Margarita Tutulani, nga moda te letrat anonime të dashurisë

Dec 21, 2014 | 11:25
SHPËRNDAJE

Margarita Tutulani me shoqet e saj
Letrat që Margarita ia dërgonte shoqes së saj Vera, katër vjet para se të pushkatohej. Cila ishte vajza e re që dashuronte librat, poezinë dhe muzikën. Ndjesitë dhe mendimet e saj për ushtarët italianë dhe luftën, pa u bërë ende pjesë e lëvizjes antifashiste  

Ata që e kanë njohur e kanë përmendur dhe e kujtojnë si një ndër vajzat më të bukura të viteve ’30-’40 në Shqipërinë e asaj kohe. Një vajzë që i pëlqente të lexonte letërsi të mirë, që lexonte në frëngjisht, shkruante poezi dhe dëgjonte Shubertin apo Ave Marinë…  Megjithatë, kur përmendet Margarita Tutulani, më shumë se për të gjithë këto, së pari sillet ndërmend për historinë e dhimbshme që shenjoi fundin e jetës së saj. Pjesëmarrëse në luftën kundër pushtimit fashist dhe çlirimit të vendit, Margarita dhe vëllai i saj, Kristaq Tutulani, përkatësisht 19 dhe 24 vjeç, do të pushkatoheshin në vitin 1943 në një vrasje që ka mbetur mister edhe sot. Për ekzekutimin e tyre janë përfolur emra të figurave kryesore komuniste në Shqipëri, një ndër të cilët është ai i Ramiz Alisë, si një tradhtar i mundshëm që çoi në vdekje dy të rinjtë. Megjithatë, në këto rreshta, ne nuk do të përpiqemi të zbulojmë mbi vrasjen e trishtë të Tutulanëve. Por të rrëfejmë diçka më tepër nga jeta prej vajze e Margarita Tutulanit në moshën 15 vjeçare. Ajo zbulon një pjesë të botës së saj përmes një letërkëmbimi me atë që e quan “shoqe të shpirtit”, Vera. Më poshtë po sjellim pjesë nga letërkëmbimi mes tyre i mbajtur gjatë vitit 1939 (Dosja 73, AQSHF- Letra të Margarita Tutulanit dërguar një shoqeje të shkollës (Vera Malos sot)), ku Margarita i flet shoqes së vet për fustane, pushimet, librat, muzikën, ndonjë ngacmim të moshës, por edhe i jep përshtypjet e veta për italianët që në atë kohë pushtuan Shqipërinë, duke i quajtur “këmishëzinjtë”. Në këtë letërkëmbim ajo përmend disa herë edhe shoqe të tjera të saj, mes të cilave shfaqet së shumti edhe emri i Ramize Gjebresë (Ramo, siç e quan ajo)…

Berat 16-10-39
Fort e dashura Vera! Letrën tënde e mora para 4-5 ditëve dhe u gëzova fort që je mirë dhe se dëfrehe mjaft. Dje u kthye Kristaqi prej Tirane ku ndenji një javë tek Meksi për disa punë. Ai më foli për lëvizjen elegancën e lirin (e vajzave) e tepruarshme t’atyshme. Sigurisht tashti janë shtuar kandidatët bukurosh e simpatik. Pse mos të bëjnë… Këtu Vera është qetsi. Si gjithmon Berati është i fjetur e i qetë por i ëmbël e i dashur për mua. Jeta pothuaj monotone. … Dje pas darke shkova tek Ramua. Ajo kishte ardhur në Tiranë disa ditë. … Kur të takohemi do të kallxoj një aventurë të Lejlës me nji oficer italjan. Iu ka marrë koka erë. Kristaqi ishte pjekur me shumë shokë aty të cilët i kishin kallxuar vajzat më të bukura të Tiranës si: Nerminin, Verën, Lejlën, (emër që nuk deshifrohet), Panon e Vitoren. … Jam habitur fort për një letër dashurie të zjartë që kam marrë nga nji djalë i cili s’ka shkruar as embrin në fund. Gjëra të çuditëshme e të pa pëlqyera ose më mirë të vështira për mua. Atë mbrëmje s’hëngra bukë nga inati. Cili është ky hajvan që më prish qetsin?…

“Berati, qyteti i burrave”
“Fort e dashur Vera. Jam fare mirë”, kështu e fillon një letër të saj, Margarita Tutulani, ndërsa i flet gjatë për shumë gjëra nga e përditshmja e saj, veshjet e reja, modele fustanesh etj. Duket që shkolla sapo ka përfunduar dhe Margarita ka vetëm pak kohë është kthyer në qytetin e saj të lindjes, në Berat, ndërsa Vera vazhdon të jetë në Tiranë. “Kur erdha këtu në Berat asnjë grua e re nuk shifej. Thashë se do të mbyllesha në shtëpi kësaj vere. Kjo gjë të them të drejtën nuk më dëshpëroi as pak se nuk do të mundja të dilnja ose më mirë të shifja e të më shifnin… (si mendojnë shumë vajza), por mbasi nuk do të mundja të vija tek Ramizeja. Në rrugët nuk shifeshin veç burra e djema dhe unë një ditë (ndërsa rrinja në dritare) e quajta Beratin qytetin e burrave. Por për çudin e të gjithëve dje (ishte e djelë) gjithë rrugët e sidomos parku u mbush plot gra të reja e vajza. U çudita fort për këtë mbasi dualën që të gjithë përnjëherë sikur ta kishin bërë me fjalë. Dola dhe unë por von mbasi më kishin ardhur disa njerëz.”

“Italianët këmishëzinj janë budallenj”
Më tej ajo flet edhe për ushtarët italianë, që janë të shumtë në rrugët e Beratit dhe jep mendimin e tyre për ta, ndërsa i quan “këmishëzez dhe budallenj”. “Dola me Kristaqin nga ora 4-1/2-8; Këtu kanë ardhur shumë ushtar Italian e është për tu çuditur se të gjithë janë këmishëzezët e Duçes. Nuk shifet asnji ushtar tjetër përveç tyre. Pas dreke janë të lirë dhe gjithë rrugët mbushen syresh. Unë s’di si ti quaj këta njerëz kur ecin si budallenj duke kënduar për Duçen që të gjithë (shën. Red.: fjalë që nuk kuptohet mirë). Me gjithë këtë tashti s’bëjmë asgjë mbasi e panë se me cilë njerëz kishin të bënjin. Gjithashtu ka dhe shumë oficerë. Të gjithë janë djem të rinjë. Edhe këta këmishë zezë… Tek Ramizeja nuk kam vajtur fare.”

Berat I-VII-39
Dje u takova me Ramon. Ajo më tha se asaj ia kishte marrë një kushëri dëftesën e semimaturës nga shkolla e i kishte ardhur. U çudita fort kur tha se matematikën e kishte marrë nëntë. … E motra e Liris Papa që është këtu kur erdhi tek ne më tha se Nezehatin nuk e le babai të dalni as te porta. Asaj i kishte thënë një shoqe e Nezehatit që rri pran sajë. E mjera vajzë!… Ekzistojnë akoma tipa anadollakë fanatic në botën t’onë.
 
Letër tjetër
“A ke frikë nga lufta?”
Dje erdhëm këtu në Berat. Qemë pothuaj familja e fundit nga gjithë t’ardhunit e Verës mbasi të gjithë u alarmuan nga lufta dhe ikën për në familjet e tyre. … Vera a ke frikë nga lufta? Sot do të shkoj të takohem me Ramon. Ke marë letër nga Nezua? Nexhi a Hana a janë aty? Oh Vera! Kjo letër mund të jetë e fundit që po të shkruaj. Mendo se ndoshta nuk do të shihemi më. Kush e di se ku mund të na shpjerë kjo luftë? Por le të shpresojmë se do të shifemi ndonjiherë në mos tashti më vonë ndonj ditë kur do të kemi ndryshuar mjaft e s’do të njifemi më. Por gjithmon le të shpresojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura