Maqedonia e Veriut shënon rekord, 40 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Nov 16, 2020 | 20:18
SHPËRNDAJE

Maqedonia e Veriut të hënën ka regjistruar 40 të vdekur me koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen COVID-19, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik. Kjo është shifra më e lartë me të vdekur brenda një ditë që nga paraqitja e virusit korona në këtë vend, në shkurt të këtij viti.

koronavirus

Viktima janë; Shkup (10), Prilep (5), Gostivar (3), Manastir (3), Shtip (3), Veles (3), Kumanovë (2), Strugë (2), Kavadar (2), Kërçovë (2) dhe nga një në Sveti Nikollë, Tetovë, Dojran, Strumicë dhe Krushevë.

Numri i përgjithshëm i viktimave të regjistruar me COVID-19 ka arritur në 1.345 persona, shumë prej të cilëve janë nga Shkupi.

Sipas raportit, janë regjistruar 591 persona të infektuar me COVID-19 ndërsa 439 të tjerë janë shëruar. Të dhënat i referohen testimit të 1.683 mostrave në të gjithë laboratorët publik e privat.

Aktualisht në Maqedoninë e Veriut me koronavirusin e ri janë diagnostikuar 47.636 persona, prej tyre 27.803 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 18.488 persona.

Në klinikën për sëmundje infektive dhe spitalet tjera të vendit janë duke u trajtuar mbi 500 persona, shumë prej të cilëve janë në terapi oksigjeni. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur transferimin edhe të disa klinikave tjera në qendra për sëmundjen COVID-19 si dhe shpërndarjen e testeve të shpejta në gjashtë qytete tjera, përveç se në Shkup.

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të hënën ka diskutuar për gjendjen epidemiologjikë në Maqedoninë e Veriut dhe nuk ka dalë me propozim masa të reja kufizuese me arsyetimin se masat që janë në fuqi janë të mjaftueshme, por që duhet të respektohen nga qytetarët.

Në fuqi mbeten masat si ndalimi i grumbullimit të më shumë se katër personave gjatë gjithë ditës, si dhe ndalimi i punës së objekteve gastronomike pas orës 21:00./ rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura