“Mallkimi i fukarenjve”, nudo dhe politikë në Teatrin Kombëtar

Apr 18, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Ajo shtëpi e rrënuar është simbol i një familjeje të degraduar. Gjithçka shkon mbrapsht dhe nuk ka sesi, kur burri i shtëpisë është i alkoolizuar, i mbytur në borxhe, i ngatërruar me gjithfarë kusarësh e matrapazësh dhe shfryn duke thyer dyert e shtëpisë, për të fjetur me ditë të tëra e më pas për t’u zhdukur edhe më gjatë.

Fabula të tilla nuk janë të rralla në shoqërinë moderne. Sam Shepard ka vizatuar një familje nga ato të shumtat amerikane, ku “mallkimi” kalon nga babai te djali e kështu me radhë, zinxhir. Ai e ka quajtur “Mallkimi i fukarenjve”. Një mallkim që rrënon gjithçka e nuk të lejon të ngresh krye.

Nga shfaqja “Mallkimi i fukarenjve” në Teatrin Kombëtar
Nga shfaqja “Mallkimi i fukarenjve” në Teatrin Kombëtar

Drama e Sam Shepard është një nga ato vepra që mund ta vendosësh në çdo skenë të botës dhe të rrijë mirë, pasi kudo gjen familje të tilla të shkatërruara, me frigoriferin gjithnjë bosh, me baballarë të alkoolizuar, me nëna që duan të shpëtojnë sa më parë nga ai mjerim, duke rënë pre e naivitetit të tyre, me djem që duan të shpëtojnë rrënojat e fundit dhe vajza të zgjuara që s’duan të kenë të njëjtin fat si prindërit e tyre. Regjisori Kastriot Çipi jo më kot ka përzgjedhur këtë vepër, për ta ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar, si edhe një kast aktorësh fort të mirë për ta luajtur atë.

Madje i ka dhënë edhe ca doza politike, me batuta të kryeministrit apo slogane elektorale, ka zhveshur një aktor nudo dhe e ka çliruar fjalorin. Për këtë arsye, Teatri Kombëtar ka nxjerrë njoftimin se “shfaqja përmban nuditet të pjesshëm, fjalor të papërshtatshëm dhe skena dhune, ndaj nuk lejohet hyrja nën moshën 14 vjeç”. Një njoftim që me gjasë do të shërbejë si reklamë për të sjellë sa më shumë publik në sallë.

yllka laerti

SHFAQJA Sapo hyn në sallën e teatrit, të çan hundën era e drurit të zdrukthuar. Një barakë e keqe të del përpara. Mund të mendosh se je në një zdrukthëtari, por nuk ka lidhje. Të zotët e shtëpisë nuk janë zdrukthëtarë.

Ata janë fermerë. Ndoshta ato ashkla që mbulonin skenën lidheshin me përpjekjen e vazhdueshme të djalit të shtëpisë për të ndrequr derën e thyer nga i ati një natë më parë. (!) Pjesa nis me një monolog të gjatë të djalit (Ueslit), që rri strukur në një kënd të errët të shtëpisë, duke na shpjeguar situatën.

Një monolog që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë… E gjithë vepra zhvillohet në kuzhinën e familjes Tate, ku gatuhen angjinare (që çuditërisht personazhet i hanë me gjithë gjemba!!!) dhe debatohet mes nënës, djalit dhe vajzës adoleshente, që sapo i kanë ardhur menstruacionet, një motiv ky që nuk dihet pse, do ta ndjekë shfaqjen nga fillimi deri në fund. Gjatë një debati rreth sherrit të një nate më parë, frigoriferit bosh, çjerrjet histerike për një pulë, djali nis e urinon mbi një fletë vizatimi.

Genti Deçka në rolin e Ueslit
Genti Deçka në rolin e Ueslit

Po, po, e bën me të vërtetë, por sigurisht me kurriz nga publiku. Dialogut të kësaj tresheje (Yllka Mujo, Genti Deçka dhe Esela Pysqyli) i shtohet edhe një avokat batakçi (Laert Vasili/Vasjan Lami). Kështu mësojmë për gjitha problemet e familjes Tate dhe ëndrrën e së ëmës për të shitur shtëpinë dhe tokat.

Këtyre zërave u shtohet edhe një tjetër, ai i një qengji, që Uesli, pa ndonjë arsye të qartë, e sjell në kuzhinë. Ai blegërin pa pushim gjatë pjesës, duke u përzier me zërat e aktorëve.

Duket sikur ai është gjëja më e këndshme në gjithë këtë rrëmujë, por që në fund do të ketë një fund “tragjik”. Pas largimit të nënës, hyn në lojë babai i dehur (Gëzim Rudi), që pas shumë çaprashitesh dhe një gjumi të gjatë mbi tavolinë, zgjohet si një njeri i ri.

Papritur u bë esëll dhe me një dëshirë për të filluar nga e para. Por kjo dëshirë shkon ndesh me gjithë sa ka bërë më parë, me firmat që ka hedhur për shitjen e shtëpisë dhe fajdexhinjve të krisur që i mësyjnë shtëpinë.

Pjesa ishte e mbushur me ulje-ngritje, me kthesa të forta, që duhej ta ngrinte në maksimum adrenalinën edhe te publiku, por fatkeqësisht ky lloj tensioni nuk arrinte të përçohej në sallë. Atmosfera është lineare dhe publiku nuk duket se shqetësohet shumë për fatin e Emës, Uestonit apo Ueslit.

MESAZHET POLITIKE Duke dashur ta bëjë veprën sa më aktuale dhe ta përfshijë në kontekstin shqiptar, regjisori Kastriot Çipi i ka mëshuar jo pak edhe mesazhit politik. Në gojën e personazheve dalin shprehje të tilla si “S’keni parë gjë akoma”, “Ky është drejtimi i duhur”, madje edhe prania e një qengji, që në fund theret, nuk është i rastësishëm.

Ai nënkupton trajtimin si dele, si kope, që politika dhe politikanët u bëjnë qytetarëve, por të kujton edhe kopertinën e librit të kryeministrit Edi Rama “Kurban”.

Mesazhet janë shumë të qarta dhe nuk është e vështirë të kapen nga publiku. Nuk është hera e parë që ndodh kjo në teatër. Shpeshherë regjisorët i “aktualizojnë” veprat, duke u dhënë një furçë nga aktualiteti.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura