Manipulimi me listat e hapura

Sep 30, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

ERGYS MËRTIRI

ergys-mertiri

Debati për listat e hapura po përdoret si zhurmues mediatik për të fshehur thelbin e luftës politike në vend, e cila qëndron pa dyshim te koalicionet. Jo më kot, nga të gjitha variantet që maxhoranca ka propozuar apo diskutuar për këtë çështje, e vetmja gjë që nuk ndryshon është pikërisht heqja e koalicioneve. Kjo mbetet e vetmja shpresë e saj për të mbijetuar, ndaj çdo diskutim përtej kësaj çështjeje është zhvendosje nga thelbi, gjë që e shpie ujin në mullirin e qeverisë.

Situata është paradoksale, pasi, ndër të tjera, për hapjen e listave kanë rënë parimisht dakord të gjitha palët. Është interesante se si mediat prodhojnë debat, pikërisht për atë çështje që ka më pak mosmarrëveshje.

Kuptohet që kjo është e qëllimshme dhe këtu nuk mungon të kontribuojë edhe vetë Kryeministri, duke u kujdesur herë pas here t’i hedhë nga një dru zjarrit, duke nxjerrë propozime të ndryshme variantesh se si këto lista do të hapen.

Është e kuptueshme se Rama nuk ka interes në vetvete për listat. Nëse pranojmë që hapja e tyre bëhet për të sjellë përmirësimin e cilësisë së Parlamentit, ai nuk ka nevojë ta bëjë këtë nëpërmjet këtij mekanizmi.

Në fakt, është pikërisht ai që e ka mbushur Parlamentin me njerëz pa kredenciale politike, kulturore apo intelektuale, shumë prej të cilëve kanë qenë objekt skandalesh për lidhjet e tyre me botën e krimit. Ai nuk ka nevojë të shpikë sisteme për të penguar veten nga zgjedhjet e këqija që bën. Por sigurisht, kjo nuk bëhet as për arsye populiste, siç thonë shumë analistë që spinojnë për llogari të qeverisë. Askush nuk e beson se duke ndjekur këtë kurs, Rama po shfaqet si demokrat. Ideja që ai po e bën këtë për arsye elektorale, pasi kjo është një çështje që sjell vota, nuk qëndron. Me variantin e fundit të propozuar prej tij (që nuk është aspak një listë e hapur), duket qartë se qeveria nuk ka aspak për qëllim të trukojë imazhin e saj.

Sipas këtij varianti, me listë të hapur do të bëhen deputetë vetëm ata kandidatë që kapin më shumë se mesatarja e përgjithshme e votave. Të tjerët do t’i përzgjedhë vetë kryetari. Kjo rrëzon gjithçka. Nëse, bie fjala, vetë Kryeministri kandidon në një zonë me 10 mandate, natyrisht që ai do të fitojë pjesën dërrmuese të votave të partisë së tij.

Nëse ai merr 80 për qind të votave të partisë së tij, mbetet që 9 të tjerët të marrin 20 përqindëshin e mbetur, ku vështirë se dikush mund takalojë pragun e vendosur. Hapja e listave ishte vetëm një pretekst për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit. Qeveria luajti keq në tryezën politike, duke menduar se po ia linte “topin në dorë opozitës”, të cilën e mendoi të kompleksuar nga vetë ulja në tryezë. Por nuk rezultoi kështu. Opozita pranoi kushtet e marrëveshjes dhe gjithçka u mbyll me një dakordësi, çfarë u konsiderua sukses edhe nga ndërkombëtarët. Në këto kushte, Ramës i duhej një alibi për ta prishur këtë marrëveshje dhe për këtë gjeti listat.

Me pretendimin se ato i kërkon populli, ai doli me qëndrimin se vullneti i qytetarëve është përmbi çdo marrëveshje, e madje edhe mbi kushtet e BE-së. Propozimi i opozitës, i cili shkon edhe më larg duke kërkuar lista 100 për qind të hapura, e rrëzoi plotësisht këtë alibi. I kapur në cep, ai po përpiqet të shtyjë përpara vendimin për të prishur koalicionet dhe po debatin mbi listat po e përdor vetëm si zhurmë mediatike, për të kaluar gjithçka me sa më pak kosto, ndërsa reagimet e ndërkombëtarëve vijnë duke u shtuar.

Ideja se Rama po e bën gjithçka për populizëm nuk qëndron më, për sa kohë ofron modele ku listat nuk janë të hapura. Populizmi i duhej si një truk për të fshehur një të keqe edhe më të madhe, por kjo nuk funksionon më. Të vetmet mekanizma që i kanë mbetur janë dhuna dhe prishja e rregullave të lojës, të cilat tashmë po i luan haptas.

Deklaratat ultimative ku ai u kërkon vartësve 74 mandate, – gjejini ku të doni dhe si të doni – është një mesazh i qartë kërcënues i bërë haptas, në sytë e të gjithëve. Gjithçka është në fushën e perceptimeve.

Propaganda qeveritare tashmë po përpiqet të krijojë perceptimin se do ta mbajë pushtetin me çdo mjet, duke tentuar të demotivojë me këtë të gjitha flukset e faktorëve të rreshtuar kundër tij. Krijimi i bindjes se, sido që të jetë, ai do të fitojë, është i vetmi mekanizëm për të mbajtur shtrënguar aparatin e kontrollit mbi zgjedhjet, i cili po i shket duarsh.

Sidoqoftë, të gjitha këto janë shenja se ky pushtet po konsumon edhe gurët e fundit. Kostoja politike e marrë përsipër me prishjen e marrëveshjes tregon se kjo qeveri ka hyrë tashmë në një rrugë pa krye, nga e cila nuk e di as vetë se si do dalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura