Makinat, me koncesion edhe lejet e qarkullimit

Oct 1, 2015 | 10:57
SHPËRNDAJE

Qeveria ka vendosur të kalojë te privati një ndër procedurat kryesore në rastin e blerjes apo importimit të makinave. Me vendimin e djeshëm, i është dhënë e drejta Ministrisë së Transportit për zgjedhjen e një kompanie private dhe dhënien me koncesion të Shërbimit të Kontrollit dhe Verifikimit të mjeteve rrugore në Republikën e Shqipërisë.

tab
Bëhet fjalë për kontrollin teknik që duhet të kryejë çdo makinë para se të marrë lejen e qarkullit. Ky kontroll, që sot bëhet në zyrat e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, do të kalojë në dorë të privatit.

Këtë kontroll duhet ta bëjë cilido që blen një makinë nga jashtë apo brenda vendit. Para se të marrësh lejen e qarkullimit, sot inspektorët e Drejtorisë së Transportit kontrollojnë numrin e shasisë, gjendjen e mjetit, llojin e karburantit që konsumon, numrin e vendeve, kubaturën e motorit, si dhe disa karakteristika të tjera.


qeveria mbledhje

Në gjuhën e kodit rrugor, kontrolli quhet “verifikim i përputhjes me tipin e homologuar të mjeteve me motor”. Është kjo procedurë që do të tenderohet dhe do të kalojë në duart e privatit. Pas miratimit të lejes koncensionare, sigurisht që do të ketë edhe një tarifë për shërbimin.

VENDIMI
Pasi përcakton kushtet e përzgjedhjes, vendimi thekson koncensionari duhet “të ketë qendra të kontrollit dhe verifikimit të përputhjes me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre (qendra të kontrollit dhe verifikimit) të shpërndara në territorin e Republikës së Shqipërisë për kryerjen e Shërbimit të Kontrollit dhe Verifikimit, me kushte të mjaftueshme materialo- teknike dhe kapacitete operacionale, që të garantojnë funksionimin e përshtatshëm në ushtrimin e këtij shërbimi në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Por ajo që e bën më të qartë vendimin e ri është pika që tregon se kush do ta bëjë këtë kontroll. “Qëllimi i Shërbimit të Kontrollit dhe Verifikimit të mjeteve rrugore nga subjekti që plotëson kushtet dhe është i përzgjedhur nga autoriteti kontraktues është kontrolli dhe verifikimi vlerësues i mjeteve rrugore para regjistrimit për përputhshmërinë me tipin e homologuar.

Shërbimi i Kontrollit dhe Verifikimit do të kryhet përpara veprimeve të regjistrimit të mjeteve me motor, rimorkiove dhe sistemeve të tyre, të reja dhe të përdorura, që prodhohen ose importohen në Republikën e Shqipërisë”. Pra, për të gjitha makinat, para se të marrin lejen e qarkullimit.

DUBLIMI I TRANSPORTIT RRUGOR
Në pjesën e dytë të vendimit, shihet qartë se shërbimi i ri do të jetë një procedurë që tashmë bëhet në zyrat e Transportit Rrugor.

Në pikën 1, të nenit 232, fjalët “…pranë degëve në rrethe të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bazë të vendndodhjes së shoqërisë që ka bërë modifikimin…” zëvendësohen me “…pranë subjektit të licencuar nga ministri përgjegjës për transportin, sipas kritereve të përcaktuara në aktin nënligjor të ministrit…”.

Në pikën 2, të nenit 232, fjalët “…zyra përkatëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas përcaktimeve të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve…” zëvendësohen me “…pranë subjektit të licencuar nga ministri përgjegjës për transportin, sipas përcaktimeve në aktin nënligjor të ministrit…”.

Të dyja këto nene të rregullores përcaktojnë vendin ku bëhet kontrolli teknik i mjetit. Qartësisht nuk do të bëhet më në ambientet e shtetit, por në ambientet e privatit.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura