Malaj-Toçit: Socialistët e dinë kush i jep oksigjen Berishës

Aug 9, 2011 | 11:00
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, u përgjigjet deklaratave të deputetit Fatmir Toçi lidhur me qëndrimin e PS ndaj deputetëve që dalin kundër vendimeve të forumeve. Në një komunikim me qytetarët në rrjetin social “Facebook”, Malaj flet për sjelljen e PS-së dhe raportin e saj me shumicën.

Vërtet aktiviteti juaj publik këto kohët e fundit është duke i shërbyer z. Berisha, referuar deputetit Toçi?
Shpresoj që edhe vetë kolegu Toçi e di shumë mirë se kush i shërben Berishës, se kush ia rriti pushtetin absolut Berishës dhe kush është oksigjeni i mbijetesës politike të Berishës në kurriz të socialistëve dhe të shqiptarëve. Unë i respektoj të gjithë kolegët që kanë këndvështrime të ndryshme për mirëfunksionimin e PS-së dhe për strategjitë për ta bërë PS-në një forcë politike moderne dhe një maxhorance fituese. Disa politikanë mendojnë se shqiptarët meritojnë të drejtohen me “dorë të fortë”, ndaj me ndryshimet kushtetuese, me ndryshimet e sistemit zgjedhor, larguan votuesit nga përzgjedhja e përfaqësuesve të tyre dhe me vetëdije rritën pushtetin absolut të Kryeministrit dhe kryetarëve të partive.
E ndihmoi apo e dëmtoi demokracinë shqiptare disiplina e “çeliktë” e Grupit Parlamentar të PS-së për të ndryshuar Kushtetutën e vendit të tyre? Kjo është një pyetje që tashmë e ka marrë përgjigjen. Ndaj, politologët qartësojnë se jo gjithmonë shumica numerike nënkupton të drejtën. Duhet të ketë më shumë vetëdije qytetare në çdo votë të çdo deputeti, pavarësisht sistemit elektoral. Çdo reformë duhet bërë në konsultim të gjerë me publikun dhe jo duke ia fshehur atij qëllimet e mbrapshta për pushtete absolute.
Çdo votim i çdo deputeti duhet parë në raport me interesat themelore të vendit të tij, dhe jo thjesht në raport me luajalitetin ndaj kryetarit të radhës së partisë së tij.
Zgjidhja nuk është mbyllja e gojës dhe votimi “uniformë” nga deputetët. Zgjidhja nuk është të shpallen “armiq të partisë” ata që gjykojnë në mënyrë racionale, edhe pse mendojnë ndryshe.  Zgjidhja është të rritet vetëdija qytetare te deputetët, të unifikohen qëndrimet kritike, të luftohet edhe publikisht ndaj absolutizimit dhe keqpërdorimit të pushtetit nga çdo politikan.
Ju nuk e keni zbatuar rregulloren e Grupit Parlamentar dhe keni qëndruar në debatin e buxhetit, ndërsa Grupi PS-se doli jashtë. Ndjeheni i rrezikuar për t’u përjashtuar nga PS-ja për shkak të rregullores së brendshme, referuar deputetit Toçi?
Është e natyrshme që të kemi këndvështrime të ndryshme ndaj sfidave të vendit dhe të PS-së. Ka disa që parapëlqejnë më shumë disiplinën formale apo disiplinën ushtarake. Një nga kriteret bazë në vitin 1991 për demokratizimin e vendeve të Lindjes ishte edhe mbyllja e gjykatave speciale. Edhe pse ka kohë që ato janë hequr, është fakt që edhe në vitin 2011 mbijeton mentaliteti i gjykimeve speciale për “armiqtë e partisë dhe të popullit”. Thelbi i kontributit të gjykatave speciale është të “mbrojnë” udhëheqjen e partisë jo vetëm nga “armiqtë e jashtëm”, por edhe nga çdo analizë dhe qëndrim kritik, madje edhe kur kjo bëhet brenda partisë dhe forumeve drejtuese të saj. Shikoni sa shumë votojnë shqiptarët kundër PD-së së “mirëdisiplinuar”, pikërisht sepse Berisha ka pushtetin absolut jo thjesht mbi partinë e tij, por edhe mbi jetën e përditshme të çdo shqiptari.
Çfarë mendoni për shembujt që deputeti Toçi sjell në shkrimin e tij për të forcuar idenë se këto përjashtime janë mentalitet europian? Po për votimin në SHBA nga demokratë dhe republikanë për paketën e fundit ekonomike?
Lidhur me referencat nga vendet e tjera se si penalizohen deputetët që flasin kundër kryetarit, këtu nuk bie dot dakord me kolegun Toçi. E para, as në Itali dhe as në Greqi, të përjashtuarit nga partia nuk vlerësohen nga opinioni publik i vendeve të tyre si shkaktarët e krizave të rënda që po kalojnë këto forca politike dhe këto vende. Italia vuan sot krizën e saj më të rëndë politike jo për faj të Finit. Greqia nuk e arriti dot unifikimin e qëndrimit politik përballë krizës më të rëndë të vendit të saj jo për shkak të Bakojanit, por për shkak të Samarasit. Qëndrimi i Bakojanit për të mbështetur reformat e Papandreut, reformat që i duheshin Greqisë dhe jo thjesht PASOK-u, e penalizoi atë në partinë e saj, por e ka bërë kryetarin e opozitës greke aktualisht politikanin më të kritikuar edhe nga faktori ndërkombëtar për mungesën e bashkëpunimit përballë sfidave të vendit të vet.
Po të vazhdoj të zgjas paralelet e analizës së kolegut Toçi për këto parti, në thelbin e tyre këto analiza të çojnë në konkluzionin e frikshëm se me këtë mentalitet lidershipi ne rrezikojmë dështime të përsëritura. Për shkak të lidershipit të maxhorancës, Shqipëria dështon për t’u bërë vend anëtar i BE-së, ndërsa për shkak të mentalitetit të lidershipit aktual të PS-së, fitorja jonë duket e vështirë.
Me të drejtë shumë miq e dashamirës të PS-së shtrojnë pyetjen se ku e çon bojkoti këtë forcë politike? A ka kuptim mbajtja e mandatit përfaqësues të popullit në xhep dhe mosmarrja pjesë në punimet e Kuvendit të Shqipërisë? Si do ta marrin vesh shqiptarët se ç’mendojnë përfaqësuesit e opozitës (PS) mbi qeverisjen e vendit, cila është alternativa që ata ofrojnë për problemet e shumta të vendit duke filluar me krizën dhe përballimin e saj, me reformat e munguara që e afrojnë vendin me Bashkimin Europian?
PS është dëmtuar dhe do të vazhdojë të dëmtohet rëndë në qoftë se kërkon të kopjoje modelin e dështuar “Berisha”. PS duhet ruajtur jo nga ata që debatojnë publikisht për sfidat e saj, por nga mentalitetet dhe kontributet që fshehin dështimet nëpërmjet thirrjeve për gjyqe ndaj “armiqve të partisë”.
Si e shikoni idenë e bashkëpunimit dhe ftesës për anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, që bëhet nga deputeti Toçi? Po drejtuesit e LSI-së a janë edhe ata anëtarë dhe simpatizantë?
Fitorja jonë duhet të mbështetet në tre objektiva konkretë. Së pari, PS duhet të rrisë peshën e saj elektorale duke njohur, mobilizuar dhe maksimizuar çdo kontribut të çdo anëtari dhe mbështetësi të saj. Së dyti, PS duhet të nxisë dhe realizojë bashkimin e partive të majta duke i dhënë respektin e duhur çdo partie të majtë dhe çdo personaliteti të së majtës. Kjo e bën më të plotë, më të qëndrueshëm dhe më të efektshëm bashkimin e partive të majta. Së treti, PS duhet të jetë e hapur për marrëveshje politike deri në koalicion edhe me parti të spektrit të djathtë, duke synuar krijimin e shumicave parlamentare që nuk pengohen për të bërë reformat jetike që ka vendi përpara në procesin e modernizimit të tij dhe në hapat konkretë të integrimit europian.
PS nuk dëmtohet nga debatet se si duhet të modernizohet, si duhet të maksimizojë gjithë kapacitetet e saj politike, si të rrisë dhe të zgjerojë aleatët e së majtës, duke krijuar një të majtë solide mbi bazë programore dhe fituese në përballjet e afërta elektorale. PS mund të krijojë një model të efektshëm duke rritur vetveten, duke zgjeruar koalicionin e partive të majta dhe duke qenë e hapur dhe bashkëpunuese edhe me parti të tjera të spektrit të djathtë, së pari dhe mbi të gjitha, për prioritetet kombëtare.
A do të vazhdoni ju me konsultimet në publik për çështje që shqetësojnë jo vetëm PS-në, por edhe vendin?
Ne duhet të lexojmë shumë mirë çdo votë të zgjedhjeve parlamentare 2009 dhe zgjedhjeve vendore 2011. Është koha që PS të lexojë votën “pro”, votën “kundër” por edhe votën “abstenuese” nga radhët e intelektualëve, punëtorëve, fermerëve, të papunëve, shtëpiakeve, studenteve etj., duke filluar me sqarimin parimor se kë përfaqëson ajo aktualisht dhe apo i përfaqësojnë interesat e këtyre shtresave shoqërore deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
PS është dëmtuar dhe do të vazhdojë të dëmtohet akoma më shumë n.q.s. kërkon të kopjojë modelin e dështuar “Berisha”, modelin e individi të fortë dhe institucione të dobëta. Pushtetet e përqendruara dhe pushtetet e pakufizuara në kohë të disa individëve, janë sot rreziqet reale për shumë vende. Por, pasojat e tyre janë më të rënda në vendet me institucione të dobëta. PS duhet ruajtur jo nga ata që debatojnë publikisht për sfidat e saj, por nga mentalitetet drejtuese dhe kontributet “solidarizuese” që fshehin dështimet nëpërmjet kërkesave për gjyqe ndaj “armiqve të partisë”.
Këto momente kritike do të diskutohen në çdo takim publik me të rinjtë, me të vetmin përkushtim, që PS të jetë realisht një parti moderne dhe që shqiptarët të shpëtojnë sa më parë nga pushtetet absolute dhe të korruptuara, në nivele vendore dhe qendrore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura