Maqedoni e Veriut, masa më të ashpra për koronavirusin

Apr 13, 2020 | 20:45
SHPËRNDAJE

Pas një fundjave të cilën e kaluan në izolim të plotë, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të përballen me masa edhe më të ashpra nga e premtja që vjen.

B25DB3B3-E189-4CD2-BCFA-22D79E551A88_w1023_r1_s

Qeveria në Shkup ka vendosur që të shtrëngojë edhe më tej lëvizjen e qytetarëve në përpjekje për ta penguar përhapjen e koronavirusit. Ndalim-qarkullimi, që për çdo ditë zbatohet nga ora 16:00 deri në 5:00 të mëngjesit të ditës në vijim, nga e premtja në 16:00 do mbajë në shtëpitë e tyre deri të martën 21 prill në orën 5:00, të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Kjo për shkak të Pashkëve ortodokse që bien të dielën më 19 prill. Po ashtu, nga e enjtja që vjen ndalohet dalja dhe shëtitja nëpër parqe dhe pyje deri më 21 prill.

Ndërkaq, për personat e moshës mbi 67 vjeç mbetet në fuqi ndalim qarkullimi për çdo ditë pune nga 12 orë deri ditën e radhës në 10 orë, teksa për të rinjtë e moshës deri 18 vjeç, nga 15 orë deri ditën e radhës në 13 orë.

Më tepër se dy persona nuk lejohet të mblidhen nëpër vende publike përveç nëse janë fëmijë nën 14 vjeç të shoqëruar nga prindërit. Por, rëndom këto masa nuk zbatohen dhe policia ndëshkon vetëm grupe të vogla apo individë. Gjobat janë të larta, shpesh deri në 2 mijë euro.

Bujqit kanë leje qarkullimi vetëm brenda fshatrave të tyre ose deri tek arat e tyre. Farmacitë lejohen të punojnë pa pengesa, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se po përgatit një plan për veprimtarinë pa pushim të institucioneve shëndetësore.

Maqedonia e Veriut qëndron në një pozitë të palakmueshme në rajon për sa i përket ballafaqimit me COVID-19. Vetëm të hënën kanë vdekur 4 persona dhe janë konfirmuar 28 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 854. Ndërsa numri i viktimave ka arritur në 38. Sipas statistikave zyrtare, deri tani janë shëruar 44 pacientë.

Autoritetet qeveritare kanë shfuqizuar gjendjen e emergjencës në komunat e Dibrës dhe Qendrës Zhupë që ishin vënë pikërisht një muaj më parë. Në Dibër nuk është shënuar ndonjë rast i ri me koronavirus në dhjetë ditët e fundit dhe prej sot në Dibër dhe Zhupë do të vlejnë masat e njëjta shtënguese si në të gjithë vendin. Nga 49 pacientë të konfirmuar në këtë zonë, 4 kanë vdekur, 16 janë shëruar, për 8 persona priten rezultatet dhe 29 të tjerë ndodhen në izolim dhe trajtim shtëpiak.

Autoritetet qeveritare kanë lëshuar në përdorim një aplikacion “Stop korona” me të cilin synojnë të ndjekin kontaktet që kanë patur të sëmurët nga koronavirusi. Aplikacioni duhet t’u japë përgjigje të shpejta punonjësve shëndetësorë se me cilët persona kanë patur kontakte të prekurit e rinj nga virusi dhe kjo do tua lehtësonte punën epidemiologëve në realizimin e anketave epidemiologjike për gjetjen e të prekurve.

Por, për këtë, siç tha Ministri i Administratës Publike, Damjan Mançevski nevojitet përdorimi në masë i aplikacionit nga qytetarët që ai të jetë i efektshëm. Me këtë do t’u vihej në ndihmë punonjësve të shëndetësisë, sipas ministrit, dhe kjo garanton mbrojtjen e plotë të identitetit dhe privatësisë.

Programi nuk përdor emrin apo mbiemrin e përdoruesit të telefonit ceclular, as nuk tregon vendndodhjen e tij/saj, por vetëm kohën dhe kontaktin që ka pasur i sëmuri me COVID-19.

/VOA/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura