Makinat që prodhojnë ujë nga lagështia në ajër

Sep 18, 2020 | 23:20
SHPËRNDAJE

Deri në vitin 2025, gjysma e popullsisë së botës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të jetojë në zona me mungesa uji të pijshëm. Në këto kushte, disa kompani po ofrojnë alternativa duke analizuar ajrin.

uje

Një pajisje e re që duket si një ftohës i zakonshëm uji bën të mundur përftimin e ujit nga ajri. Karthik Venkatesan do të donte që prindërit e tij ta kishin një të tillë në Indi.

Kur shkoj në Indi, unë gjithmonë blej shishe uji Dasani sepse sëmurem nëse përdor ujin nga rubineti“.

Mungesa e ujit të pijshëm të pastër është një problem global në rritje. Disa kompani kanë zhvilluar teknologji që shndërrojnë lagështinë e ajrit në ujë të pijshëm.

Teknologjia e kompanisë Watergen së pari e pastron ajrin nga grimcat e papastra si pluhuri. Ajri ftohet më pas derisa të shndërrohet në gjendje të lëngshme. Uji kalon nëpër një seri tjetër filtrash dhe një lambë ultravjollcë për të shkatërruar mikroorganizmat.

Makinat e mëdha të kompanisë Watergen kanë ndihmuar në furnizimin me ujë të pijshëm të sigurt në vendet si Sierra Leone dhe Vietnam, dhe gjithashtu në Shtetet e Bashkuara gjatë katastrofave natyrore si uraganët.

Pajisjet e vogla të quajtura GENNY për përdorim në shtëpi ose zyra të punës mund të prodhojnë mesatarisht 30 litra ujë në ditë nëse ka lagështi në ajër.

Kemi nevojë për rreth 30 për qind lagështi në ajër që ajo (pajisja) të funksionojë. Kur lagështia arrin afër nivelit 50 për qind, pajisja funksionon në mënyrë të shkëlqyeshme“, tha Dan Clifford, President i kompanisë Watergen North America.

Niveli më i lartë i lagështisë funksionon më mirë edhe për sistemin prodhimit të ujit atmosferik të kompanisë AquaBoy. Në mënyrë të ngjashme, ky sistem krijon ujë të pijshëm përmes pastrimit të ajrit dhe uljes së nivelit të lagështisë në dhoma.

Kompania Zero Mass Water me bazë në Shtetet e Bashkuara prodhon ujë të pijshëm nga rrezet e diellit dhe ajri, madje edhe në zonat me lagështi relativisht të ulët, duke përdorur hidro-panele. Kjo realizohet përmes teknologjisë që krijon kondensim brenda hidro-paneleve.

Kostoja e këtyre produkteve shkon nga rreth 2000 dolllarë e deri më lartë, që mund të jetë e papërballueshme për familjet në shumë rajone të botës.

India dhe Afrika janë vende të ndjeshme ndaj çmimeve. Kështu që kjo kosto mund të jetë e papërballueshme. Por me një kosto më të ulët, kjo do të kishte një potencial të madh”, tha Karthik Venkatesa, i cili ka familje në Indi.

Prodhimi i ujit të pijshëm nga ajri, një zgjidhje që mund të lehtësojë një nga nevojat më themelore të njeriut. /VOA/

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura