MAQEDONI/ Rreth 100 mijë protestues në shesh kundër Gruevskit, lideri i opozitës dhe mijëra qytetarë ngrenë çadrat në qendër të Shkupit

May 17, 2015 | 19:14
SHPËRNDAJE


UPDATE/ 
Mijëra protestues mbushën sheshin qendror të Shkupit pasditen e së dielës në Maqedoni, në protestë kundër qeverisë dhe kryeministrit Nikola Gruevski. Lideri i opozitës Zaev deklaroi se bashkë me rreth 5 mijë protestues do të ngrenë çadrat në qendër të Shkupit deri në largimin e Gruevskit. Mësohet se kësaj nisme i janë bashkuar shumë protestues dhe sipas raportimeve të mediave maqedonase dhe kosovare, ka filluar edhe ngritja e çadrave në qendër të kryeqytetit. 

Foto nga protesta e opozites ne Maqedoni

 Ora 18:04
Pas protestës së mbajtur në Maqedoni, përfaqësues të opozitës thanë se me ngjarjet e ndodhura pasditen e së dielës, kryeministri Gruevski është i shkarkuar nga populli. Sipas opozitës, mbetet për t’u parë mënura se si ai do të dorëhiqet. 

Ora 17:10
Kryetari i opozitës Zoran Zaev në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Gruevski dhe Këshillit Drejtues të Radio Televizionit të Maqedosisë. Lideri i opozitës kërkoi edhe një spastrim të listave zgjedhore. “Dëshiron, apo nuk dëshiron Gruevski e ka patjetër të jep dorëheqje. Bashkë me të edhe bashkëpunëtorët tjerë të këtij regjimi. Duhet të formohet qeveri kalimtare e cila do të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Duhet të azhurohet lista zgjedhore, të gjitha mekanizmat shtetërore të kthehen në funksionim normal. Duhet ët krijohet ambient normal mediatik. Kemi ardhur këtu dhe nuk largohemi pa e kthyer Maqedoninë në situatë normale”,-tha Zaev. Sipas tij, Gruevski ka bërë pazare të fshehta në kurriz të Maqedonisë. 

Lideri i opozites, Zaev

 

 Ora 16:20

Sipas mediave maqedonase dhe kosovare, zëdhënësi i partisë opozitare LSDM, Patar Shillegov, ka deklaruar se në protestë marrin pjesë mbi 100 mijë protestues. “Dorëheqja nuk është larg dhe populli do të qëndrojë këtu”. Mësohet se përfaqësuesit e opozitës janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në protestë, ndërsa pjesë e saj janë bërë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Maqedoni. 

 Ora 15:34 

Kreu i opozitës maqedonase Zoran Zaev u prit me brohorima nga të pranishmit në protestën antiqeveritare.

 
 

Ora 15:00

Një studente shqiptare mbajti fjalim në protestën e sotme në Shkup ka thënë se më kurrë qytetarët e Maqedonisë nuk do të votojnë për një qeveri që vret qytetarët e saj. “Kurrë më Qeveri vrastare”, ka thënë ajo, duke marrë brohoritjet e të pranishmëve.

Në fund të fjalës ajo përshëndeti në shqip, në gjuhën maqedonase dhe turqisht për të treguar se studentët dhe të rinjtë duan një shtet multietnik në paqe dhe harmoni.

Ora 14:35

“Dorëheqja e Qeverisë është kërkesa kryesore, numër i madh i shqiptarëve po e përkrahin protestën, kjo protestë është mbipartiake, së bashku do të luftojmë për një shtet të barabartë për të gjithë, do të qëndrojmë këtu deri në doëheqjen e Qeverisë, deklaroi për “Lajmpress” funskionari i lartë i LSDM-së, Edmon Ademi. 

Ora 14:00

Reporteri i “Lajmpress.com” dhe shumë të tjerë, ankohen se në vendin e protestës para Qeverisë po edhe më larg, nuk ka rrjet 3G dhe 4G.

Kjo është si masë e qeverisë për të ndaluar gazetarët që të transmetojnë fotot në redaksitë e tyre.

Ora 13:40

Mijëra protestues kanë nisur protestën e opozitës nga kompleksi i gjykatave në Shkup dhe për momentin protestuesit janë duke ecur kah qendra “Mavrovasja”, në drejtim të objektit të Qeverisë, transmeton gazeta KOHA.

Protesta e opozites sot ne Shkup

Në duart e protestuesve shihen të ngjitur flamur shqiptarë, maqedonas dhe turq por edhe të nacionaliteteve të tjera. Në rrugë e sipër protestuesve u bashkëngjiten qytetarë të tjerë, ndërsa dëgjohen brohoritma “Dorëheqje”, kurse protestuesit mbajnë edhe pankarta me këtë kërkesë.

 Ora 13:25

Nëpër rrjete sociale dhe portale po publikohen autobusë të stërmbushur me qytetarë teksa shkojnë në protestën e cila do të fillojë prej orës 14:00, por si duket Policia e Maqedonisë po bënë çdo gjë që të pengojë qytetarët që duan t’i bashkohen protestës, transmeton Indeksonline.

Në disa fotografi që ka siguruar Indeksonline, shihen rrugët e bllokuara nga kamionë të shumtë të cilët sipas informatave janë porositur nga Qeveria e Gruevskit për të penguar qytetarët për t’iu bashkuar protestës.

Kamion qe bllokojne rrugen per ne Shkup

Ora 13:09

Qytetarët po mblidhen para Qeverisë së Maqedonisë, të protestojnë të gjithë të bashkuar kundër qeverisë Gruevski, transmetn “Lajmpress.com.” Në këtë foto shihet flamuri shqiptar bashkë me atë maqedonas. 

Flamuret e Shqiperise dhe Maqedonise bashke ne protesten e opozites

Ora 13:00

Rreth 700 qytetarë janë nisur nga Tetova për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Sipas tyre problemi i vetëm është fakti që policia po i filmon me kamera protestuesit. 

Ora 12:31  

Autostrada Kumanovë-Shkup ka trafik automjetesh të qytetarëve që janë nisur për të marrë pjesë në protestën para qeverisë në Maqedoni, raporton “Lajmpress”.

Automjete drejt Shkupit

 Ora 11:26 

Për shkak të protestave mbarë-popullore në Shkup, ambasadorë dhe ish-ambasadorë të huaj do të jenë në radhët e para të protestës, raporton “Indeksi”.

Ora 10:48  

Sipas mediave maqedonase policia po ndalon autobusët dhe furgonët të cilët prej mëngjesit po transportojnë qytetarë që janë nisur për në Shkup për të marrë pjesë në protestë.

Pamje nga postblloqet e policisë

Qytetarët që janë nisur nga Dellçeva dhe Kamenica ankohen se policia i ka vendosur disa post blloqe në rrugë dhe po i ndalon për të kryer kontrolle. 

Ora 10:02

Daljen në protesta për rrëzimin e Gruevskit raportohet se e mbështet edhe Qeveria e Shqipërisë edhe kjo e Kosovës, raporton “Express”.

Sot, bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonët, për herë të parë, pritët të dalin në rrugë për një kauzë të njëjtë: rrëzimin nga pushteti të Kryeministrit autoritar, Nikola Gruevski, i cili dyshohet për shumë krime të kryera gjatë qëndrimit të tij në krye të Qeverisë. Gazeta Express raporton se ka mësuar se shqiptarët e atjeshëm tashmë kanë marrë instruksionet e duhura prej qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që të janë pjesë e protestës.

Shqiptarë në protestë

Ora 09:32

Sipas mediave në Maqedoni në protestë pritet të marrin pjesë mbi 300 mijë protestues nga të gjitha qytetet e vendit.

Foto ilustruese

Sipas “INA”-s mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase dhe shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë protestë që nis në ora 14:00.

Sakaq Drejtues lokal të opozitës kanë theksuar se kanë probleme dhe pengesa në transportimin e protestuesve drejt Shkupit.

Protesta do të organizohet para Qeverisë, ndërsa lideri i opozitës Zoran Zaev ka theksuar se nuk do tërhiqen nga protestat dhe do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë, deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.

Forca të mëdha policore kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërsa edhe opozita maqedonase ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Raportohet se në protestën e opozitës do të marrin pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni, ish-ambasadorë të vendeve evroperëndimore, eurodeputetë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtar, të cilët përkrahin përpjekjet e opozitës për rikthimin e demokracisë dhe besimin tek institucionet, pas aferës së përgjimeve, e cila nxjerrë në sipërfaqe kontrollin e fuqishëm të shtetit nga ana e klikës aktuale shtetërore.

Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE për të hënën ka paralajmëruar një kundër protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe siç thuhet tentimin e saj për të destabilizuar vendin, raporton “INA”.

***
Tubimi pason muaj të akuzave se Gruevski ka abuzuar me pushtetin e tij. Përgjimet e publikuara tregojnë ministra duke bërë komplot për manipulimin e votave dhe mbulimin e një vrasje. Javën e kaluar dy ministra dhe kreu i shërbimit informativ dhanë dorëheqjen.

Krerët e opozitës thanë se shefi i Inteligjencës Sasho Mijalkov dhe ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska ishin prapa përpjekjeve për të kontrolluar median, gjyqësorin dhe zyrtarët duke përgjuar telefonat e tyre.

Megjithatë, qeveria mohon akuzat dhe këmbëngul se opozita po përpiqet të destabilizojë vendin në favor të saj. Qeveria po organizon një kundër-demonstratë të hënën.

Paqëndrueshmëria politike në Maqedoni vjen teksa vendi përballet me pasojat e përleshjeve fundjavën e kaluar në mes të shqiptarëve etnikë dhe policisë. Katërmbëdhjetë shqiptarët etnikë dhe tetë policë janë vrarë në luftimet që pasoi bastisjet e policisë në një lagje shqiptare në qytetin verior të Kumanovës.

Shqiptarët etnikë përbëjnë një të katërtën e 2.1 milion banorëve të Maqedonisë. Udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev ka lëshuar një sërë regjistrimesh që nga muaji shkurt. Partia e tij akuzon qeverinë se ka përgjuar 20.000 njerëz, duke përfshirë politikanët, gazetarët dhe udhëheqësit fetarë. Ai thotë se rezultatet e regjistrimeve zbulojnë korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë, duke përfshirë keqmenaxhimin e fondeve, ndjekje penale të dyshimta të kundërshtarëve dhe madje edhe mbulim të vrasjeve. Ai apelon që kryeministri të japë dorëheqjen dhe të thërrasë zgjedhje të reja.

Partitë e opozitës kanë bojkotuar parlamentin që kur akuzuan koalicionin qeverisës për mashtrim në zgjedhjet e prillit 2014.

Por zoti Gruevski, i cili ka fituar zgjedhjet e njëpasnjëshme që nga viti 2006, ka refuzuar në mënyrë të përsëritur akuzat. Ai e ka akuzuar zotin Zaev për orkestrimin e një grushti shteti, me urdhër të agjencive të paidentifikuar të inteligjencës së huaj, të cilët dëshirojnë të përmbysin qeverinë e tij konservatore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura