“Makinat i merrja me qira në vende ku nuk kishte kamera”- Henrik Hoxha sjell detaje të rëndësishme për një sërë atentatesh të bujshme në Elbasan-Tiranë-Durrës

May 24, 2022 | 13:53
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Përveç dëshmisë së Nuredin Dumanit, Prokuroria ka administruar edhe dëshminë e mikut të tij, Henrik Hoxha.

Henrik Hoxha dhe Nuredin Dumani
Henrik Hoxha dhe Nuredin Dumani

Në të dy dëshmitë e bëra publike shihet se kanë dalë të dhëna vetëm për krimet që kanë kryer vetë këta persona, në bashkëpunim me një ushtri personash të tjerë, secili sipas rolit që i është caktuar në kryerjen e “punëve”!

Nga dëshmia e Henrik Hoxhës mësohet se për të gjitha aktet që janë pjesë e dëshmisë së bërë publike, ai është pajtuar nga Nuredin Dumani.

Pra, në rrëfimin e tij, Henrik Hoxha nga Fieri, tregon se përveç një atentati bërë në vitin 2011, kohë kur ai nuk ka qenë i njohur me Dumanin, që ka vepruar për llogari të Ardian Ozunit për të eliminuar Filip Gjeloshin në zonën e ish-Frigoriferit në Tiranë, të gjitha herët e tjera është kontraktuar nga Dumani.

Hoxha në lidhje me atentatin ndaj Gjeloshit thotë se Ozuni kërkonte ta vriste për shkak se ai e kishte sharë dhe kërcënuar me telefon. Hoxha, sipas dëshmisë së bërë publike, mësohet se ka radhitur një sërë atentatesh, vrasjesh dhe punësh që ai ka marrë përsipër t‘i kryejë dhe nuk i ka kryer.

Po në këtë dëshmi shihet qartë se Hoxha ke vepruar gjithnjë me “nipçen”, ku bëhet fjalë për Skerdi Tasin, personin që u vu në pranga pas atentatit të dështuar ndaj Lulzim Mashës, administratorit të shkollës “Willson”.

Po ashtu, duke iu referuar deklarimeve të dëshmitarit Henrik Hoxha, mësohen detaje të rëndësishme që lidhen me vrasjen e Emiljano Ramazanit, vëllezërve Haxhia, dy shokëve Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza, si dhe tentativat për të goditur mikun rival të Dumanit, Talo Çelën.

FAKTE TË NDRYSHME PËR NGJARJE TË NJËJTA

Referuar materialeve hetimore që lidhen me dëshminë e një prej serial-killerave më të mëdhenj në vend, Nuredin Dumani, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë për një mori vrasjesh dhe ngjarjesh mes Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, tregohet se ai ishte ndërmjetësi mes porositësve dhe vrasësve, duke siguruar mjetet, armët dhe në fund paratë për “punën e kryer”!

Janë një sërë elementesh që kundërshtojnë njëri-tjetrin për ngjarje të caktuara edhe te dëshmia e Nuredin Dumanit, por edhe nëse krahasohet me atë të mikut të tij, Henrik Hoxha.

Në fakt, nga të dhëna konfidenciale, bëhet me dije se ka shumë emra dhe fakte që prokurorët ende nuk i kanë klasifikuar si duhet në atë material qindrafaqësh të dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Janë me dhjetëra fakte të reja që lidhen me një mori atentatesh dhe vrasjesh të bujshme që po shqyrtohen për të parë se a përkojnë me të dhënat që ka dokumentuar prokuroria. Po ashtu, po verifikohen lidhjet e të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale për të verifikuar vërtetësinë e dëshmive të dy personave që kanë pranuar të rrëfehen jo vetëm për krimet e tyre.

Ndonëse në rastin e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në Durrës në 2 marsin e 2 viteve më parë, Henrik Hoxha, i cili po vriste për llogari të Nuredin Dumanit, tregon se nuk e njihte shënjestrën që duhej të ekzekutonte, edhe pse Dumani kishte shumë e shumë vite që bashkëpunonte me ta.

RRËFIMI I HOXHËS

Me Nuredin Dumanin, herën e fundit që jam takuar para 15 ditësh ose diçka më shumë kur ky i fundit ka njoftuar me mesazh në telefonin tim i modelit telegram, telefon i cili më është sekuestruar nga Policia. Nuredini më tha se ishte në Kosovë dhe do të vinte në Shqipëri.

Unë kam dalë dhe e kam pritur në Kukës dhe e kam marrë me makinë një “BMV x3”, ngjyrë e zezë, të cilën e kam marrë me qira në Tiranë, në një vend të cilin nuk e mbaj mend se ku ishte ekzaktësisht, por di të them se makinat me qira i merrja në pika që nuk kishin kamera. Nuredini ka ardhur në Kukës, por nuk e di se si e ka kaluar kufirin, duke e ditur se ai ishte në kërkim.

Të dy bashkë me automjetin në fjalë jemi nisur drejt Fierit pa ndaluar rrugës në asnjë vend. Gjatë rrugës nga Kukësi për në Fier, Nuredini më ka treguar se kishte ardhur për të mbaruar punën për të cilën kishte porositur më parë.

15- 20 ditë më parë Nuredini me ka shkruar në telefon dhe me ka çuar foton e personit që duhej vrarë. Nuk e njihja. Më ka treguar edhe vendin ku ai mund të gjendej…

Nuredini më ka premtuar që nëse kryeja këtë vrasje, do të paguhesha 70 mijë euro dhe gjithashtu më ka thënë se donte ta kryente këtë vrasje për shkal se ky person kishte mbajtur hasmin e tij, shtetasin Talo çela në shtëpi…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura