Majlinda Bregu: Nuk e di nëse Grida Duma e fiton Durrësin, Bojaxhiun e vlerësoj

Apr 25, 2015 | 8:28
SHPËRNDAJE

Majlinda Bregu shpreh besimin se Durrësi është një nga bashkitë ku Partia Demokratike mund të fitojë zgjedhjet, por se nuk është e sigurt nëse do të fitohet apo jo nga Grida Duma. E pyetur në emisionin “Adi Krasta Show” në Agon Channel a e fiton Grida Duma Durrësin, Majlinda Bregu përgjigjet “Nuk e di”.

Majlinda Bregu

Megjithatë thekson se do ta mbështesë Dumën, ashtu si dhe çdo kandidaturë tjetër të Partisë Demokratike në zgjedhjet e pushtetit vendor. Megjithatë ajo ka tërhequr vëmendjen e ndikimit të ndarjes së re administrative. “Durrësi me thënë të drejtën është një nga qytetet që PD ka shanse më shumë se ndoshta në zona të tjera për të fituar. Nuk di të them në rastin e diferencës së votave. Kjo hartë territoriale u vizatua në atë mënyrë që të hiqte shansin e atyre zonave ku PD kishte më shumë peshë për të qenë influente”, tha Bregu.

Ajo ka sqaruar se nuk ka një konflikt apo xhelozi femrash mes saj dhe Dumës, por thekson se këto janë legjenda që krijohen nga persona që kanë dëshirë të shohin përleshjet mes femrave.

“Sigurisht do ta mbështes, ashtu si çdo kandidaturë të Partisë Demokratike. Nuk besoj se ka ndonjë dyshim për këtë. Kjo lloj legjende urbane e marrëdhënieve që ekzistojnë rreth këtij konflikti femëror nuk ka të bëjë me mua. Kam përshtypjen se gjithnjë ka interes, mos qoftë dëshirë e fshehur, për t’i parë gratë që kapen prej flokësh me njëra-tjetrën”, tha Bregu.

Ish-ministrja e Integrimit nënvizon se ka besim se votuesi i zhgënjyer prej mosmbajtjes së premtimeve të maxhorancës do të reagojë me votë. Ndërsa tha se po vihet re një presion ndaj qytetarëve, aq sa kanë dhe frikë t’u japin zyra me qira PD-së.

Për sa i përket daljes së kandidaturave të pavarura, Bregu vlerësoi sfidën që ata ndërmarrin. “Më pëlqen kuraja qytetare për të dalë kandidat i pavarur. Pra më pëlqen ideja e mbledhjes së votave, sfidave”, teksa shton se Gjergj Bojaxhi është një njeri që “nuk ka qejf të vegjetojë e të zvarritet”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura