Mamatë e jetës së natës

Jan 28, 2013 | 12:59
SHPËRNDAJE

Vetëm sepse jam një mama, kjo s’do të thotë që s’më pëlqen jeta e natës e ta shijoj atë me “gocat”. S’di sa shpesh shikohet kjo fotografi në rrugët e qyteteve tona, por në Tiranë ajo po bëhet përherë e më e klikuar. Shumëkujt nga ne u ndodh që fundjavave të ndeshet me të qeshurat, bisedat, ndihmesat për një parkim të saktë apo kërcitjet e takave në rrugët e këtij kryeqyteti. Detajet, sigurisht që variojnë, shpesh ato ndodhin në zhurma dhe më zë të lartë, e disa të tjera me nota më të qeta. Veshja dhe stili, gjithashtu, ndryshon nga grupi në grup. Është e gjitha kjo një pjesë e anës femërore të jetës së natës. Këtë të shtunë dola me një qëllim ndryshe nga herët e tjera. Të kuptoja, ose më mirë ta dëgjoja nga goja e tyre arsyen e sinqertë të daljes nga shtëpia dhe rikthimit në orët e para të mëngjesit të ditës së re. Kësaj radhe m’u desh të mos përqendrohesha vetëm në një klub nate “të përhershmin”, por të lëvizja në tre të tillë. M’u desh të shëtisja në disa tavolina, aty ku vajzat ishin pa praninë e meshkujve, e të bisedoja me ato. Takova vajzat e jetës së natës, të cilat me ndonjë mama në grupin e tyre flasin për gjithçka e për këdo që i rrethon në ato çaste. Duket sikur kanë vite që heshtin dhe tani është ora për t’u shprehur. Teksa vajzat janë më të relaksuara, ato të tjerat i sheh pak si më në ankth, të veshura me ndonjë hije pishmani apo edhe me lëvizje që lidhen me telefonin. Arsyeja? Fëmijët, të cilët ndoshta pas shumë kohësh, ditësh, javësh apo muajsh, janë lënë sërish “vetëm”. Megjithatë, nga fillimi deri në fundin e kësaj nate, kuptova që të gjitha i bashkonte një gjë, i njëjti shikim në sytë e tyre. Nata për ato është anija kozmike në të cilën sapo kanë vënë këmbët dhe janë nisur fluturim jashtë orbitës së tokës. Kështu më ngjau ky shikim. Frekuentimi (me raste) pa praninë e partnerit në jetën e natës së këtyre grave dhe vajzave, si dhe dëshirës për të qenë veç ato, thjesht, vetëm me njëra-tjetrën, janë një ritual i keqkuptuar në kulturën e ditëve të sotme. Ky keqkuptim pengon që kjo dalje të shihet si një mënyrë e mirë për të shfryrë një copë të duhmës nëpërmjet thyerjes së rregullave në orët e vona. Shumë burra mendojnë se partneret e tyre të bëra bashkë në një gjini të vetme, flasin veç për këpucë dhe seks (që në fakt gabohen vetëm pak), pasi shumë prej tyre ndihen edhe fajtore që i kanë lënë ata vetëm, rrobat e palara, enët kapicë, darkën e fëmijëve (flasim këtu edhe për ato gra që nuk preferojë të kenë një mirëmbajtësë shtëpie) etj., saqë për një moment janë gati të zbresin nga anija. Mirëpo forca e gocave të grupit bën që motorët të mos shuhen dhe lëvizja ka filluar, kthim mbrapa nuk ka. Ngjan si “one way ticket”. Në këtë pikë, mamatë tona qëndrojnë në bord. Ka shumë aventura në hapësirë. Mes të qeshurave lehtësuese, shijimit të koktejit, shpërfilljes së ngacmimeve dendur pa rëndësi dhe ndriçimit vezullues në sinkron me njëratjetrën, e bëjnë jetën e natës një arratisje të plotë, me shpresë se e kthen anijen në tokë më me shumë energji dhe dëshirë për çdo detaj të jetës. Edhe unë isha në bord të shtunën, dhe është shumë e rëndësishme të kuptosh anën e mirë që vjen nga shpenzimi i pak orëve të natës jashtë në këtë qytet në praninë e ekuipazhit femëror. Kjo ndihmon mamatë në tri drejtime: 1. Ato do të jenë më të gatshme, më të qeta dhe, sigurisht, do të kenë energji plus për të shpenzuar më shumë me fëmijët e tyre; 2. Ato kanë jetë edhe pas përmbushjes së detyrimeve familjare dhe profesionale; 3. Do ta shohin shtëpinë sërish si një ambient ku mund të argëtohen në familje, me njëritjetrin, dhe jo vetëm në funksion të shërbimit ndaj pjesëtarëve të tjerë.

Nga Gentiana Ramadani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura