Mali i Zi refuzoi hapjen e kufijve me Serbinë, rriten tensionet mes dy vendeve. Kryeministrja Brnabić: Do ndalojmë hyrjen e kriminelëve malazezë, që kanë vrarë…

May 27, 2020 | 19:47
SHPËRNDAJE

Tensionet midis Malit të Zi dhe Serbisë sa vijnë e thellohen dhe shtetet fqinje, si dhe Bashkimi Evropian po qëndrojnë indiferentë. Qeveria malazeze ka marrë sot vendimin për të hapur kufijtë, pas mbylljes nga koronavirusi, për disa shtete në rajon dhe Evropë, përfshirë Shqipërinë, por jo Serbinë.

pjimage - 2020-05-27T194637.576

Beogradi ka reaguar me shpejtësi dhe ka konsideruar politik vendimin e Podgoricës. Të gjithë zyrtarët e lartë serbë kanë reaguar me deklarata të ashpra dhe kanë njoftuar marrjen e masave bllokuese për Malin e Zi.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabić deklaroi se ky është një mesazh i qartë që serbët janë të padëshirueshëm në Mal të Zi dhe i bëri thirrje qytetarëve të saj që të shmangin pushimet e verës në vendin fqinj.

“Nuk do të përgjigjemi me masa reciproke, nuk do të ndalojmë qytetarët e zakonshëm malazez të vizitojnë Serbinë, por do të ndalojmë më fuqishëm hyrjen e kriminelëve malazez dhe përfaqësuesve të grupe të ndryshme mafioze nga Mali i Zi, të cilët kanë vrarë dhe kanë terrorizuar prej dekadash qytetarët tanë”, ka thënë Brnabić.

Por ndërkohë që kryeministrja serbe tha se nuk do të merren masa ndaj Podgoricës, Drejtoria e Aviacionit Civil në Serbi ka informuar se linjës ajrore kombëtare të Mali të Zi, “Montenegro Airlines”, i është pezulluar ulja e avionëve në aeroportin e Beogradit, “Nikola Tesla”. Qeveria malazeze reagoi duke thënë se Serbia nuk ka asnjë bazë për këtë vendim pasi avionët e “Air Serbia” nuk janë ndaluar të ulen në Mal të Zi, shkruajne mediat e huaja. 

Ndërkohë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se vendimi për të pezulluar uljen e avionëve të Montenegro Airlines është përgjigjja më e sjellshme dhe më elegante që mund të jepte Beogradi pasi, edhe ai, është i mendimit se “nuk ka asnjë dyshim që vendimi i Malit të Zi është politik”. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçic paralajmëroi se kjo lëvizje e Podgoricës do të dëmtojë më së shumti qytetarët malazez.

Përplasja – Në qendër “lufta” për Kishën Orthodokse

Situata mes dy vendeve vijtin te mbetet e tensionuar për shkak të përpjekjeve të Podgoricës për të ndarë Kishën Ortodokse nga ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe. Beogradi ka kritikuar vendimin e Qeverisë malazeze dhe e sheh këtë përpjekje si goditje të komunitetit serb që jeton në Mal të Zi.

Serbët përbëjnë gati 29% të popullisë prej 631 mijë banorë të Malit të Zi, ndërsa Aleksandar Vuçiç duket se po kërkon shtimin e tensioneve në vendin fqinj. Një javë më parë Vuçic tha tha se qëllimi i autoriteteve malazeze është që “serbët të zhduken nga Mali i Zi brenda një dekade”, por paralajmëroi se nuk do të lejohet një “Stuhi” tjetër, referuar betejës së vitit 1995 në Kroaci, kur shumë serbë u dëbuan nga vendi.

Serbia po sheh me shqetësim daljen e Mali të Zi nga sfera e saj e influencës. Vendi i vogël ballkanik që shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, u anëtarësua në NATO në vitin 2017-të, ndërkohë që në vitin 2016 u shmang një grusht shteti i orkestruar nga rusët për të bërë mundësuar pikërisht bllokimin e anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën ushtarake Perëndimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura