi, marrëdhënia e Marias me të ëmën ishte e përçarë dhe e mbushur me vështirësi. Maria vetë e përmbledh më mirë situatën kur thotë: “Motra ime ishte elegante, e bukur dhe miqësore dhe nëna ime preferonte më shumë atë. Unë isha rosa e shëmtuar, e shëndoshë, e plogët dhe jopopullore. Është mizore të bësh një fëmijë të ndihet i shëmtuar dhe i padëshiruar…

Nuk do ta fal kurrë që më largoi tutje fëmijërinë. Gjatë gjithë viteve mund të kisha luajtur dhe të isha rritur, unë isha duke kënduar ose duke bërë para”. Kjo fëmijëri e palumtur ishte shoqëruar edhe me martesën e shkatërruar të prindërve të saj. Ata u divorcuan më 1937, kur Maria ishte 13 vjeçe.

Megjithatë, është diçka për të cilën duhet t’i jemi mirënjohëse nënës së Marias , insistimit të saj, pavar- ësisht nga mungesa e parave, që Maria duhej të merrte një edukim muzikor, pavarësisht motiveve pse Litza e bëri diçka të tillë.

RRITJA E DIVËS

Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të hyrë në Konservatorin e Athinës, e ëma e Marias arriti të bindë Maria Trivella të dëgjonte të bijën e saj duke kënduar. Trivella u impresionua shumë nga zëri i Marias dhe ra dakord ta më- sonte atë jashtë çdo detyrimi financiar. Trivella siguroi shpejt se zëri i Marias ishte ai i një sopranoje dramatike, jo një “contralto”, siç ishte besuar më parë.

Ajo do të shprehej më vonë për Marian se ishte: “Një studente model. Fanatike, e pakompromis, që i dedikonte studimeve të saj zemrën dhe shpirtin. Progresi i saj ishte fenomenal. Ajo studionte pesë ose gjashtë orë në ditë. Brenda gjashtë muajve, ajo këndonte ariet më të vështira të repertorit të operës ndërkombëtare me muzikalitetin më të madh”.

Elvira de Hidalgo, soprano e famshme spanjolle, do të bëhej mësuesja e saj e ardhshme dhe që do të luante një “rol thelbësor” në zhvillimin artistik të Callas. Ndërsa ishte akoma studente, Callas siguroi një numër të vogël rolesh, shumicën falë lidhjeve të De Hidalgos. Që atëherë, asaj nuk i munguan kurrë angazhimet, duke punuar në mënyrë të qëndrueshme në produksionet operistike greke, derisa mori vendimin e guximshëm, në fund të luftës, që të kthehej në SHBA për të jetuar me të atin.

DASHURIA ME ONASSIS, BURRIN E SHËMTUAR QË I SHKATËRROI JETËN

Jeta e Callas u bë burim lajmesh për tabloidët dhe, mbase në mënyrë të padrejtë, ajo u bë viktima e shpifjeve të shtypit. Në mënyrën e saj karakteristike elegante, Callas do t’i përgjigjej këtij trajtimi nga shtypi me fjalët: “Nuk jam engjëll dhe nuk pretendoj të jem.

Nuk është një nga rolet e mia. Por nuk jam as djall. Jam grua dhe artiste serioze dhe dëshiroj të gjykohem si e tillë”. Vëmendja e shtypit u rrit edhe më shumë, kur Callas takoi manjatin e fuqishëm të anijeve, grekun Aristotle Onassis, në 1957. Çifti kishte shumë të përbashkëta, të dy kishin lulëzuar nga fillime të pasigurta në Greqi, duke kaluar shumë pengesa për të arritur majën e profesioneve që kishin zgjedhur. Maria, më në fund, “iu nënshtrua” Arit dhe ajo e la bashkëshortin e saj prej dhjetë vitesh në vitin 1959. Marrëdhënia e saj me Onassis koincidoi me një periudhë vështirësie profesionale në rritje. Kjo, shoqëruar me trajtimin e varfër nga shtypi, e bindi Callas të hynte në një periudhë gjysmëpushimi.Maria Callas smoking

Me besim në marrëdhënien e saj me Onassis, ajo dukej e lumtur të hiqte dorë nga karriera e saj dhe të fokusohej në marrëdhënien e tyre. Nuk ka dyshim se Onassis ishte pasioni i madh i jetës së Marias, ajo e deshi atë thellësisht. Ka pasur shumë spekulime lidhur me dëshirën e Marias për të pasur një fëmijë me Arin. Disa kanë thënë se Onassis e ka ndaluar këtë (duke e detyruar Marinë të bëjë të paktën një abort), ndërsa të tjerë (përfshirë ish-burrin e saj), thonë se Callas nuk mund të kishte fëmijë, ndërkohë që më shumë miq hedhin idenë se Maria lindi një fëmijë sekret nga Ari, i cili vdiq që kur ishte foshnjë.

Ne kurrë nuk do të dimë të vërtetën mbrapa këtyre thashethemeve, megjithatë shumica e tyre përkundin idenë e imazhit të Callas si viktimë tragjike e rrethanave. Maria dhe Aristotle nuk u martuan kurrë. Disa mendojnë se Onassis nuk kishte dëshiruar kurrë të martoheshin, ndërsa të tjerë janë të bindur se marrëdhënia e tyre e paqëndrueshme dhe grindjet shpërthyese i kishin ndaluar përherë të shkonin deri në momentin e fundit. Pavarësisht kësaj, ata mbetën çift dhe dukshëm të devotshëm ndaj njëri-tjetrit për nëntë vjet.

Në 1968, Callas mbeti tërësisht e shkatërruar kur Onassis e flaku mënjanë për t’u martuar me Jacqueline Kennedy. Ishte një plagë prej së cilës ajo nuk e mori kurrë veten. Në 16 shtator 1977, Maria Callas vdiq nga një atak në zemër, kur ishte vetëm 53 vjeçe. Ky ishte akti i fundit i “interpretimit” të heroinës tragjike. Nëse disa shohin si triumfe të saj interpretimet e Violetta-s, Tosca-s dhe Normas, duhet të kenë parasysh se edhe jeta e saj, në fund ishte e ngjashme me ato të heroinave të veta, një jetë jo e zakonshme.

Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura