Makinat, dalin formularët për të përfituar nga amnistia

May 10, 2017 | 14:00
SHPËRNDAJE

Qytetarët që kërkojnë të përfitojnë nga amnistia e taksave të makinave duhet të paraqiten pranë drejtorive rajonale për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit.

Formulari do të plotësohet për makinat që kanë shkuar për skrap, që janë shkatërruar apo dëmtuar, të cilat do të çregjistrohen, pasi u falen taksat e papaguara.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor u shpërndau dje drejtorive rajonale formularin e vetëdeklarimit që duhet të plotësohet nga qytetarët.

formuari

Gazeta publikon formularin për mjetet e shkatërruara që u falen taksat dhe formularin kur qytetari që kërkon të mbajë makinën në qarkullim nuk përfiton nga amnistia, për shkak se nuk plotëson kushtet. Por si do të plotësohet formulari për çregjistrim?

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Gani Çupi, sqaron për gazetën se formulari që do të plotësohet nga qytetarët është i vlefshëm për procedurën e heqjes nga qarkullimi të makinave të shkatërruara, apo që kanë shkuar për skrap, të cilave u fshihen taksat. Sipas Çupit, qytetarët pasi të kenë plotësuar formularin vetëm me mjet identifikimi përfitojnë faljen e taksave dhe çregjistrimin e mjetit.

“Për mjetet që nuk janë në qarkullim qytetari duhet të deklarojë edhe arsyet, nëse mjeti ka shkuar për skarpim, është shkatërruar, ose në rast se mjeti është vjedhur, është dëmtuar, apo është bllokuar nga prokuroria.

Po ashtu, në formular qytetari duhet të shënojë dokumentet që ka dorëzuar.

Në rast se nuk disponon dokumentet e mjetit, ai duhet të deklarojë mungesën e tyre. Formulari i deklarimit nënshkruhet nga qytetari dhe pasi janë dorëzuar edhe dokumentet që qytetari disponon, atij do t’i lëshohet një vërtetim, i cili konfirmon që mjeti i tij është hequr nga qarkullimi.

Në procesin e çregjistrimit të mjeteve që kanë shkuar për skrapim janë shkatërruar apo dëmtuar, qytetari mund të paraqitet vetëm me një dokument identifikimi dhe të dorëzojë dokumentet që ai disponon. Në rast se nuk zotëron dokumentet e mjetit vetëm me kartën e identitetit dhe plotësimin e formularit, mjeti quhet i çregjistruar, pasi i fshihen detyrimet”, u shpreh Çupi.

Në rast se qytetarët nuk plotësojnë kushtet për mbajtjen e makinës në qarkullim, refuzimi i këtij shërbimi do t’i shpjegohet nëpërmjet një formulari.

“Një rast tjetër është kur qytetari nuk fiton sipas kondicioneve të ligjit. Për këtë rast, në mënyrë që të mos ketë keqinterpretim nga qytetari, atij do t’i dorëzohet një formular mbi konstatimin e parregullsive në dokumentacion për mosçregjistrimin e mjetit. Në këtë formular qytetarit do t’i shpjegohen arsyet përse është refuzuar shërbimi pas verifikimit të dokumentacionit. P.sh. në rast se qytetari pretendon që ka paguar taksat e vitit 2011 e në vijim dhe nga verifikimit rezulton e kundërta, ai nuk mund të jetë objekt i faljes, pasi ligji përcakton që nga 2011 e 2014 falen vetëm gjobat nëse paguhet i plotë detyrimi”, shpjegoi Çupi.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura