Mali i Zi pas zgjedhjeve

Sep 1, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

leonidha-mertiri-150x150

Për qytetarët e Malit të Zi, e diela që sapo kaloi ishte një ditë e rëndësishme për ta: dita e zgjedhjeve parlamentare dhe e asambleve komunale për pesë komuna. Të pestat zgjedhje qysh nga shpallja e pavarësisë së kësaj republike. Partia Demokratike e Socialistëve, PDS, e Milo Gjukanoviç, ishte e vendosur që edhe pas tridhjetë vitesh në pushtet t’i fitonte përsëri këto zgjedhje. Partitë shqiptare, nga ana tjetër, garuan në dy koalicione: në “Lista Shqiptare” dhe në koalicionin tjetër, “Bashkë nji za”. Pra, unifikimi i shqiptarëve në një listë zgjedhore edhe këtu mbeti i largët. Edhe pse qenia në dy koalicione shënoi aktualisht njëfarë progresi duke marrë dy deputetë, përsëri mëritë, qëndrimet bajraktariste nga partitë shqiptare në ato forma që vazhdojnë të shfaqen, triumfuan sërish, që përballë programeve të tyre, ç’mund t’i dallonte këto parti nga njëra-tjetra?! Kështu ndodh me këtë komunitet të rëndësishëm, siç na ndodh dhe gjetkë, për fat të keq, ne shqiptarëve, i cili ndërkohë, në rastin konkret, është i njohur për rolin e tij në forcimin e stabilitetit të Malit të Zi, të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Ndërsa për vete, siç thamë, të përçarë, me vota të ndara. Të këqijtë e vetes.

Zgjedhjet e së dielës treguan se vullneti i zgjedhësve ka pësuar ndryshime. Ai nuk është i njëjti me ato të votimeve të mëparshme. Katër vjet më parë, opozita i kontestoi zgjedhjet dhe mandej i bojkotoi punimet e Kuvendit malazez. Përpjekjet për “grusht shteti” dhe likuidimin e ish-Kryeministrit Milo Gjukanoviç janë të njohura tashmë. Miratimi më vonë dhe i ligjit për liritë fetare i tensionoi në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe dhe vetë frontit malazez nga njëra anë dhe atij serb nga ana tjetër. Sipas Kishës Serbe, me këtë ligj asaj i merren padrejtësisht manastiret dhe kishat. Ndaj dhe kreu i Frontit Demokratik, FD, në opozitë, nga podiumi i Kuvendit kërcënoi hapur se ishin të gatshëm “të nxirrnin armët e fshehura”. Apo, sikundër ndodhi tre muaj më parë, me arrestimin e peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe dhe disa priftërinjve për shkak të grumbullimeve masive në mbajtjen e një liturgjie, të ndaluar për shkak të epidemisë. Opozita i ruan dhe inkurajon këto tensione, të cilat, sikurse është parë, nuk i ndahen Malit të Zi, që polarizimi të rritet dhe më tej. Duke pasur krah të fortë Kishën Serbe, kjo opozitë nuk ka reshtur së kërkuari largimin nga pushteti të Partisë Demokratike Socialiste, si “fund i mafies”, ku “korrupsioni është ngritur në sistem” dhe që pakënaqësitë në njerëz të reflektohen në votime. Kjo ishte motoja qendrore edhe në votimet e së dielës e dy koalicioneve të opozitës aktuale, atij “Për ardhmërinë e Malit të Zi” dhe të “Kombi ynë është paqja”.

Të gjitha këto nuk mund të mos kishin ndikimin e vet te zgjedhësit. Pra, një tablo jo krejt e papritur. Rezultatet paraprake, thuajse përfundimtare, flasin se PDS e Gjukanoviçit ka marrë 35 për qind të votave, kurse opozita si koalicion “Për ardhmërinë e Malit të Zi” apo si Front Demokratik, 32.6 për qind të votave. Kjo e vë në situatë të vështirë Gjukanoviçin, i cili me këtë rezultat të dobët ballafaqohet për herë të parë. A do ta kapërcejë lumin? Diferenca midis kampeve të mësipërme është gati e papërfillshme. Edhe një votë më tepër do të ndihmonte secilën palë në formimin e qeverisë. Lëvizja qytetare “Ura” e shqiptarit Dritan Abazoviç ndihet mjaft e preferuar nga Fronti Demokratik, parti kjo e njohur si pro serbe dhe pro ruse. Cila do të jetë zgjedhja e tij? Ftesat për bashkëpunim dhe se partitë e pakicave kombëtare do të ftohen në qeveri fryjnë edhe më euforinë e këtyre orëve të opozitës malazeze. Për partitë shqiptare, siç pohon dhe ish-nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, i “Listës Shqiptare” në këto zgjedhje, është e vështirë të jenë në një qeveri si kjo.

Kështu, progresi i mëtejshëm i Malit të Zi për anëtarësimin në Bashkimin Europian duket se vihet në pikëpyetje me ndryshimet e mundshme të mandatorit nga radhët e opozitës për formimin e qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura