Mandati i Kapllanajt/ Zguri i nxjerr “të palarat” Bibës: Erdhe dhe më the, ma kërkoi Taulant Balla

Nov 3, 2017 | 18:34
SHPËRNDAJE

Mbledhja e KQZ-së në të cilën u hodh poshtë kërkesa e anëtarëve të propozuar nga PS për heqjen e mandatit të Agron Kapllanajt, kryebashkiakut të Mallakastrës, nxorri zbuluar një diskutim privat mes kreut të KQZ-së, Klement Zguri dhe nënkryetarit, Denar Biba.

Gjatë mbledhjes, Klement Zguri tha se çështja e Agron Kapllanajt ishte shqyrtuar nga KQZ në mbledhjen e 28.07.2016, e cila drejtohej nga ish kryetarja Lefterije Luzi. Por në këtë mbledhje, anëtarët e tjerë, kanë dakordësuar se për Kapllanajn, Prokuroria nuk kishte kërkuar heqje mandati.

kqz

Sipas kreut të KQZ-së, pas kalimit të aftit, Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba i kishte thënë që ta rihapte çështjen, pasi këtë gjë ia kishte kërkuar Taulant Balla.

Zguri tha në mbledhje se nuk merr urdhra politik nga subjekte politike dhe për këtë arsye nuk pranoi ta fusë në rendin e ditës.

Por Denar Biba e ka quajtur goditje “poshtë brezit“, deklaratat e Zgurit.

Biba tha se në vazhdën se spekulimit, Zguri i kishte thënë se nuk mund ta fuste në rendin e ditës sepse nuk e “lë ai burri(kryetari i partisë).”

Por për Zgurin këto ishin barcaletat e nënkryetarit, kurse Biba i quajti “meseleja me xhixhilera”.
Replikat në KQZ

Klement Zguri: Presion përmes deklaratave politike ndaj një institucioni, dy orë para se të bëhet mbledhja është e pa tolerueshme. Nuk di nëse ka një rast të dytë apo jo. Dy orë para që një organ i pavarur të marrë një vendimmarrje të dal një subjekt zgjedhor dhe ta akuzojë drejtpërdrejtë.

Praktika e KQZ-së në rastet kur dispozitivet e prokurorisë janë negative që nuk detyrojnë heqjen e mandateve, nuk janë futur në mbledhje por thjeshtë janë arshivuar.
Rasti në fjalë që në momentin që më ka ardhur mua i është shpërndarë të gjithë anëtarëve të komisionit pra, kopja e materialit nuk është fshehur por e kanë patur të gjithë anëtarët e KQZ.
Në mbledhjen e 29.07.2016 me të njëjtët pjesëmarrës përjashtuar kryetaren që ka qene zonja Luzi. Kush ka qenë objekt: lista e kryetarëve të bashkive që do të shqyrtohen në këtë mbledhje, në numrin 2 Mallakastra, Agron Faslli Kapllanaj. Është një person që KQZ është shprehur, ka pasur një mbledhje publike të saj, dhe ka pasur një vendimmarrje të saj.

Në relatimin që ka bërë KQZ, kryetarja thotë:

Pra edhe të kjo listë nuk kemi asgjë. S’ka pasur asnjë pretendim. Dhe ne kemi refuzuar të vazhdojmë hetimin për këtë person. E kemi mbyllur. Kolegët e mi e kanë patur materialin që në momentin e parë.

Çfarë ndodhi se hiqemi sikur jemi kaq të pafajshëm, ne një moment përtej afatit 10 ditor, nënkryetari KQZ, Denar Biba që më përmendi dhe emrin, vjen dhe më thotë që Zoti Balla i ka kërkuar nominalisht këtë gjë dhe vjen ma kërkon mua.
Unë urdhërohem dhe nuk marr urdhra nga një subjekt zgjedhor kjo është e vërteta. Nëse subjekti zgjedhor ka patur pretendime nuk mund të thërrasë një anëtar dhe ta mësoje e ta udhëzojë se çfarë duhet të bëj.

Denar Biba: E bërë pak qëllim poshtë brezit këtë histori…
Klement Zguri: Ishte poshtë brezit, do ta presësh poshtë brezit…
Denar Biba: Në kuadër të spekulimit që është krejtësisht i pavërtetë, çfarë mbetet të them unë tani që ti me the: të lumtë bëjë ti vetë me dy anëtarë sepse unë nuk guxoj dot se s’më lë ai burri…
Klement Zguri: Po, po ai burri, vazhdo me barcaleta tani. Unë nuk fshihem dhe të thash që këtë gjë nuk e bëj. Unë kam opinionin tim dhe nuk po të fshihem. Nëse doni bëjeni.
Denar Biba: I nderuar lëri këto se janë spekulime, as më the dhe as të thash, të gjitha këto nuk kanë lidhje. Lidhje ka legjislacioni dhe faktet.

Është një shprehje: E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën.
Kështu që përtej burrave që janë apo nuk janë në këtë sallë, le ti qëndrojmë të vërtetës…
Përtej shpifjeve nuk ka asnjë vendim që KQZ të jetë shprehur për Agron Faslli Kapllanajn… Kjo është e vërteta, të tjerat janë meselera me xhixhilera..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura