Mali i Skënderbeut, ku gojëdhanat ende “zukasin” si bletët

Mar 12, 2018 | 10:22
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Në këtë përvjetor pesë- shekullor e gjysmë të Heroit tonë Kombëtar  të gjithë përpiqen të bëjnë diçka të shënuar në kushtim të tij, në kështjella, muze, arkiva, akademi, opera, shkolla etj. Ne thamë t’i lëmë mënjanë të gjitha këto për një çast, bashkë me rrëfimet mitizuese të fëmijërisë për kryezotin dhe do t’i drejtohemi “Malit të Skënderbeut”, i vetmi që nuk tundet as nga tërmetet. Ai gjendet në Kurbin, në zemër të Arbrit. E përzhisin aty-këtu zjarret në verë, megjithatë, ai prapë vazhdon të jetë si një tempull unik i shqiptarëve.

Vemi drejt tij, duke i ardhur rreth e qark, për të kapur diçka nga miti i tij skënderbegian. Nuk dimë që të ketë ndonjë mal në emrin e ndonjë njeriu tjetër sado të famshëm, kështjella po, si ajo e Ali Pashës, por mal jo. Ashtu si zor të ketë në Francë ndonjë mal në emrin e Napoleonit, në Rusi me emrin e Pjetrit të Madh, në Itali të Garibaldit etj. Malin, shqiptari e shënjoi si titullin më të lartë vetëm për të parin e tij të gjithëkohshëm. Më i lartë mbase se të gjithë titujt që dekretohen në emër të Republikës. Vargmali kurrizor i Skënderbeut, 22 kilometra i gjatë, nis nga lumi i Matit dhe fshati turistik i Shkopetit, aty ku ngrihet diga e hidrocentralit “Frederik Engwls” dhe vazhdon nëpër malësinë e Kurbinit, mes Matit dhe Krujës, duke u zgjatur deri në Qafështamë.

Kuota më e lartë e tij është Maja e Liqenit (1724 metra), ngaqë aty “mrizojnë” dy liqene të vegjël akullnajorë. Mal i begatë për nga bimësia, gurrat dhe peizazhi, po që duket herët për t’u rrokur nga turizmi. Po aq është e pasur dhe historia e këtij vendi, që mban mbi vete rrënojat e njërit prej tempujve më të çmuar shqiptarë, kishës së Shna Premtes. Një vendës na prin drejt Gurit Mal, ku zë fill mali skënderbegian, duke na treguar disa vendbanime të vjetra të atij rajoni, si dhe “furrat e shkrirjes së çelikut dhe derdhjes së topave” lart në Malin e Skënderbeut.

Prej andej, luftëtarët e Gjergj Kastriotit e kishin si në pëllëmbë të dorës fushën e pamat të Krujës dhe vetë Adriatikun. Tre fshatra janë vendosur në prehër dhe shpinë të këtij mali, Skuraj, Gallata dhe Vinjolli. Sado shekuj kanë kaluar, shenjat autoktone vështirë të kenë dalë të gjitha mbi tokë. Dedë Margjoni, gjurmuesi i visarit arkeologjik të këtyre trevave, na tregon një monedhë të shekullit III para Krishtit, zbuluar në Skuraj, e derdhur në argjend, që paraqet lopën që ushqen viçin me tambël. Vërtet një simbolikë e rrallë e pjellorisë.

Nuk mund të vish në këtë vend e mos të të shfaqet parasysh shëmbëlltyra njerëzore e hyjnore e Imzot Frano Illisë, që ku nuk i shkeli këmba rajonit verilindor për të mbledhur Kanunin e Skënderbeut. Po ashtu, etnosit popullor kushtuar Skënderbeut i qe qasur qysh herët dhe historiani shkodran Marin Sirdani, i cili pati botuar veprën “Skanderbegu mbas gojëdhanash”. Ai i ka qëmtuar shumë mote më parë gojëdhënat e Heroit, por ato nuk janë shuar as sot dhe ende “zukasin” si bletët në korije lule më lule.

Sirdani shkruante se dhe me i ra për shqut Matjes, Kurbinit e Krues njerëzit “kanë me të shënjue vendet e luftave e të trimnivet, gjygjet e pleqnitë e bame, vendet ku veronte, gurrat e krojet ku u freskonte, lagjet e tokat e bekueme a të nemuna prej tij”. Një asht i fortë arbëror e ka mbajtur kaq të pranishëm Gjergj Kastriotin-Skënderbeun në Kurbinin plot gurra, kulla e kala antike, në malin e tij vigan, kanunin e madhnueshëm, folkun legjendaro-historik.

Ecim luginës së përroit të rrëmbyeshëm të Hurdhazës, që mbledh ujërat e gurrave të bardha të Kurbinit, në “hijen” e malit të Skënderbeut, nga Skurajt deri lart në Vinjoll, që vendësit i thonë në dialekt Vinjallë, një vend që prodhon shumë rrush, nga e ka marrë dhe emrin (italisht: vingna = vreshtë), me ujë të bollshëm si aty e askund tjetër, ku është ngritur dhe një hidrocentral. Kurbinasit kanë pajtoren e tyre, Shna Premten, por kjo nuk i pengon vinjallasit e besimit mysliman që 9 majin, ditën e Shënkolllit, ta festojnë si festën më të rëndësishme të tyre, teksa ende shihen rrënojat e kishës së Shën Kollit te Lisat e Mëdhenj.

Sipër është Maja e Bërshemit, Maja e Gurit të Bardhë, kurse më poshtë Gurra e Delujit. Tej është kalaja e Daulës, krenaria e vendit. Tani bëjnë tym vetëm 59 shtëpi në Vinjoll, pasi të tjerat me kohë kanë shkuar në fushën e Mamurrasit etj. Të tregojnë dhe shtëpinë e prindërve të Alma Lames, politikane dhe deputete e Prishtinës, zbritur dhe ata prej kohësh në fushë. Në qendër të fshatit bëhemi shtatë a tetë vetë që flasim për gjurmët e Skënderbeut në ato anë. Më përpara njihemi me njëri-tjetrin. Për Nduen na thonë se është i derës së bajraktarit të Kurbinit, për Kadriun se është i derës së Has Nezirit, dikur shtëpi e parë etj.

“Skënderbeu rrinte te Kalaja e Daulës, por jo se është luftuar atje, na thotë një burrë i atij fshati me mbiemrin Demiri. Jo, lufta e madhe asht ba në Kuqna matanë qafës së malit, sa dhe lumi poshtë ka rrjedh i turbullt nga gjaku i derdhur”. E ne për këtë kemi ardhur deri këtu, për të parë sa mbijetojnë gojëdhënat për Skënderbeun në malin me emrin e tij, pasi historinë e Kurbinit po e shkruan me rrënjë e me degë në pesëqind faqe studiuesi i njohur vendas Kastriot Marku, që ka shkuar dhe në arkivin e Vatikanit. Ndër gojëdhëna dhe këngë popullore, Kokë Malçi i Skurajve del si një zot i vendit, që kuvendon gjithë mençuri e alegori me Skënderbeun.

I përmendur në këngët e asaj kohe është dhe Dedë Skura etj. Por nuk është gjithçka gojëdhënë këtu. Kurbini kishte 16 katunde dhe 45 fise dhe kuvendi i vendit për vendime të rëndësishme përbëhej nga 90 burra, nga dy për çdo fis. Stemën e familjes së njohur të Skurajve e mban sot Bashkia e Tiranës, stilizuar e ndërthurur dhe me elemente të tjerë, pasi kjo familje qeveriste Tiranën në shekujt XIV-XV. Por nëse Skënderbeut populli i ka blatuar një mal të tërë, edhe kundërshtarin e tij nuk e ka lënë varrhupët. Diku në këto anë ndodhet një rrap i motshëm, që njihet dhe si “Çinari i Ballabanit”, ngaqë aty është vrarë Ballaban Pasha, në një nga luftimet kundër Skënderbeut.

Ka qenë në traditë që të mos humbeshin varret e askujt, as të pushtuesve, ndaj hasim toponime të ngjashme, si “Vorri i Turkut”, “Vorri i Shqaut” etj. Dhe nuk ka qenë keq kjo gjë, se ja si vjen puna e kërkohen sot varret greke në Grykën e Këlcyrës, ashtu si dje ato italiane nga Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur. Rrapi i sipërthënë, monument natyre, sigurisht që nuk ruhet për emrin (që në fillesë duhet të ketë qenë “Rrapi ku u vra Ballabani”), por për vjetërsinë e madhe, pamjen impozante dhe si një dëshmitar i qëndresës shqiptare.

Skurasit, pishkashësit, vinjallësit, milotësit, malbardhësit e të tjerë vazhdojnë të rrëfejnë ato doke, histori, gojëdhëna e toponime që të parët e tyre ia thoshin Sirdanit, Gjeçovit, Illisë shumë vite më parë: “Në Lime të Skurajve asht nji krue qi vendi e njef me emnin “Kroni Skanderbeg”. “Përmbi katund të Vinjallit (nën Trodhen) asht nji vend që thirret “Buza Skanderbeg”. Në Mal – Llesh të Pishkashit, një shkrep i rrafshtë quhet “Tryeza e Skanderbegut”. “Në katund të Daulës, Kurbij, shihen rrënimet e njaj gjyteti të quejtun prej vendasvet “Kalaja e Skanderbegut” etj.

Lexuesi nuk befasohet që kjo denduri emërtimesh skënderbegiane haset vetëm në zonën ku Kurbini pikëpritet me Matin e Mirditën. E nuk është vetëm “Mali i Skënderbeut” në Kurbin, por një pafundësi toponimesh në mbarë Shqipërinë, veri e jug, ku ndër më të njohurat është dhe “Sofra e Skënderbeut” në Librazhd, në të cilën sipas gojëdhënave, Skënderbeu hante drekë me luftëtarët e tij, shpesh duke kthyer dhe kupat me verë për fitoret e njëpasnjëshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura