Maqedonia kërkon ekstradimin e Gruevskit, Hungaria i jep azilin dhe e mbron

Nov 21, 2018 | 13:27
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski fitoi azil politik nga Hungaria, për çka dje pasdite informoi në një status në profilin e tij në Fejsbuk. Njëkohësisht, autoritetet e vendit dërguan kërkesë për ekstradim, me shpresë se Hungaria do ta dorëzojë Gruevskin në Maqedoni.

Në statusin pas marrjes së azilit Gruevski, mes tjerash, thotë se e ka kërkuar për shkak të persekutimit politik nga qeveria e re e kryesuar nga LSDM-ja, e cila siç potencoi ai, ka dashur që ta privojë nga liria duke shfrytëzuar hapa dhe metoda jodemokratike dhe duke keqpërdorur sistemin e prokurorisë dhe gjyqësisë në Maqedoni dhe se për këtë ka dhënë dëshmi.

Ai potencon se me kërkesën për azil ka bërë të ditur edhe se ka pasur kërcënime me jetë dhe se ka ekzistuar mundësia për likuidimin e tij në burgjet e Maqedonisë.

Pas publikimit se Gruevski ka marrë azil nga Hungaria, u prononcua edhe Qeveria e Maqedonisë. Prej atje presin që autoritetet në Budapest pa kushtimisht do ta pranojnë kërkesën për ekstradim dhe do të sigurojnë kthimin e Nikolla Gruevskit në Maqedonia me qëllim që ta vuajë dënimin me burg  dhe të japë llogari për veprat e tjera për të cilat akuzohet. Nga Qeveria theksojnë se Gruevski është dënuar në proces publik dhe transparent dhe mohojnë se ai në çfarëdo situate ka denoncuar kërcënime për jetë.

“Nikolla Gruevski është dënuar me aktvendim fuqiplotë në proces publik dhe transparent, ndërsa njëkohësisht kundër tij po zhvillohen edhe disa procedura të tjera gjyqësore, hetime dhe një procedurë tjetër parahetimore. I dënuari Nikolla Gruevski ishte nën mbrojtje policore në pajtim me të drejtat që i takojnë si ish-kryeministër dhe ai në asnjë rast nuk ka paraqitur kërcënime për jetën e tij”, ceket në kumtesën nga shërbimi qeveritar për shtyp.

Kundër Gruevskit, siç shtohet në kumtesë, asnjëherë nuk është zhvilluar kurrfarë ndjekje politike dhe nuk janë evidentuar kurrfarë kërcënime për jetën e tij, as ndërkaq cili do institucion qeveritar ka kërcënuar jetën e tij. “Nga këtu konstatojmë se qëllimi i vetëm i Gruevskit është evitimi i drejtësisë”, shtohet në kumtesë.

Ministria e Drejtësisë dje pasdite kumtoi se e kishin dërguar kërkesën për azil për ekstradim të ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski deri te Ministria e Drejtësisë së Hungarisë.

“Kërkesa për ekstradim i referohet vendimit të plotfuqishëm të shqiptuar në afat prej dy vjetësh dhe për katër procedura penale që gjenden para gjykatave të Maqedonisë, ndërsa theksohet se ndaj tij zhvillohen edhe katër hetime si dhe një procedurë parahetimore ku organet kompetente mund të fillojnë edhe procedura gjyqësore në varësi nga hetimi”, thuhet në komunikatë.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska paraprakisht deklaroi se krahas dokumentacionit për lëndën “Tanku” në të cilën Gruevski dënohet me burg prej dy viteve, autoriteteve hungareze me kërkesën për ekstradim do t’iu dorëzohen dokumente edhe për të gjitha akuzat dhe procedurat hetimore që zhvillohen kundër tij.

Ajo vlerëson se ka bazë juridike për ekstradim të Gruevskit dhe pret që ai të ekstradohet./MIA/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura