Maqedoni, Qeveria në “rrezik” nga Ligji i Gjuhëve

Mar 8, 2018 | 12:04
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Maqedonisë ka dështuar të miratojë ligjin për gjuhët, i cili ishte parakusht për koalicionin qeveritar mes LSDM-së së Zoran Zaev dhe partive shqiptare, duke krijuar një krisje në koalicion.

zaev-ahmeti-640x510

Edhe pse Kryeministri Zaev ka mohuar të ketë ndonjë përplasje apo rrezik të shpërbërjes së koalicionit, deputetë shqiptarë në Kuvend i kanë quajtur lojëra të LSDM-së të gjithë devijimet që po i bën ligjit për gjuhët, i cili zyrtarizon gjuhën shqipe në Maqedoni. Kundërshtarët më të fortë të këtij ligji janë deputetët dhe aktivistët e VMRO-DPMNE-së.

Lideri i kësaj partie të drejtuar dikur nga ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, pritet të mbajë një takim me kreun e LSDM-së. Takimi i Hristijan Mickoski dhe Zoran Zaev nuk konfirmohet, por as mohohet nga subjektet politike, sipas mediave në Maqedoni. Takimi ka synimin që të gjejë një konsensus në mënyrë që ligji të miratohet.

Partisë opozitare VMRO-DPMNE nuk i leverdis një koalicion i shëndetshëm qeverisës dhe përçarja e tij për shkak të ligjit të gjuhëve, mund të nxisë edhe zgjedhje të reja dhe të ndezë shpresat e tyre për t’u kthyer në pushtet.

Zaev i ka hedhur poshtë zërat se ligji për gjuhët ka vendosur në krizë koalicionin qeveritar. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se “shumica parlamentare ishte e njoftuar për mënyrën e veprimit tim, respektivisht votimin e ligjit pa shqyrtuar asnjë nga 35 mijë amendamentet e VMRO-DPNE-së”.

Partia opozitare VMRO-DPMNE pretendon se ligji është antikushtetues. Xhaferi beson se ndryshimi i qëndrimit të LSDM-së për miratimin e ligjit ka ardhur si pasojë e kërcënimeve të adresuara ndaj tyre nga partia e Mickoskit.

“Opozita ka kushtëzuar LSDM-në, se nëse tejkalohet ligji i gjuhëve në formën për të cilën unë kam njoftuar, atëherë opozita do të shkë- putet nga bashkëbisedimi dhe do të bojkotojë të gjithë procesin reformues”, ka thënë Xhaferi duke shtuar se “unë nuk pres që opozita të më duartrokasë për atë punë”. Ndërkohë, deputeti shqiptar që për pak humbi jetën nga dhuna e aktivistëve të VMRODPMNE-së në zgjedhjet e fundit, Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, i ka quajtur lojëra veprimet e partnerëve të koalicionit.

Sela kujton se qeveria aktuale u formua mbi kushtëzimin për miratimin e ligjit për gjuhët. “Këto lojëra politike të LSDM-së më ngjajnë me kthimin e saj në identitetin e saj dhe burimin e saj. Ky ligj për përdorimin e gjuhëve është dashur të sillet që në vitin 2004 si pjesë normative e Marrëveshjes së Ohrit. Ishte pikërisht LSDM me BDI— në që nuk e sollën këtë ligj asokohe”, tha Sela. Sipas tij, në këto raste, partneri shqiptar në koalicion me LSDM-në duhet të shqyrtojë pozicionin e tij në pushtet.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura