Maj ’98/ Ismet Haxhia: Kompromisi politik për likuidimin e Haklajve, Izet Haxhisë dhe Nehat Kullës

Mar 28, 2017 | 17:04
SHPËRNDAJE

(Rrëfimi: Si i vrau shteti në atentat me mina Halil Haklajn dhe Feriz Kërnajën. Fatmir Haklaj mbeti i plagosur, ndoqi telat e minave dhe gjeti një radio policie. Ishte 6 maji 1998).

3135

Ish-i dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes” të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, situatën e vështirë në vitet 1997-1999 në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetë Haxhia u lirua nga burgu në vitin 2016 dhe ju rikthye jetës normale. GSH.al po sjell sot pjesën e gjashtë nga “dosja Tropoja”, një rrëfim për atentatin e dështuar ndaj Fatmir Haklajt dhe atentatin tjetër me mina ku mbeti i vrarë Halil Haklaj e Feriz Kërnaja.

ATENTATET NGA DORA E SHTETIT

Në periudhën e trazirave të vitit 1997, lulëzuan shumë banda kriminale anekënd Shqipërisë. Kjo ishte një pjellë e keqe e cila lindi si pasojë e dashurisë së kundërligjshme të politikës me krimin. ‘Muaji i mjaltit’ i politikës dhe politikanëve që do të merrnin pushtetin, me ndihmën e tyre, do të përfundonte shpejt, duke pasur frikën që bandat do t’u kërkonin pjesën e premtuar të tortës së pushtetit. Në këtë kuadër shteti do të fillonte në mënyrë massive planin kriminal të likuidimit fizik të pjellës së tyre kriminale.

Kjo veprimtari kriminale në Shqipëri ka filluar të aplikohet kohë më parë, fill pas ndërrimit të pushteteve në vitin 1997. Për fat të keq, ndryshe nga vdekja ligjore pas një dënimi të dhënë nga drejtësia, kishte filluar të aplikohej me vrasje pa gjyq të dhjetëra të pabindurve, që vetë politika i kishte sajuar. Kam mësuar se për shkak të kundërshtive për ndërmarrjen e veprimtarisë kriminale të strukturave të shtetit, në përpjekje për likuidim fizik të së ashtuquajturave banda kriminale ka dhënë dorëheqjen ministri i Rendit Publik, P. Koçi. Në vend të tij më pas vjen ‘trimi’ i karrierës politike, i cili jo vetëm do e drejtonte këtë veprimtari kriminale, por shpesh nëpërmjet mediave, do të mburrej për likuidimin e 46 bandave kriminale, në kuadrin e sukseseve të punës së dikasterit që ai drejtonte.

Pjesë e kësaj veprimtarie kriminale është edhe vendimi për likuidimin e Haklajve, Izet Haxhisë, Feriz Kërrnajës dhe Nehat Kullës. Ky vendim kriminal është pjesë e një kompromisi të fëlliqur politik, i cili do të shërbente më pas për të lëshuar më shumë dorën kriminale të strukturave kriminale të shtetit.

Për këtë vendim unë mësova shpejt nga një ish-këshilltar i ministrit, i cili më paralajmëroi që vëllai im Izet Haxhia të sigurohej shumë e të mos dukej në Tiranë, pasi kanë vendosur ta likuidojnë, atë dhe të përmendurit më lart. Në fillim nuk e besova këtë lajthitje kriminale të institucioneve të shtetit, por pak kohë më vonë unë u binda për këtë. Nuk do të kalonte shumë kohë, që fillimi i këtyre veprimeve kriminale, do të më bënte të besoja se gjithçka lidhur me këtë temë ishte shumë e vërtetë.

Në njërën nga ditët pasuese, një oficer i forcave speciale të RENEA-s, i cili ato ditë ndodhej me shërbim në B. Curri, së bashku me pjesë nga reparti që ai drejtonte, do më paralajmëronte: “Bëni kujdes me vëllain tuaj Izetin, pasi është dhënë urdhër për ta qëlluar pa paralajmërim”. Përse duhej likuiduar vëllai im? Sepse i përkiste një force politike kundërshtare, apo se dikush nga ata që tani i kishte ardhur radha për t’u hakmarrë, po e shfrytëzonte këtë shans? Likuidimi i të ashtuquajturave banda kriminale filloi të zbatohej me dy mënyra.

Mënyra e parë do bëhej duke nxitur banda apo kriminelë të veçantë, me lloj-lloj disinformacionesh, që nxitnin përplasjen e tyre për vdekje. Më kishte qëlluar të dëgjoja nga goja e një oficeri të Shërbimit Informativ, pasi një person naiv po i qante hallin se kishin punë të vështirë në këto kohë me krimet, ai do t’i përgjigjej: “Ne nuk ka përse të rrezikojmë. Detyra jonë është të nxitim kriminelët, që të vrasin njëri-tjetrin”. Kjo strategji është përdorur në SHBA shumë vite më parë, ku shërbimet inteligjente përgatisnin terrenin nëpërmjet përhapjes së disinformacioneve, për të përplasur deri në likuidim të plotë familjet mafioze.

* * *

Në vazhdën e përpjekjeve për likuidimin e Haklajve, fillon një luftë që, çuditërisht, edhe pse ishte e lidhur mirë me pushtetin, synonte eliminimin e të gjithë djemve të kësaj familjeje. Organizatorët e kësaj ndërmarrjeje kriminale ishin plotësisht të motivuar për atë që po bënin, pasi gjithçka kishte lidhje me fshehjen e së vërtetës së vrasjes së Azem Hajdarit, duke e varrosur së bashku me ta. Organizatorët, bashkëpunëtorët në këtë vrasje, do të përdornin likuidimet në një zinxhir të gjatë kriminal, për të fshehur dorën e tyre kriminale dhe për ta përdorur këtë krim më vonë, në shërbim të skemave të caktuara, vetëm në shërbim të politikës.

Kjo do të sillte edhe viktimizimin e procesit, duke dënuar njerëz të pafajshëm. Në vazhdën e tyre, për t’ia arritur qëllimit kriminal, më datë 6 maj 1998, nëpërmjet minave të komanduara në distancë, synohet likuidimi i Fatmir Haklajt. Vrasësit e kualifikuar, të ardhur nga Tirana, zgjedhin me shumë kujdes, një pjesë rruge që, pasi e minojnë mirë, synojnë arritjen e këtij qëllimi kriminal. Vdekjen e tij e kishin menduar si të sigurt, pasi rruga ku ishin montuar minat ishte e thepisur, ku edhe një zog po të rrëzohej aty, zor se mund të shpëtonte. Vendosja e atyre që do të bënin shpërthimin e minave, ishte zgjedhur në një pozicion të atillë, që të mund të shikonin dhe të kontrollonin lëvizjet e Fatmirit që në daljen e tij nga shtëpia.

Për shkak të distancës së madhe nga ku do të bëhej shpërthimi i minave, zonën e minuar, afërsisht sa gjatësia e dy mjeteve tip veturë, e kishin kufizuar me dy gurë të mëdhenj të lyer me gëlqere. Kjo do t’i ndihmonte vrasësit për të fokusuar më mirë objektivin e tyre. Në momentin që fuoristrada me të cilën udhëtonte Fatmiri futet në zonën e kufizuar, shpërthejnë minat, duke vrarë një djalë të pafajshëm, kushëri i Fatmirit, si dhe duke plagosur të tjerët, së bashku me atë që ata synonin. Një grua e vjetër të cilën e kishin marrë në makinën e tyre pak metra më larg, do t’i shpëtonte për mrekulli këtij atentati, pa as edhe një gërvishtje të vogël.

Fatmir Haklaj, ashtu i plagosur del nga makina, pasi ajo kishte bërë disa rrotullime në rrugë, duke ndaluar buzë greminës. Haklaj vazhdon të hapë zjarr rreth e qark me breshëri automatiku, pa menduar se vendndodhja e vrasësve ishte disa kilometra larg nga vendi i ngjarjes. Ai i afrohet vendit ku kishte ndodhur shpërthimi dhe pasi gjen disa tela, i ndjek ata sipas linjës që ishin shtrirë. Vetëm 7-8 m më larg, sipër rrugës, gjen një radio policie nga ku kishin dalë dy fijet e telave që u kishin përcjellë rrymën elektrodetonatorëve të montuar në ngarkesën me tritol.

Që në fillim kam dyshuar se kjo vepër nuk ishte organizuar nga hasmit, jo të pakët të Haklajve, por pas këtij akti kriminal, mendova se fshihej një dorë më e fortë si dhe më e kualifikuar. Asnjëri nga hasmit që unë njihja nuk kishte potenciale financiare, apo mundësi të tilla të kualifikuara për të realizuar një krim të tillë të tipit mafioz.

Hasmit e fisit të Haklajve kishin kohë që nuk kishin vepruar, megjithëse djemtë e Haklajve lëviznin çdo ditë lirshëm nëpër qytet, me mjete që mund të identifikoheshin lehtë. Do të bindesha për autorësinë e këtij krimi vetëm pak ditë më vonë, kur një person, efektiv i forcave speciale, para se të nisej për në Tropojë, i thotë një mikut të tij se ‘do të iki me shërbim në Tropojë dhe nuk kthehem pa likuiduar Haklajt’. Në atë kohë operacionet e policisë dekonspiroheshin lehtë, edhe për faktin që ndonjë mburravec, si në rastin konkret, nuk e kishte për gjë të tregonte trimëritë e tij i veshur me uniformën e shtetit.

Pak ditë më vonë, me të njëjtën metodë, do të terrorizonin pesë persona nga fshati Kërrnajë, duke menduar se ishin Haklajt. Ata, falë Zotit dhe pafajësisë që i karakterizon fëmijët në moshën e tyre, marrin vetëm plagë të lehta, sa nuk e ndjejnë nevojën as për t’u mjekuar. Rreth tre muaj më vonë, pas atentatit të parë terrorist të shtetit, më datë 5 gusht të po atij viti, buzë Valbone, pak metra pa arritur tek ura, ishte organizuar një akt tjetër terrorist nga të njëjtat struktura, i cili do të ishte fatal për Haklajt dhe për ata që udhëtonin së bashku me ta.

Në pjesën e sipërme të rrugës, e cila përbëhej nga shkëmbinj të mëdhenj dhe karakterizohej nga një terren me pjerrësi rreth 90°, vrasësit montuan 2 mina të mbushura me ngarkesa të konsiderueshme me tritol. Secila nga ngarkesat komandohej nga radio policie, si në rastet e mëparshme, të cilat ishin në përdorim nga forcat e policisë. Në pjesën e poshtme rruga kufizohej nga një shpat i thepisur dhe i thellë, i cili binte direkt mbi lumen Valbonë. Edhe kësaj here specialistët e krimit, kishin zgjedhur me shumë kujdes, e profesionalizëm, vendin e vdekjes së subjekteve, object të sulmit të tyre. Atë ditë ishin marrë masa më të forta, duke vendosur persona të armatosur në shtigjet nga mund të kalonte ndonjëri nga viktimat e tyre, në rast se do të mund t’i mbijetonte atentatit me mina, të ngritur posaçërisht për ta.

Persona të shumtë në numër, ishin parë të maskuar. Edhe në këtë rast, vendi nga do bëhej komandimi i minave ishte zgjedhur i tillë, që të bëhej i mundur kontrolli i të gjitha lëvizjeve të personave objekt krimi, që në nisjen e tyre nga banesa. Sapo makinat me të cilat udhëtonin Haklajt futen në zonën e minuar, vrasësit terroristë fillojnë shpërthimin e minave të para. Nga këto shpërthime dëmtohen vetëm mjetet. Më pas shpërthimet e radhës vonohen për disa sekonda, kohë që do u krijonte mundësinë personave të sulmuar për të dalë nga makinat e tyre. Ky moment ishte fatal për shumë prej tyre. Nga shpërthimet që do të pasonin menjëherë pas daljes nga makinat, mbetën të vrarë Feriz Kërrnaja, Halil Haklaj, ndërsa Fatmir Haklaj mbetet i plagosur rëndë në kokë. Shumë shpejt vijnë nga qyteti disa mjete të tjera për të ndihmuar të plagosurit, duke i çuar me shpejtësi në spital./ GSh.al/ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura