Maks Velo flet hapur: Rama ka bërë punë të mira, por dështoi me Teatrin, kurse PD-ja u fut në lojë sepse..

Sep 19, 2018 | 17:19
SHPËRNDAJE

Për arkitektin dhe artistin Maks Velo, të majtë e të djathtë janë fajtorë për gjendjen në Teatrin Kombëtar. Madje, fajtorë jemi të gjithë ne, që e kemi lejuar këtë gjendje.

Velo, dje ne takimin per Teatrin
Velo, dje ne takimin per Teatrin

Sipas tij, edhe përfshirja e Partisë Demokratike në këtë çështje nuk ka të bëjë me Teatrin, por me dëshirën për të vjedhur.

Maks Velo u tregua shumë i ashpër jo vetëm me politikanët, por edhe arkitektët, që kanë “dorëzuar licencën”, në funksion të interesave vetjake.

MAKS VELO 

E kam theksuar vazhdimisht se fajin e kemi vetë! Ne shpresojmë te ndërkombëtarët. Janë prerë koka me gijotinë derisa është bërë Franca. E ata thonë: Pritini dhe ju kokat që të mësoni sesi bëhet Teatri, sepse ne presim çdo gjë nga ndërkombëtarët, por këtë katastrofë e kemi bërë vetë, sepse ne nuk jemi më të mirë.

As këta të Partisë Demokratike, të cilët po ta kishin për zemër Teatrin, do ta kishin bërë me kohë dhe nuk do të na kishin lënë në këtë derexhe. Ishin ata që i ngritën kullat e para te Bulevardi. Ishte PD-ja. Janë të gjithë njësoj, të gjithë për të vjedhur! Këtu është e keqja, këtë nuk kapërcejmë dot ne, nuk e kapërcejmë dot vjedhjen dhe kjo që po ndodh është aferë vjedhjeje, nuk është aferë teatri.

Rama ka bërë shumë gjëra të mira: ndalimin e duhanit, bllokoi ndërtimet pa leje, ka vënë të gjithë të paguajnë energjinë elektrike. Ç’qe punë policore i ka bërë perfekt, mirëpo kur janë punët e tjera të vështira, ai nuk i bën dot, sepse nuk i bën dot askush. Këtu kanë tradhtuar aktorët. Këtu është drejtori i Teatrit, i cili është tradhtari numër një! Kështu që është shumë e vështirë dhe nuk e di sesi do të kalohet ky ngërç. Unë do shkruaj një artikull, për t’iu përgjigjur Artan Shkrelit, i cili thotë që projekti i danezit është një bizhu e arkitekturës.

Projekti i ri për Teatrin, për mua, është një merkato teatralo-gastronomike. Sepse as arkitekti nuk ka guximin të shkruajë mbi të Teatri Kombëtar, s’e ka shkruar as në projekt, as në maket. Në rastin e objekteve të tilla, siç janë opera, teatro, stadium, pra, gjëra që ndiqen, shkruhet emri, sepse kjo është një gjë institucionale. Ai nuk e ka shkruar. Ai është një projekt shumë i dobët.

Rama ka dështuar, ai i jep vendimet vetë. Dështoi te Kinema Republika, Kinema 17 nëntori, që ishte me të vërtetë një bizhu e arkitekturës, te skulptura karshi Kishës Ortodokse, stadiumi është një katastrofë. Nuk mund të lidhet hoteli me stadiumin. Në rastet e stadiumeve duhet siguri maksimale, por nga hoteli mund të sulmohet me lehtësi. Duhet të boshatisësh gjithë hotelin sa herë bëhet një ndeshje. Por pse jemi ne në një situatë të tillë, sepse shkojmë pas vullnetit të një njeriu të vetëm. Sepse arkitektët e kanë dorëzuar licencën me kohë.

Specialistët e fushave të ndryshme te ne tani nuk funksionojnë më, përpara Njëshit. Askush nuk e hap gojën, sepse të gjithë duan të marrin një leje te Veliaj. Ata të PDsë, me përjashtime të individëve të veçantë, çështjen e Teatrit e kanë marrë si lojë politike. Duan të rrëzojnë Ramën dhe të vijnë vetë, që të vjedhin ata.

Por ne e kemi fajin vetë, sepse ne i kemi lejuar në mënyrë indirekte. Dhe shpresën e vetme e kemi te ndërkombëtarët. Çfarë të rregullojnë më parë ndërkombëtarët e shkretë! Këtë çështje e kam përjetuar shumë thellë, sepse Teatri ishte i vetmi vend që na mbante jashtë komunizmit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura