Makina ra në humnerë, vdiqën dy të rinj sirianë. Si hyjnë ilegalisht për të shkuar në BE

Feb 24, 2020 | 16:09
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Një aksident rrugor u ka marrë jetën dy refugjatëve sirianë, të cilët tentonin të hynin në vendet e BE-së nga Shqipëria.Aksidenti

Shtatë të tjerë mbetën të plagosur, pasi makina që po bënte transportin e tyre humbi kontrollin në aksin rrugor Korçë-Gramsh, duke dalë nga rruga. Automjeti tip “Fuoristradë”, që po transportonte nëntë refugjatët klandestinë nga Siria, Iraku dhe Jemeni, doli nga rruga mbrëmjen e së shtunës në fshatin Çekrez.

Dy viktimat ishin shtetas sirianë, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit, Mikel Gjeli, 28 vjeç. Ky i fundit përfundoi në pranga ditën e djeshme, për akuzën “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen” dhe “Kalim të paligjshëm të personave në kufi”. Sipas Prokurorisë, 28-vjeçari rrezikon të dënohet me 15 vjet burg.

AKSIDENTI

Rreth orës 22:00 të së shtunës, automjeti doli nga rruga dhe ra nga një lartësi prej 100 metrash, ku humbën jetën 2 sirianë dhe u plagosën 7 të tjerë, drejtuesi i mjetit dhe refugjatët që vinin nga vendet e treta. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, me fraktura dhe trauma të ndryshme, por fatmirësisht ndodhen në gjendje të stabilizuar.sirianet

 

Shtetasit sirianë që mbetën të plagosur janë: Syrjan Hamat, 32 vjeç; Ali Qerredi, 24 vjeç; Seif Azxherbahit, 23 vjeç; Arnaif Merzhid, 40 vjeç; Muhamet Nurhisi, 33 vjeç; Abdyl Aliasiu 26 vjeç dhe një person me emrin Advokado, 26 vjeç, mbiemri i të cilit nuk bëhet i ditur. Automjeti që po bënte transportin e shtetasve të mësipërm është kthyer përmbys, pasi ra nga 100 metra lartësi.

EMIGRIMI I SIRIANËVE

Çdo vit, në Shqipëri ndalohet një numër i konsideruar i emigrantëve sirianë. Gjatë dhënies së dëshmive, ata shprehen se emigrojnë për shkak se vendi i tyre është zonë lufte dhe nuk kanë asnjë të ardhme atje. Për këtë, ata shprehen se detyrohen të bëjnë mijëra kilometra rrugë, me qëllim për t’u futur në vendet e BE-së, për të bërë një jetë më të mirë. Shumica e klandestinëve sirianë hyjnë në Shqipëri nëpërmjet kufirit të Kapshticës apo edhe nga Kakavija.

Nga aty, synimi i tyre është të kalojnë në Pikën Kufitare Hani i Hotit, në Shkodër. Një vit më parë, i dëshpëruar nga ndalimi i Policisë shqiptare, shtetasi sirian Ahmsed Allos ka treguar se para se të mbërrinte në Han të Hotit, kishte kaluar në këmbë kufirin nga Siria në Turqi, kishte udhëtuar me kamion drejt Greqisë dhe ishte kontrabanduar ilegalisht në Shqipëri. “Kam paguar 1200 euro për të mbërritur në Mal të Zi, pasi kam dëgjuar se atje është hapur një qendër azilantësh”, është shprehur Allos para punonjësve të Policisë së Shkodrës.

DESTINACIONI

Mali i Zi u kthye në një stacion për klandestinët, pasi hapi të parën qendër për azilkërkuesit në shkurt të vitit 2014 në Podgoricë. Qendra është e vogël dhe ka një kapacitet prej 65 shtretërish, por kjo nuk i pengon qindra klandestinë të nisen drejt këtij destinacioni. Në këtë udhëtim të gjatë që shkoi dëm, Ahmsed Allos dhe të afërmit e tij u ndihmuan nga trafikantët ndërkombëtarë dhe udhërrëfyesit shqiptarë për të mbërritur në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të Policisë, përgjatë një viti, numri i klandestinëve që ndalohen kryesisht në qytetin e Korçës dhe Elbasanit është mjaft i lartë. Janë identifikuar 110 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

TE PLAGOSUR

1. Syrjan Hamat, 32 vjeç
2. Ali Qerredi, 24 vjeç
3. Seif Azxherbahit, 23 vjeç
4. Arnaif Merzhid, 40 vjeç
5. Muhamet Nurhisi, 33 vjeç
6. Abdyl Aliasiu 26 vjeç
7. Advokado, 26 vjeç
8. Mikel Gjeli, 28 vjeç, shoferi

Klandestinët paguajnë 1500-2000 euro për në BE

“Ndahen në grupe të vogla prej 4 personash dhe mbajnë me vete disa skica të vizatuara me dorë, ku tregohet se nga duhet të kalojnë dhe cilat zona duhet të shmangin”, tregojnë burimet nga Policia. Mijëra klandestinë nga Siria, Jemeni, vërshojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, përmes kufijve porozë të Turqisë dhe Greqisë. Pjesa më e madhe e tyre synojnë Italinë apo Hungarinë, ndërsa një numër më i vogël ndjek linjat e Ballkanit. Nga Greqia, klandestinët udhëtojnë drejt Kakavijës në Jug të Shqipërisë ose drejt Maqedonisë, prej nga më pas synojnë të arrijnë në vendet e Perëndimit.

Për shkak të itinerarit që klandestinët ndjekin, Shkodra është kthyer në portën dalëse të tyre në territorin shqiptar. Po ashtu, burimet tregojnë se linja e trafikut është zhvendosur kohët e fundit edhe nga Muriqani apo Velipoja, drejt Pikës Kufitare të Hanit të Hotit. Trafiku i qenieve njerëzore furnizon me para udhërrëfyesit lokalë, por edhe taksistët. Në Qarkun e Shkodrës, zonat më problematike janë kufiri i gjelbër dhe i pyllëzuar i Hanit të Hotit, te vendi i quajtur “Shinat e trenit”, apo vija liqenore me pikat e nxehta të trafikimit në Shegan apo Kalldrun.

LINJA E TRAFIKUT

Gjatë dy viteve të fundit janë kapur qindra klandestinë, por ajo që bie në sy është që janë arrestuar shoferë dhe barinj si udhërrëfyes dhe në asnjë rast nuk është goditur baza e trafikut. Sipas burimeve, dyshohet se grupet e trafikantëve janë në pesë qytete në Shqipëri dhe kanë lidhje me njëri-tjetrin. Korça e Gjirokastra konsiderohen nga trafikantët si vende pritëse, më pas qytetet si Shkodra me Muriqanin e Malësia Madhe me Hanin e Hotit janë pikat përcjellëse të klandestinëve për në Mal të Zi, ndërsa kryeqyteti mbetet ura lidhëse mes qyteteve të Veriut e Jugut të vendit. Shuma që paguan çdo klandestin është nga 1500 deri në 2000 euro, për të kaluar nga Korça deri në Tuz të Malit të Zi. Si për të hyrë në Shqipëri, ashtu dhe për të dalë në Mal të Zi, trafikantët përdorin brezin jeshil në zonat kufitare. Përmasat e kësaj linje trafiku mendohet të jenë më të mëdha sesa shifrat që raportohen vetëm kur kapen klandestinët, ndërsa nuk dihet se sa persona mund ta kenë kaluar kufirin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura