INTERVISTA/ Malaj: Blushi “viktimë” e vetvetes, abuzim alibia se LMN i shërbente Berishës

May 26, 2015 | 10:07
SHPËRNDAJE

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, e cilëson viktimë të vetvetes deputetin socialist Ben Blushi, i cili si pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe u tërhoq prej saj në vitin 2010.

ARBEN MALAJ DHE BEN BLUSHI

Duke analizuar reformat e qeverisë në 18 muajt e saj të parë, Malaj i vlerëson ato si pozitive, por është edhe kritik për kosotot sociale që disa prej tyre krijuan, duke përmendur këtu mbledhjen në mënyrë drastike të faturave të prapambetura.

Z.Malaj, pas 18 muajsh qeverisjeje të së majtës, si i lexoni rezultatet e reformave ekonomike të qeverisë, ndryshimi i taksave, klima e biznesit etj.?
Disa reforma kryesore janë në fazat e para të implementimit të tyre, si në fushën e energjisë, pensioneve dhe përmirësimin e ambientit të biznesit. Disa rezultate janë arritur, por duhen thelluar dhe duhet të jenë të qëndrueshme. Reformat nuk duhet të zbehen nga ballafaqimet elektorale dhe të mos rrezikohen në asnjë kohë nga rotacionet politike. Ndërsa disa aksione të fokusuara në problematika kryesisht të trashëguara, sidomos mbledhja e sforcuar e detyrimeve të prapambetura për faturat e energjisë, kanë prodhuar kosto sociale të rënda. Ky shqetësim i ngritur që në ditët e para për efektet e mundshme u vërtetua edhe nga analizat më të thelluara të FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë. Mosfunksionimi i skemës së pagesave për familjet e varfra e bëri më të rëndë jetën e tyre. Të mos harrojmë që ndërsa çdo kompensim që nuk mbërriti te të varfrit, në buxhetin e shtetit rezulton “kursim”, tek individët dhe te familjet e varfra rezulton varfëri e rritur. Do të duhej që mbledhja e faturave të prapambetura të zgjatej më mirë në kohë dhe njëkohësisht fillimi i aksionit duhet të ishte bërë pasi të ishte ndërtuar saktë dhe testuar skema e asistencës dhe kompensimit për të varfrit.

Një studim thotë se çdo borxh i marrë mbi 60% të GDP nuk e shlyen dot veten. Si e vlerësoni nivelin aktual të borxhit dhe tendencën e tij kur kërkohet një hua e re?
Menaxhimi i krizave, vënia nën kontroll e deficitit dhe borxhit është një detyrë e vështirë, dhe jo afatshkurtër. Qeveria, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, ka një program afatmesëm buxhetor, ku janë përcaktuar tavanet (kufijtë maksimalë të lejueshëm, të pakalueshëm të nivelit të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Kredimarrjet dhe garancitë e reja duhet të jenë nën këto tavane kufi. Një pjesë e borxheve të reja janë strukturime të borxheve aktuale, duke synuar të ulet kostoja e borxhit, të zgjaten në kohë borxhet dhe të vendosen raporte më të mira midis borxhit të brendshëm dhe të huaj. Vetëm një pjesë mund të jetë borxh i ri, por detyrimisht nën tavanet e miratuara afatshkurtër dhe afatmesëm. Çdo rishikim i rritjes së këtyre tavaneve, pra i deficitit dhe borxhit, është atribut kushtetues vetëm i Parlamentit. Aftësia shlyese e borxheve aktuale, e cila është mbi 70% e PBB-së, do të kushtëzohet nga ritmet e rritjes së ekonomisë, nga rritja e eksporteve dhe menaxhimi sa më i mirë i financave publike, si në krahun e të ardhurave, edhe të shpenzimeve, sesa nga borxhet e reja.

A duhet rishikuar marrëveshja me FMN-në dhe a ia lidh ajo duart qeverisë për të rritur investimet publike?
Statusi i vendit kandidat, marrëveshja me FMN-në, si edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanive private vendëse dhe të huaja, u vlerësuan si arritje, të cilat pas situatës kritike të trashëguar, ndihmuan në kthimin e besueshmërisë së tregjeve të kapitaleve dhe institucioneve financiare për ekonominë tonë. Por ende jo në rritjen e besimit të individëve dhe biznesit që kanë peshën/kontributin kryesor në rigjallërimin e ekonomisë, hapjen e vendeve të punës dhe reduktimin e varfërisë. FMN në asnjë rast nuk kushtëzon drejtpërdrejt nivelin e investimeve publike të një vendi, më të cilin ka marrëveshje. FMN kushtëzon arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të financave publike, pra mbajtjen nën kontroll të deficitit dhe borxhit publik. FMN ka kryer dhe publikuar shumë studime për domosdoshmërinë dhe efektet pozitive të rritjes së investimeve publike si pjesa “smart” e paketave antikrizë. Ajo këshillon uljen e shpenzimeve operative jo efektive, uljen e subvencioneve, mosrritjen e paargumentuar të pagave dhe pensioneve, por këshillon dhe mbështet rritjen e investimeve publike. Propozimet për rritje të pagave, pensioneve dhe mbrojtjes sociale pa rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe nëpërmjet rritjes së borxhit do të ishte importim me çmim të lartë i modelit Syriza në ekonominë e vendit tonë. Gjatë krizave, FMN këshillon akoma më me forcë rritjen e investimeve, duke mbajtur parasysh faktin që qeveritë duhet të ndikojnë në rritjen agregate në ekonomi (ndaljen e krizës dhe rikthimin në nivele para saj), duke rritur investimet publike dhe aq më tepër që, aktualisht, kostoja e parasë në tregjet e kapitaleve është historikisht e ulët, por jo përgjithmonë. Nëse qeveria shqiptare argumenton se kërkon rritje të investimeve pa rritur deficitin dhe borxhin drejt nivele kritike, nëse e synon këtë nga menaxhimi më efektiv i shpenzimeve të buxhetit dhe nga përmirësimi i rritjes së të ardhurave, nuk ka vështirësi në negociata. Në qoftë se rritjen e investimeve publike e kërkon me rritje të mëtejshme të niveleve të deficitit dhe borxhit, atëherë FMN-ja, duke mbajtur parasysh edhe riskun e cilësisë së dobët të investimeve publike, por sidomos nivelin e kuq të borxhit publik, logjikisht kërkon respektimin e marrëveshjes.

Eksodi i pazakontë i shqiptarëve, kryesisht drejt Gjermanisë në muajt e parë të këtij viti, mendoni se vjen për shkaqe ekonomike?
Mund të ketë shumë faktorë dhe jo vetëm një, por në nivelin e ulët të konsumit, investimit individual e të biznesit dhe në prirjet për eksode, kanë ndikimin e tyre zinxhir, pasiguria për të ardhmen, si dhe vështirësia për punë dhe jetesë. Këshilla kryesore për çdo reformë nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare është: identifikoni qartë çdo individ dhe familje që do të preket nga reformat, nga rritja e papunësisë dhe varfërisë dhe i asistoni nga afër me projekte të asistencës dhe mbrojtjes sociale. Ky është një detyrim jo vetëm social, por, mbi të gjitha, thelbësisht njerëzor.

Ju keni bërë një fushatë model në 2013 në qarkun e Vlorës, duke shmangur akuzat dhe fyerjet ndaj kandidatëve të tjerë. Ka pasur debate lidhur me thirrjen e Kryeministrit për të mos votuar kandidatët e PD, si e vlerësoni fushatën e Kryeministrit Rama dhe atë të kreut të opozitës?
Pozitiviteti në konkurrimet politike ka të bëjë me faktin se pëlqej të shikoj/analizoj gjysmën e gotës plot, sepse ajo inspiron të angazhohesh për ta mbushur pjesën e mbetur bosh. Ndërsa fokusimi te pjesa bosh shpesh ushqen tensionime jo vetëm politike, çka në rastin më të mirë rrezikon ta derdhë gjysmën plot dhe, në rastin më të keq, të thyhet gota, duke e nisur shpeshherë nga e para, e cila është gjithnjë më e vështirë kur e gjithë gota është bosh. Do të ishte në të mirë jo vetëm të kredibilitetit publik të kandidatëve, jo vetëm të partive politike, por sidomos për të gjithë shqiptarët, që zgjedhjet lokale të ishin në çdo aspekt të tyre sa më lokale. Sa më pak angazhim të kryetarëve të partive politike, sa më pak konkurrim me politika dhe projekte të qeverisë qendrore, sa më pak angazhime nga strukturat politike, administratës dhe biznesit nga qendra. Kryetarët e rinj të bashkive duhet të konkurrojnë me vizionin, idetë, politikat, projektet e tyre dhe me fondet nga burime të drejtpërdrejta të bashkive, fondet nga taksat dhe tarifat vendore, kreditë, donacionet dhe bashkëpunimi me komunitetin. Ata kanë shumë mundësi që edhe me jo shumë para të bëjnë punë shumë të mira për komunitetin e tyre. Çdo skenar tjetër e kushtëzon suksesin e tyre jashtë vullnetit dhe kompetencave të tyre, çka i dobëson gjatë mandatit në krye të Bashkisë, përvojë që deri tani ka rezultuar e pasuksesshme.

Si e vlerësoni përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie nga PS? Në këtë aspekt, a i shihni me vend kritikat e ish-kolegut tuaj të LMN, Ben Blushi, për shkelje të rregullave statutore nga Rilindja në kurriz të PS?
Kur nga anëtarët e PS-së kisha mandate përfaqësimi si deputet, ministër, anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së PS-së, ndieja dhe kisha njëkohësisht përgjegjësi jo vetëm politike, për t’i përfaqësuar, prandaj kam qenë i angazhuar pozitivisht për shqetësimet e tyre, duke u shprehur në kryesi, në Asamble Kombëtare, si edhe publikisht. Lidhur me pyetjen tuaj theksoj se çdo angazhim real, i sinqertë dhe i përkushtuar për atë se çfarë PS mund të bëjë më mirë si forcë politike dhe si forca kryesore qeverisëse e vendit tonë, duhet të jetë pozitiv. Këto parakushte për angazhime publike kushtëzojnë dobishmërinë dhe suksesin e tyre.

Në daljet e fundit publike, Ben Blushi është shprehur se ndihet i keqardhur se ju, Andis Harasani, Kastriot Islami dhe Marko Bello, nuk jeni pjesë e Grupit Parlamentar, ndërsa tha se tërheqjen nga LMN e bëri sepse në atë kohë dobësimi i PS mund t’i shërbente Sali Berishës. Ishte kjo arsyeja pse LMN e mbylli projektin e saj?
Populli i mençur shqiptar thotë se “Koha është gjykatësi më i mirë”. Opinioni publik ka forcën e analizave shumë më të fortë se çdo individ, sepse nuk angazhohet në bazë të interesave apo përfitimeve të pritshme personale. Edhe në përgjigje të pyetjes suaj specifike, parapëlqej t’ju përgjigjem me parimin që më inspiron përherë, atë të pjesës plot të gotës së çdo sfide jo personale. Alibitë me abuzimet se kujt i shërbente apo i shërben një mendim, një lëvizje apo një debat publik, i përket gjysmës bosh. Gjysmës së shpresës të derdhur për arsye të paarsyeshme, që vetëm ata që e hodhën poshtë mund ta dinë më mirë dhe ta sqarojnë më sinqerisht se kushdo tjetër. Kjo ndodh jo rrallë, kur individë të ndryshëm bien “viktima” edhe të vetvetes.

Si e vlerësoni kërkesën e presidentit turk Erdogan për mbylljen e institucioneve terroriste turke në Shqipëri, duke nënkuptuar institucionet arsimore të lëvizjes “Gylen”?
Ka kohë që në të gjitha analizat në kancelaritë diplomatike dhe median ndërkombëtare theksohet se thellimi i demokratizimit dhe jo absolutizimi i pushteteve është ajo që i shërben më mirë Turqisë. Në këtë kontekst duhet parë edhe kërkesa për mbylljen e institucioneve arsimore të lëvizjes “Gylen”. Cilësimi “organizatë terroriste e lëvizjes ‘Gylen’” dhe kërkesa publike e Presidentit turk për t’i trajtuar si organizatë terroriste, duhet të kishte një përgjigje zyrtare publike nga autoritetet shqiptare. Kur individë apo organizata të ndryshme janë deklaruar terroriste nga Kombet e Bashkuara, si edhe në listën e azhurnuar që bëri publike Presidenti amerikan, Shqipëria ka bashkëpunuar me vendet e ndryshme dhe sidomos me institucionet ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Aktualisht lëvizja “Gylen” nuk është në asnjë prej këtyre listave. Në qoftë se premtimet për projektet e deklaruara janë të kushtëzuara me plotësimin e kërkesës për mbylljen e institucioneve arsimore të lëvizjes “Gylen”, atëherë kjo jo vetëm për nga madhësia, por sidomos nga kushtëzimi, nuk është mbështetje ekonomike, por një përpjekje për eksportimin e krizës politike të Turqisë në vendin tonë, pavarësisht reagimit “ekstremist” të z.Gjinishi në mbështetje të kësaj kërkese. Projekti i Parlamentit dhe projektet e tjera nuk duhet të fillojnë pa qartësuar këtë kërkesë/kushtëzim të pazakonshëm, pasi mund të ndodhë ajo që ka ndodhur shpesh në historinë tonë të mosmarrëveshjeve me “motrat dhe vëllezërit strategjikë”, ku mbetën të papërfunduara shumë “projekte madhështore”. Turqia është një fuqi ekonomike në rritje, e cila mund të jetë e qëndrueshme dhe cilësore vetëm kur të mbështetet më mirë në institucione të forta dhe standarde të larta të demokracisë. Prezenca jo vetëm ekonomike e Turqisë tenton të rritet ndjeshëm në Ballkan. Por rritja dhe sidomos impakti i saj e kushtëzon nga standardet e demokracisë brenda Turqisë dhe nga respektimi i parimeve themelore ndërkombëtare në bashkëpunimin me vendet e tjera. Paqen dhe prosperitetin, Shqipëria dhe shqiptarët, i arrijnë dhe i përmirësojnë nëpërmjet bashkëpunimit strategjik me SHBA, BE dhe NATO-n. Prioritare mbeten detyrat e shtëpisë, sidomos cilësia dhe standardet e zhvillimeve ekonomike dhe politike që qeveria shqiptare duhet të bëjë. Çdo opsion tjetër, aq më tepër në kundërshtim me vlerat dhe standardet e demokracive perëndimore, vetëm na pengon.

 

Aristir Lumezi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura