Maksim Rakipaj, autori i librit “gjallë pas mbytjes së anijes”. Të burgosurit e dashurisë; tri histori nga qelitë e Spaçit

Feb 24, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Me njëri-tjetrin ata i bashkoi vetëm burgu dhe çmenduria e kohës në të cilën jetuan. Përndryshe, nuk do të ishin bërë asnjëherë bashkë duke dëgjuar e rrëfyer historitë e njëri-tjetrit. Sot, shumica e personazheve të mëposhtëm nuk jetojnë. Historitë e tyre i ka mbajtur gjallë autori i librit “Gjallë pas mbytjes së anijes”, Maksim Rakipaj. Vetë autori, ish-i dënuar që ka vuajtur në burgun e Spaçit, ku jetoi e krijoi miqësi me personazhe, të cilët ndoshta nuk ia priste mendja se kohë më vonë do t’i bashkonte në një libër. Të tria rrëfimet e mëposhtme kanë të njëjtin bosht, dashurinë. Atë për të cilën ata vuajtën lirinë. Ndoshta mund të keni lexuar gjatë për historitë e shqiptarëve me vajzat ruse, një prej të cilave është pjesë e rrëfimeve të mëposhtme, por nuk do t’ju ketë rënë rasti të dëgjoni për historinë mes inxhinierit A.R dhe francezes së tij borgjeze, Irenë (nofkë). Po për atë që nga të dhënat kuptohet se ka qenë një kampion boksi e që përfundoi i vetëvrarë?! Me të tria këto histori, edhe përmes grave të tyre, na njeh autori të cilit ia kanë rrëfyer vetë protagonistët.

Maksim Rakipaj
Dashuria franceze e filologut që Ramiz Alia e dënoi me burg
Kam njohur disa bashkëvuajtës, të cilët kanë përfunduar në burg për shkak të dashurisë. Dikush donte të arratisej për të shkuar mbas gruas në Rusi a gjetkë… E dënuan 25 vjet burg. Një vajzë e re u dashurua pas tij në sallën e gjyqit. Vëllezërit i kishte anëtarë partie. E përzunë nga shtëpia. Vuri kurorë në burg me të dashurin e saj. E priti jo pak, por plot 25 vjet. E persekutuar, e internuar, e përfolur dhe e braktisur nga të gjithë. Kur u lirova, i gjeta të dy bashkë, nuk ishin më të rinj si para 25 vjetësh, por më ngjanin aq të bukur të dy… Në vitin ’92 i takova përsëri, sapo ishin kthyer nga Moska. Kishin shkuar që të dy për të takuar gruan e tij të parë, rusen e bukur, bashkëshorten e dikurshme.
Në Spaç u njoha me A.R, dibran. Kish mbaruar në Sorbonë për Letërsi me medalje ari, nga të rrallët studentë që e meritonin. Temë diplome pati zgjedhur një studim për Migjenin, juria franceze mbeti gojëhapur. A. kishte jetuar disa vite në Paris, dhe ishte integruar plotësisht në jetën parisiene. Kishte zënë edhe një të dashur franceze, po e quajmë Irenë. E bukur dhe e pasur Irena. Daja i saj, pronar i një rrjeti televiziv me emër, pati bërë edhe një emision për letërsinë shqipe, ku i ftuar kryesor ishte shqiptari i talentuar.
-Më thoshte gjithnjë daja i Irenës: “Sa të mbarosh, e ke të garantuar punën në TV”. Por nuk qe e lehtë. Sado që A. ruhej të mos e merrte vesh asnjë student tjetër shqiptar, Ambasada kishte rrjetin e saj të informatorëve midis studentëve. Një herë në javë, të gjithë studentët shqiptarë ishin të detyruar të mblidheshin në ambasadë. A. pati mbaruar shkëlqyeshëm studimet dhe priste të tërhiqte edhe medaljen e artë që pati fituar. Por kishte bërë një gabim të rëndë: “…i qenë errësuar sytë nga shkëlqimi i rremë i borgjezisë franceze” (kjo ishte akuza për të). Kishte bërë martesë zyrtare me Irenën. Studentët spiunë e patën bërë punën e tyre. Ambasadori lajmëroi qendrën: “Armiku po na merr djemtë!”
Dy ditë para se të merrte diplomën, A. merr një telegram urgjent nga Shqipëria: “Babai shumë rëndë, nisu urgjent që ta gjesh gjallë”.
Para se të nisej për në Tiranë, u takua me Irenën. Duke dyshuar për ndonjë kurth të mundshëm i tha: “Nëse nuk kthehem më dhe nëse nuk lidhemi dot në telefon, dije se jam në burg ose i vdekur”.
E donte shumë babain e vet dhe nuk mund të mos i përgjigjej thirrjes nga familja. Në Rinas, për çudi, e priste vetë babai. Turivarur i thotë: “Të nisi Partia në Francë për të studiuar dhe jo për të shkërdhyer kurvat e Francës, edepsëz! Na nxive faqen para Partisë! Turp të kesh!”
“Po unë studiova, baba, mora medalje ari!”
“Fshi bythën me diplomën tani!”
Të gjitha tentativat për të folur me Francën ishin të kota. Ishte viti 1974. Miqtë e babait i siguruan një takim me Ramiz Alinë. Pyetjes së Ramizit “Pse u martove në Francë?”, A. iu përgjigj me naivitet: “Kushtetuta nuk e ndalon martesën e shqiptarëve me shtetas të huaj, shoku Ramiz. Si student e nderova vendin me medalje ari. Si djalë i ri u dashurova me Irenën… Nuk e kuptoj, ku është faji që kam bërë unë?!”
Familja e Irenës kishte miq të fuqishëm në Paris. Ata ndërhynë deri te Presidenti francez i asaj kohe, z.Valeri Giscard d’Estaing. Presidenti francez i dërgon një letër miqësore homologut të tij shqiptar, Haxhi Lleshit. Xhikja i shkretë, që Partia e detyroi të divorcohej në pleqëri, merrte rrogën kot si President. Letrës së Presidentit francez, ata që drejtonin dhe komandonin çdo gjë, madje edhe jetën private të cilitdo, i kthyen këtë përgjigje: “Z. Valeri Giscard d’Estaing, ju informojmë z.President se A., ish-student në Sorbonë, është një donzhuan. Ai tani bën të njëjtën gjë edhe në Shqipëri, si njeri i pamoralshëm që është. Madje, refuzon të vijë në Paris për të tërhequr diplomën…etj. etj.”
Rezultat i menjëhershëm i asaj letre ishte arrestimi dhe dënimi: 8 vjet burg për agjitacion e propagandë. Sot A. jeton në Francë, kam shumë vite pa e parë…
“Shokë burgjesh”, vizatim nga Lekë Përvizi
Ndoc Naraçi dhe Evelyn, gruaja hebreje që i ndryshoi jetën inxhinierit të famshëm  
Sot është e diel apo e djelë? Në Shkodër i thonë “e dillë”.
E kam dëgjuar së pari prej Ndoc Naraçit në Tresh të Lezhës.
Ishte e diel, korrik i vitit 1964. Im atë ato vite punonte aty dhe ne gjendeshim të gjithë në Tresh; Rreth orës 10 bie dera. Nëna ime e hapi dhe u uroi mirëseardhjen miqve; Ishin një çift i moshuar, pak a shumë te të shtatëdhjetat. Im atë doli dhe sa i pa:
-Ooo, Ndoc, sa mirë bëtë që erdhët! Zonja Eva, mirëmëngjes.
Isha nja 13 vjeç dhe shikoja me habi çiftin që ngjante sikur vinte nga një udhëtim me makinën e kohës, për nga etiketa dhe edukata në të folur dhe jo vetëm. Edhe në krehjen e flokëve. Në veshje. Mënyra si e shikonin njëri-tjetrin, gjithë dashuri, si të porsafejuar adoleshentë.
Nga theksi kuptohej që zonja Eva ishte e huaj, por vetëm nga theksi, shqipja e saj ishte fare e saktë. Një shqipe e bukur, një shkodrane si e Ndocit… Me kohë e mora vesh historinë e çiftit Naraçi. Dhe nuk është një histori e lexuar apo e parë në ato telenovelat braziliane e turke, që gratë i ndjekin me shami në dorë.
Djaloshi Ndoc Naraçi, pinjoll i një familjeje të njohur shkodrane, mbaroi studimet e larta në Vjenë. Truplidhur, sytë të kaltër, biond, nuk dallohej aspak nga vendësit. Student i shkëlqyer dhe djalosh i shkëlqyer, nuk humbiste asnjë rast nga ballot e famshme vjeneze, ku bëri edhe miq të shumtë nga familje të mëdha austriake. Aty njohu edhe zonjën Evelyn, me origjinë nga hebrenjtë polakë, e martuar në një familje të madhe dhe të pasur vjeneze, kishte dy djem nga martesa e saj. U njoh me Ndocin dhe u dashuruan të dy me njëri-tjetrin. Në prag të viteve ’30, Ndoci u diplomua inxhinier në Vjenë. Evelyn u divorcua nga bashkëshorti i saj dhe bashkë me Ndocin erdhën në Shqipëri. U martuan. Të lumtur, të pasur, të dashuruar. E donin të dy Shqipërinë, muzikën, poezinë, udhëtimet nëpër Europë. Nuk u mungonte asgjë. Dora e inxhinierit të ri është në të gjitha ndërtimet e kohës. Talenti i tij ra në sy edhe te Mbreti Zog, kështu që në vitin 1935 Ndoc Naraçi emërohet ministër i Punëve Botore (Publike) në qeverinë e kohës. Lumturia është e plotë: ministër në moshë të re, një grua të bukur që e donte, që fliste 4-5 gjuhë dhe që shqipen e mësoi menjëherë. Lumturi që do të ndërpritej më vonë, brutalisht, në mënyrë absurde. Por që nuk do të cenonte kurrë dashurinë e tyre. Ajo ishte e përjetshme. Filloi okupacioni italian, mbas vitit ’43, një vit nën gjermanët, nuk qe i lehtë për Ndocin me një grua me origjinë hebraike. Por arritën t’i mbijetojnë edhe kësaj. Kurrkush nuk i spiunoi, nuk i tradhtoi. Lufta mbaroi, vendi ishte i shkatërruar, Ndoci ishte gati t’i përvishej punës për rindërtimin e vendit. Nuk pati nevojë pushteti i mbas ’44-s për shërbimet e ing. Ndoc Naraçi. E arrestuan me akuzën “Armik i popullit”. E dënuan 10 vite; ia konfiskuan gjithë pasurinë. Zonjën Evelyn e detyruan të largohej nga Shqipëria si shtetase e huaj… Kryelartë, refuzon të largohet nga vendi. Bën punët më të rëndomta për të jetuar dhe për të ndihmuar burrin e saj në burg. Ajo që ishte rritur me shërbyese, që i pastronin shtëpinë, i gatuanin, i lanin teshat… punoi si shërbyese, rrobalarëse, mësuese e gjuhëve të huaja privatisht dhe nuk iu nda kurrë të dashurit të saj derisa ai doli prej burgu. Në vitet ’60, një prej djemve të zonjës Eva punonte në Ambasadën Amerikane në Paris dhe vinte çdo vit në plazhin e Durrësit, ku rrinte rreth dy javë për të takuar nënën e tij… “Çfarë të të sjell nënë, këtu nuk ka asgjë…”; “Vetëm libra, biri im, vetëm libra…”
Kthehej në Tresh të Lezhës, pasi takonte të birin me valixhet mbushur plot me libra: në frëngjisht, anglisht, italisht, rusisht, gjermanisht…
Vdiqën në fillim të viteve ’90, pak ditë pas njëri-tjetrit, thuajse njëkohësisht, kuptohet, në Shkodër. Shkodra e tyre ishte e gjitha në varrim; Shkodra e artit, e poezisë, e muzikës, e dashurisë, e antikomunizmit, i përcolli ashtu si e meritonin: me dashuri.
Inxhinieri Ndoc Naraçi (rreth) në gjyqin special të vitit 1945

Tradhtia që vrau një burrë, boksieri që përfundoi në burg
Nga miqtë e parë që zura në Spaç, ka qenë Zyhdi Morava. Prej tij njoha edhe Hiqmet Myzyrin, Islam Spahiun e plot të tjerë. Janë shumë. Njoha edhe G.H, një ish-kampion i njohur në Durrës në vitet ’60. Kur ishte i ri e mbaja mend turbull, një djalë tepër simpatik, i fuqishëm, për 8 vjet rresht kampion kombëtar në sportin e tij dhe më pas trajner në një ekip sporti të rëndë në rrethin e Durrësit. Shkëlqeu edhe atje. Një ekip i padëgjuar dhe në kategori të ulëta, që në sajë të punës së tij doli në kategorinë e parë dhe shumë shpejt edhe kampion i vendit. Ishte G. që, veç sportit, merrej edhe me punime në dru, mobilieri etj. Fitonte mirë. Ra në dashuri dhe u martua me një vajzë bukuroshe, që i dha dy vajza.
G. e adhuronte të shoqen dhe vajzat. Me gruan sillej gjithnjë, edhe pas vitesh martese, si në ditët e para të dashurisë. Nuk linte që t’u mungonte asgjë, kurrë nuk e kishte ngritur zërin, i fliste gjithnjë vetëm me përkëdheli. Një qëllim kishte: ajo dhe vajzat e tij duhet të ishin përherë të lumtura. I lumtur ishte edhe vetë G., nuk i mungonte asgjë. Gjendja ekonomike e tyre ishte më se e mirë, dy vajzat si yje dhe një grua e bukur që e dashuronte çmendurisht. Ç’duhet më tepër për të qenë i lumtur? Shëndeti, paratë, dashuria… të gjitha i kishte.
“I lutesha Zotit vetëm jetë të na jepte që ta jetonim sa më gjatë ëndrrën tonë të bukur, o Maks”, më thoshte i miri, i paharruari, G.
Por nuk qe e thënë. Një ditë u kthye para kohe në shtëpi, 3 orë më parë se zakonisht. Hapi derën… dhe gjeti gruan e tij në shtrat me një tjetër. Nuk foli asnjë fjalë, nuk bëri asnjë gjest. Mbylli derën dhe doli për të mos u kthyer më atje. Gjeti një vend tjetër për të fjetur. Divorci u bë shpejt. G. nuk pati asnjë kërkesë a pretendim ndaj ish-bashkëshortes. Filloi alkoolin, që e pati quajtur gjithmonë armik të vetin. Dehej çdo ditë, që në mëngjes. Netëve mezi gjente rrugën për t’u kthyer në kthinën e tij. Kur dehej vetëm këndonte, këngë ruse dhe italiane… dhe qeshte e bënte shaka me të gjithë. Nuk zihej kurrë. Jo pse ia kishin frikën e grushtit të tij me nam edhe jashtë vendit, por sepse të gjithë e donin dhe e respektonin.
“Më thoshin të gjithë: mos pi se do të shkatërrosh veten… e si të mos pi?! Kur vetëm i dehur jetoj dhe mund të këndoj… dhe mund të bëj dashuri?! Ë? Ik pirdhuni të gjithë, u thosha, ju s’merrni vesh nga jeta”.
Një ditë ndodhej në bufe “Ylli”. Sapo i erdhi në tavolinë një dopio raki që porositi, i afrohet një civil dhe i thotë në vesh: “Dil një minutë jashtë se të pret një shok.”
Jashtë e priste makina e degës për ta arrestuar…
“Më mbeti merak, ika pa e pi edhe atë dreq dopio dhe e pata parapaguar”.
Trupi gjykues kërkoi 4 vjet burg.
“Po çfarë trupi gjykues jeni ju, more? Si e dënoni tjetrin pa faj? Bëtë llollollo dy sahat dhe nuk vërtetuat asnjë akuzë! Ju jeni trapi gjykues jo trupi”.
Për fyerje të trupit i shtuan edhe dy vite të tjera. E dënuan 6 vjet. E dërguan në Spaç për të vuajtur dënimin. Atje u sëmur, njëra këmbë iu atrofizua dhe filloi të çalonte. Fitoi një raport paaftësie për nëntokë. Ndihmat që i dërgonte e ëma nga Tirana nga pensioni i saj ishin të pakta. Nuk mund t’ia lejonte vetes t’u lypte cigare të tjerëve… Kërkoi me ngulm të punonte nëntokë dhe e lejuan. Ka punuar gjithmonë me lopatë nën tokë, gjithmonë në grup me Llambi Gjideden. Edhe ashtu, duke tërhequr një këmbë zvarrë, punonte si kalë. Merrte gjithmonë mbi 1500 lekë të vjetër çdo muaj. Muajt e fundit para se të lirohej, mori një të ftohur. Nuk mund të punonte më. Bashkë me Visarin e morëm që të hanim bashkë, me ndihmat që na dërgonin familjet tona. I shërbenim me radhë, duke i çuar në shtrat ndonjë kafe, kakao apo çaj të nxehtë deri sa u bë mirë dhe e mori veten plotësisht.
U lirua në vitin 1982. E porosita të shkonte të takonte familjen time. Shkoi, u përqafua me prindërit e mi dhe nuk pranoi të pinte asnjë gotë raki… “Kjo më futi brenda mua”. Kur u lirova unë në ’84, u takuam me mall. Ishte bashkuar me gruan e dytë, me të cilën kishte një djalë që ishte kopje e tij. Nuk them dot se shkonin mirë burrë e grua. Punonte në një ndërmarrje në Shkozet. U alkoolizua përsëri. E la dhe filloi disa herë alkoolin, mori edhe një kurë për këtë. Më në fund e la pijen, por u mbyll në vetvete. U shmangej të gjithëve. Në ndërmarrje kërkoi ta dërgonin në një kantier sa më larg Durrësit. E dërguan në rrethinat e Shkodrës. Aty vrau veten; u helmua duke pirë një litër koçifoz më duket, aty rreth vitit ’86. Para se të kryente vetëvrasjen, shkroi në letër, ku shpjegonte përsenë e këtij veprimi. Letrën ia dërgoi një shokut tonë të Spaçit, Fadil Hykës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura