“Mallkimi i fukarenjve”, premierë në skenën e Teatrit Kombëtar

Apr 4, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Një burrë i alkoolizuar, një grua me nerva të sosura, një adoleshente rebele dhe një djalë idealist. Të gjithë në kërkim të kuptimit të jetës.

Të gjithë në luftë për të mbetur gjallë. Drama “Mallkimi i fukarenjve”, e dramaturgut bashkëkohor amerikan Sam Shepard, do të shfaqet së shpejti premierë në Teatrin Kombëtar.

Vepra me regji të Kastriot Çipit, skenografi dhe kostumografi të Fatbardh Markut, ngjit në skenë aktorë si Yllka Mujo, Gëzim Rudi, Artan Imami, Vasjan Lami, Lart Vasili, Genti Deçka, Esela Pysqyli etj. Pas dy veprash të pritura me shumë sukses nga publiku, pas një Çehovi e Shekspiri, në Teatrin Kombëtar vjen një autor bashkëkohor, Samuel Shepard Rogers.

Sam Shepard
Sam Shepard

Me plot sarkazëm dhe një ndjenjë të hollë humori, Shepard tenton të bëjë skanerin e një familjeje bashkëkohore, ku me sa duket nuk ka shumë komunikim. Dhe mungesa e komunikimit është një nga problemet më të mëdha të ditëve tona.

Çdonjëri nga anëtarët e familjes Tate ka problemet e veta. Weston Tate, babai dhe burri i shtëpisë, është një i varur nga alkooli, i cili nuk arrin të mbajë dot një punë stabël, i mbushur me borxhe. Ella, nëna e familjes, është një grua që nuk komunikon dot me të shoqin dhe vazhdimisht kërkon t’u ikë problemeve, me të cilat përballet familja e saj.

Wesley, djali, është ai që kërkon t’u bëjë ballë problemeve. Ai përpiqet ta ruajë fermën nga shitja, sepse humbja e saj për të do të thotë më shumë se humbja e një prone. Ajo është familja.

Edhe ai përpiqet deri sa humb durimin. Emma, vajza adoleshente, kërkon me çdo kusht të largohet nga shtëpia, për të mos jetuar më me familjen e saj. Në një mënyrë apo në një tjetër, secili është në kërkim të lirisë së tij. Rrotull tyre vijnë të tjera karaktere, që vënë edhe më shumë në dukje problemet e familjes Tate.

Gëzim Rudi dhe Genti Deçka gjatë provave
Gëzim Rudi dhe Genti Deçka gjatë provave

“Mallkimi i fukarenjve” konsiderohet si një komedi e zezë, një satirë goditëse me këndvështrimin e saj brenda një familjeje, e cila lufton për të mbetur gjallë.

DRAMATURGU Sam Shepard (Samuel Shepard Rogers) lindi më 5 nëntor 1943 në Fort Sheridan, Illinois.

Babai i tij ishte më- sues dhe fermer, i cili u shërbeu Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë arsye dhe fëmijëria e tij ka qenë e paqëndrueshme dhe gjithmonë në lëvizje. Gjatë periudhës së gjimnazit u ndez pasioni i tij për artin.

Gjatë kësaj kohe dramaturgu dhe aktori i njohur i më shumë se 50 veprave filloi të shkruante poezi dhe të aktronte. Në vitin 1961, Shepard përfundoi shkollën e mesme dhe më pas vazhdoi studimet njëvjeçare për agrikulturë në Malin e San Antonios.

Me kalimin e viteve, Shepard u bë pjesë e kompanisë Bishop, një teatër shëtitës, në të cilin qëndroi dy vjet në Nju Jork. Në vitin 1979, Shepard fitoi çmimin “Pulizer” për dramën “Fëmija i groposur”.

Në qytetin e Nju Jorkut, Shepard njihet për kontributin e tij artistik duke u cilë- suar si regjisori më i mirë dhe më i talentuar i gjeneratës së tij.

Në vitin 1971 autori u shpërngul në Londër ku vazhdoi të shkruante, më pas në vitin 1974 në Amerikë ai punoi si regjisor në teatrin e magjishëm të San Françiskos, duke u rritur gjithnjë e më shumë profesionalisht.

Veprat e tij njihen kryesisht për ftohtësinë poetike, për elementet surrealiste dhe për humorin e tij të zi. Shepard i ka përkushtuar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij aktrimit në teatër dhe artit të të shkruarit.

Ndër veprat e tij më të famshme janë: “The rock garden”, “Cowboys”, “Chicago”, “Icarus’s Mother”, “Red Cross”, “La Turista”, “The Holy Ghostly”, “The Unseen Hand”, “Oh! Calcutta!” , “Operation Sidewinder”, “Mad Dog Blues”, “Black Bog Beast Balt”, “Cowboy Mouth”, “The Tooth of Crime”, “Geography of a Horse Dreamer” ,” Action”, “Angel City”, “Suicide in B Flat”,” Inacoma”, “Curse of the Starving Class” etj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura