Deklaratat e Klosit, Majko: Rugova ishte ‘tradhtar’ aq sa besohet se shefi i SHIK luftoi me armë në dorë në Kosovë

Apr 28, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ish-kryeministri Pandeli Majko ka reaguar dje pas një deklarate të Fatos Klosit që lë të kuptohet për një ‘bashkëpunim’ të ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova me Serbinë.

Pandeli Majko

Dy ditë më parë, në një intervistë në Ora News, Klosi tha se veprimet e Rugovës pëlqeheshin nga Serbia.

“Unë nuk isha dakord me filozofinë e Rugovës, meqë e kisha parë se për shumë vite ajo filozofi nuk kishte çuar asgjëkundi gati gati kisha bindjen se ajo i pëlqente Serbisë. Prandaj ajo e kishte toleruar. Nuk ishte aq e thjeshtë të toleronte Serbia që paska president Kosova. Rugova këtë thoshte gjithmonë: Mos u ngusni e kemi qeverinë, ndërkohë që ajo qeveri nuk ishte efektive. Iu lanë vetëm shkollat pasi u kërkua me ngulm, dhe qe një aktivitet shumë i vogël dhe nuk përfaqësonte një autonomi reale. Me fillimin e luftës filozofia e Rugovës mori fund dhe doli nga loja.  Kur Millosheviçi qe i detyruar të zbonte Kosovarët, asnjëherë nuk kishte për të ndodhur kjo me Rugovën në krye, asnjëherë”, tha Klosi.

Pas kësaj deklarate, Pandeli Majko ka bërë një status në faqen e tij në faceboook ku shkruan “Lexova ne media qe “veterani” i Luftes se Kosoves, Fatos Klosi ka fyer jo vetem Presidentin e nderuar Rugova. Qe Ibrahim Rugova te kete qene “tradhetar” i Kosoves, kjo eshte po aq e vertete sa Klosi te kete luftuar me arme ne dore”.

Sipas tij “sot Kosova dhe publiku shqiptar duhet te pergatiten per Gjykaten Speciale Nderkombetare. Ajo do te gjykoje protagonistet e Luftes se shqiptareve. Kjo eshte padyshim nje ngjarje e rende. Te gjithe duhet te jemi ne krah te UCK, drejtuesve te saj dhe pastertise se kauzes se lirise se Kosoves per te cilet u flijuan heronjte e vertete te Kosoves. Sa me i percare qe te jete faktori shqiptar aq me e rende do te jete goditja. Kjo dhe te tjera, jane arsyeja qe mendoj se debatet shterpe me “heronj” dhe “tradhetare” per Luften e Kosoves jane ne kohen dhe vendin me te keq per momentin qe kalon Kosova dhe shqiptaret ne rajon. Shpresoj te jete rastësi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura