“Majlinda Bregu elegante, kërcente shumë bukur”/ Mësuesi i njohur tregon jetën e politikanëve në rini: Lulzim Basha ishte më i rezervuar, pasionant dhe aktiv ishte edhe…

Jan 13, 2022 | 20:34
SHPËRNDAJE

majlinda-bregu-kampi-i-pionereve-dajt

“Te ‘Samiu’ kisha nxënës edhe I. Metën, L. Bashën, A. Bumçin, M. Bregun, B. Blushin. Kanë qenë frekuentues të rregullt edhe të Malit të Dajtit”, thotë Mustafa Tukseferi, një ndër mësuesit legjendarë të edukimit fizik, kuadër i vjetër fizkulture, drejtues sporti, figurë e njohur sportive në Tiranë.

Dajt1

Profesor, i kujtoni si organizohej vajtja në Dajt?

Nga shkollat bëhej prenotimi, pasi kishte shumë kërkesa dhe kampi ishte gjithmonë i zënë. Zakonisht shkollat shkonin gjatë javës, jo të shtunë e të diel, që u lihej ndërmarrjeve, institucioneve, për të mos i bashkuar. Ato dy ditë ishin ditë feste për nxënësit, gjimnazistët, larg librave, “jashtë” kontrollit familjar, shkollor. Ditën e nisjes, bëheshin vetën 2 apo tri orët e para mësim.

Si organizohej nisja, të gjithë bashkë?

Jo, nuk ishte për të gjithë njësoj. Kujtoj se më 1971 kur isha mësues të Gjuhët e Huaja, shkohej me autobus. Po kështu te “Kongresi i Përmetit” më 1974, si shkollë muzike, nxënës të zgjedhur, drejtori Gani Bega vajtje-ardhjen e tyre e organizonte me autobusë. Në raste të rralla, për mësues me probleme shëndetësore vihej në dispozicion një mjet.

Duhet të ishte përgjegjësi e madhe apo jo?

Kujtoj se përgjegjës ishte nëndrejtori dhe grupet për në Dajt shoqëroheshin nga pesë mësuesit e fizkulturës, të edukimit ushtarak, ato kujdestarë. Vajtjen, kthimin e drejtonin mësuesi e edukimit fizik, Sandri, Berti, Rudina, Eleni etj

Ku bëhej takimi dhe si organizohej ecja më këmbë?

Drejtor-kmapi

Takimi bëhej tek Instituti i Higjienës, në Kinostudio, pastaj në këmbë drejt Gurores, përgjatë rrugës automobilistike, ose duke devijuar nga e majta. Pas një qëndrimi të vogël aty, me në krye Veiz Lelo, drejtorin e shkollës, grupi fillonte ngjitjen në kolonë, në rrugë këmbësorësh përmes shtigjesh, rreth 2 orë e që bëhej me ndalesa. Nxënësit merrnin bukë me vete, deri edhe ëmbëlsira. Kishte nga djemtë që merrnin konjak, fërnet, fshehurazi për t’i përdorur gjatë mbrëmjes së vallëzimit ose për orët e vona pas mesnate.

Më thatë se në gjimnazin “Sami Frashëri” ishin edhe disa politikanë të sotëm?

Gjimnazi “Sami Frashëri” kishte një brez me nxënës të mirë, veçanërisht vitet 3 dhe 4. Midis tyre kujtoj Ilir Metën, Ben Blushin. Ilir Meta, Presidenti aktual i Shqipërisë, ishte nxënës autoritar dhe i komunikueshëm me mësuesit. Nga Gurorja deri në Kamp bashkë e bënin rrugën, kishte dëshirë të bisedonte për sportin. Paralel, maturantë me të ishte edhe Ben Blushi, pak më vonë Majlinda Bregu, Lulzim Basha, Aldo Bumçi, sot politikanë të njohur.

Si sistemoheshit në Dajt?

Dhomat ishin të mëdha ku sistemoheshin një apo dy klasa me nga 35 nxënës të ndarë djem e vajza. Mësuesit merrnin në dorëzim dyshekët, nga 2-3 batanije, çarçafë, jastëkë dhe i dorëzonin po me firmë kur largoheshim. Mjedisi ishte me ngrohje dhe fjetja bëhej në krevate marinari. Pas mbërritjes si dhe të nesërmen organizoheshin aktivitete, ndeshje volejbolli, basketbolli, futbolli, deri edhe ski, kur kishte dëborë, me lëvizje mësimore. Pasi binte errësira të gjithë e kishin mendjen te mbrëmja e vallëzimit. Kishte nxënës, por edhe mësuese që merrnin veshje, parfume vetëm për atë rast.

A kujtoni ndonjë histori dashurie?

Marshimi në Dajt dhe qëndrimi në kamp është i lidhur edhe me mjaft dashuri. Kryesisht maturantët, që njohjet, simpatitë, konkretizoheshin aty, madje kishte konkurrencë në dashuri e vallëzim. Ne i dinim se i shihnim në shkollë. Mësuesi ishte ndërmjetësi që “favorizonte” dëshirat e nxënësve. “Profesor shtyje edhe një kërcim apo vallëzim po munde ose i shihnim me birrë, apo me pije tjetër”, nuk flisnim. Mbulonim rastet që duheshin përcjellë në drejtorinë e shkollës, veçanërisht për ata që pinin duhan, përdornin alkool, zënka midis tyre kryesisht për çështje vajzash, të cilat konsideroheshin si shfaqje të huaja dhe i përjashtonin nga shkolla, ose i thyenin notë në sjellje.

Rikthehemi edhe një herë te politikanët e sotëm, ishin aktivë në vallëzim?

Majlinda Bregu, elegante, kërcente shumë bukur. Pasionant dhe aktiv për të vallëzuar ishte edhe Ben Blushi. Aldo Bumçi pak më ndryshe si dhe Lulzim Basha ishin më të rezervuar. Kanë qenë shumë të rinj në ato vite.

Si ishte personeli i kampit, mikpritës…?

Kmapi-Dajt0001

Personali shkonte me një automjet që shërbente edhe për furnizim vajtje-ardhje çdo ditë. Në restorant, përveç ushqimit, kishte edhe pije, kryesisht birra dhe paguhej me lek në dorë. Banakier ishte Moni që shërbente edhe si kamerier. Kujtoj drejtorin e kampit, G. Murthi, që nuk jeton, zëvendësin e tij, S. Dangllinë. Dy njerëz model, të angazhuar, dashamirës dhe shumë humanë, që nuk hapnin asnjëherë probleme, edhe kur konstatonin parregullsi. Nuk i bënin publike për të mos u krijuar dëm nxënësve. Nga mësueset kujtoj Ljubicën, Z. Kargjozin, z. Baronin, Ludmillën, Nerminin, të gjitha bashkoheshin me pasionet, dëshirat e nxënësve, të paktën atë mbrëmje.

IMG_8559 (1)

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura