Mali i Zi, pëllumb i bardhë i paqes në rajon!

Dec 3, 2015 | 14:25
SHPËRNDAJE

piro_ahmetajPIRO AHMETAJ

Anëtarësimi në NATO është arritje historike gjeostrategjike dhe gjeopolitike për Malin e Zi. Për ta bërë të qartë për audiencën e gjerë dhe këdo të interesuar – marrja e ftesës së anëtarësimit konfirmon vullnetin & dakordësinë e 28 vendeve për ta pranuar Malin e Zi në Klubin e NATO-s. Procesi i anëtarësimit do të ndjekë procesin e nënshkrimit dhe administrimin të Marrëveshjes së Washingtonit firmosur nga 28 vendet – që do të përbëjë edhe datën zyrtare të Anëtarësimit të plotë të Malit të Zi.

Me marrjen e ftesës, Mali i Zi do të ketë statusin e “vëzhguesit” në të gjitha forumet/tavolinat e vendimmarrjes së NATO-s – por pa të drejte vote deri në datën e anëtarësimit të plotë. Më tej, do të ketë një proces tjetër teknik, të përmbushjes së detyrimeve/standardeve ushtarake dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, Teknike (MoU/TA) etj – proces që në rastin më të mirë zgjat 2 vjet dhe në rastin më të keq zgjat 4 vjet. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të shërbejë si inkurajim i fortë për të reduktuar në maksimum influencën ruse në Europën Juglindore.

Kështu, jam i bindur që një “surprizë për ta deklaruar ftesën” në ditën e Vizitës së Sekretarit të SHBA në Rajon, është mesazh i fortë, në kohen e duhur dhe me vlera Strategjike për të gjithë Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ka një rendësi shtese, gjeostrategjik dhe gjeopolitike për SHBA dhe NATO, pasi kjo ftesë është në kohën kur Rusia në rastin e “pushtimit” të Aeroportit të Kosovës (qershor 1999), tregoi se “ishte akoma gjallë”; në rastin e Gjeorgjisë dhe Sirisë dëshmoi se po ngrihej në këmbë, ndërsa në rastin e Krimesë dhe Ukrainës demonstroi se po përpiqet të rikthejë historinë e lavdishme dhe se nuk ka ndër mend të bëjë lëshime për trofetë/tortën gjeopolitike në arenën globale.

Parë kështu, pranimi i Malit të Zi mbyll ëndrrën e Rusisë për dalje në Adriatik dhe bashkë me të ul ndjeshëm rolin për të “mbajtur” çelësat e stabilitetit të Ballkanit. Megjithatë, duhet kujtuar se mbas marrjes së Statusit Aspirant (MAP – dhjetor 2009), edhe mbas marrjes së ftesës – Mali i Zi do të vijojë të jetë nën vëmendjen, ambicien, presionin dhe joshjen së “një opsioni tjetër – tërheqjes së vullnetit për t’u anëtarësuar në NATO”.

Megjithëse problematikat për nivelin e demokracisë, stabilitetit politik, kontrabandën, korrupsionin, statusi i elitave politike – nuk janë të ndryshme nga vendet e rajonit, përfshi dhe vendin tonë. Por në këtë rast politika e mençur e NATO-s dhe e SHBA: “më mirë in/brenda se out/jashtë” do të mbetet si shembull mesazhi përgjegjshmë- rie për Leadershipin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Parë kështu, kjo përbën po ashtu një vlerë të shtuar për NATO-n dhe perspektivën e Rajonit si e tërë.

Marrëdhëniet NATO-Malit të Zi: Mali i Zi ka aplikuar dhe është pranuar në Partneritetin për Paqe (PfP), menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në maj 2006. Në shtator 2008 i bashkohet Kartës së Adriatikut (US Adriatic Charter), ndërsa në dhjetor 2009 merr statusin e Vendit Aspirant në NATO (ose MAP Country). Ndër vendet aspirante (Maqedoni, Mal i Zi dhe Bosnja-Hercegovina) konsiderohet model për sa i përket reformës në fushën e mbrojtjes dhe përmbushjes së standardeve perëndimore në këtë fushë.

Ka aktualisht një forcë aktive 1950 veta, 100% profesioniste (nuk ka shërbim të detyruar); buxheti i mbrojtjes është rreth 50 milionë euro, afërsisht 1.7% të GDP–së. Nënvizoj se edhe pse një vend i vogël, në planin ushtarak po bën përpjekje të zhvillojë kapacitete të vogla cilësore (niche capability), ka kontribute në operacionet e drejtuara nga NATO/BE, me (trajnues, ekipe mjekësore etj).

Pak histori mbi zgjerimin e NATO-s. Në historinë e Aleancës janë 3 faza zgjerimi. Në valën e parë: në Samitin e Washingtonit 1999, u pranua Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke – për të jetësuar politikën e “Dyerve të Hapura” dhe frymëzuar programin e Partneritetit për Paqe (PfP). Në këtë rast nuk ishin kriteret ushtarake që dominuan vendimmarrjen e pranimit për këto 3 vende. SHBA dhe NATO, në valën e parë të zgjerimit, lëshuan një mesazh gjeostrategjik të fortë kundrejt Rusisë – “zgjerimi dhe kufijtë e zgjerimit do të bëheshin “pa lejen” e ish-Superfuqisë.

Në këtë kohë Rusia ishte ende nën pasojat e humbësit të “luftës së ftohtë”, dhe duke bërë lëshime në këmbim të gjendjes ekonomike, dhe pa-stabilitetit politik, nga shpërbërja e 4 ish-BRSS. Në valën e dytë, në vitin 2004, u zgjerua me 7 vende (3 vendet Balltike, Rumani, Bullgari, Slloveni dhe Sllovakia) – NATO kishte një mesazh gjeopolitik jo vetëm për Rusinë – “për të fshirë nga harta dallimin Lindje– Perëndim” në planin ushtarak. Ndërsa në valën e tretë të zgjerimit, në prill 2009, kur u pranua Shqipëria dhe Kroacia, ishte një mbështetje për projektin e zgjerimit, dhe parimi i mbajtjes së fjalës, ndaj përpjekjeve 15- vjeçare në Programin PfP, dhe 10 vjet si vende aspirante për dy vendet.

Megjithatë, duhet nënvizuar se zgjerimi i NATO-s, me 12 vende, pa përfshirë Malin e Zi – nuk ka qenë ndonjë histori suksesi, për sa i përket ndarjes së barrës së kapaciteteve, angazhimeve dhe kontributeve ushtarake. Kështu, për shembull, nëse deri në vitet 1999, kur u bë zgjerimi i parë, SHBA përballonin rreth 60% të kostos dhe barrës së angazhimeve të NATO-s, ndërsa aktualisht SHBA përballon rreth 78% ose 18% më shumë nga koha kur NATO-ja kishte vetëm 16 vende!?

Kjo përtej retorikës propagandistike është dhe do të mbetet një sfidë për politikanët e vendeve nga kjo anë e Atlantikut. Në rastin e Malit të Zi, pritshmëria nuk është se do të përbëjë ndonjë vlerë shtesë, në këtë optikë perverse do t’i bashkohet klubit të vlerave dhe solidaritetit e qasjes së Aleancës. Në planin rajonal, ky rast konfirmon se të gjitha vendet janë fokusuar te gara “kush do të integrohet më shpejt” dhe kjo sigurisht që do të përmirësojë klimën e bashkëpunimit.

Me këtë nuk po them që kanë përfunduar sfidat dhe po jetojmë apo do të jetojmë në të ardhmen e afërt ndonjë mrekulli, por sfidat në fushën e sigurisë janë të përbashkëta, si: terrorizmi, stabiliteti politik, krizat ekonomike, kërcënimet elektronike, kontrabanda, krimi i organizuar etj. Fatkeqësisht disa ngjarje tregojnë se paqja në rajonin tonë është ende e brishtë dhe se rrënjët e konflikteve nuk janë shuar. Nënvizoj se nga sfidat mundet dhe duhet të eksplorojmë oportunitete pozitive, për të mbjellë “paqe të qëndrueshme”, për vete, fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë.

Për sa i takon rolit të Malit të Zi, në kuadër të Mbrojtjes së Mençur “Smart defence”, shpreh bindjen se edhe me këtë rast po krijohen të gjitha rrethanat historike, gjeopolitike dhe ekonomike që të projektohet dhe jetësohet një projekt-rajonal i përbashkët në fushën e mbrojtjes midis Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi, Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë. Konkretisht, një projekt i tillë mund të konkretizohet në fushën e policimit ajror, mbrojtjes kibernetike (cyber), sistemit arsimor, qendrave të stërvitjes, kapaciteteve të inteligjencës, kapaciteteve të përbashkëta për menaxhimin e krizave etj.

Ndërtimi i kapaciteteve më vete (nacionale), është si të merremi me yjet, pra, thjesht e pamundur, është gjetje jo e zgjuar dhe duke qenë kështu, do të ishte njëherësh edhe një gabim historik. Për sa u takon kufizimeve (ose caviat me termat e NATO-s), qartësoj se kjo përqasje është “në modë”, është duke u aplikuar në të gjitha vendet, për shembull, në vendet Balltike, vendet Nordike (Norvegji, Finlandë, Suedi), Belgjika me Holandën, Franca me UK, Sllovenia me Hungarinë, pa përmendur vende që mendoj se e tejkalojnë etikën e konfidencialitetit.

E fundit, por e para nga rëndësia, ky është jo vetëm një lajm i mirë, por një ngjarje me një rëndësi strategjike për Rajonin dhe veçanërisht për vendin Tonë, pasi Shqipëria ka rrethana gjeopolitike dhe interesa strategjike shtesë nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO.

*Gjeneral në rezervë, ish-këshilltar i Presidentit dhe ish-përfaqësues Ushtarak Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura