Magna Carta dhe si mund të vendoset Rama nën ligjin

Jun 19, 2021 | 10:13
SHPËRNDAJE

fitim zekthi

FITIM ZEKTHI

Pak ditë më parë, më 15 qershor, u bënë 806 vjet nga jetësimi i një prej dokumenteve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Magna Carta-s. Shumëkush në vendet demokratike i merr të mirëqena moscensurimin e shtypit, sigurinë e pronës, zgjedhjet e lira, barazinë para ligjit, shenjtërinë e kontratave, gjyqin e drejtë, lirinë e besimit, por në zemër të këtyre arritjeve qëndron një histori e gjatë përpjekjesh dhe në veçanti, një ide e madhe.

Ideja se as qeveria, as mbreti, nuk qëndrojnë mbi ligjin. Mbreti John, duke kërkuar para për të financuar luftën me Francën, rriti taksat. Ai u kundërshtua nga lordët dhe baronët dhe u detyrua të negocionte me ta. Kështu lindi Magna Carta. Në shekujt XIV dhe XV, ky dokument u sfidua fuqimisht nga dinastia e Tudorëve, por ajo u mbrojt vazhdimisht nga Parlamenti. Debate të tilla mbi Magna Carta-n u zhvilluan edhe nën dinastinë e Stuart-ve, por në këtë kohë beteja ishte fituar. Eduard Coke, një jurist i madh britanik, hartoi Kartën e Virxhinias në vitin 1606, mbështetur plotësisht mbi parimet e Magna Carta-s. Në vitin 1637, Maryland e përfshiu atë në ligjet e tij, duke hapur rrugën e përfshirjes së Magna Carta-s në ligjet dhe parimet bazë të shumë vendeve.

Në kapitullin 39, Magna Carta shkruan: “Asnjë njeri i lirë nuk mund të arrestohet, burgoset, shpronësohet, nxirret jashtë ligjit, syrgjynoset veçse pas një gjykimi të drejtë nga gjyqtarë të drejtë sipas ligjeve të vendit”. Sipas Magna Carta-s, ligji nuk është shprehje e burrit më të fortë të fisit, as e mbretit, as e qeverisë. Ligji është diçka imanente që gjendet në shoqëri, është trashëgimi e përbashkët e njerëzve që jetojnë aty. Ky dokument nuk ka prodhuar demokracinë, ajo nisi në Greqinë e vjetër. Daniel Haman, një konstitucionalist i njohur britanik, deputet në Parlamentin Europian thotë se ky dokument ka prodhuar qeverinë kushtetuese, qeverinë që është nën ligjin. Ndonëse ka 800 vite që siguron liri dhe të drejta në Europë dhe në botë, në Shqipëri parimet e Magna Carta-s janë asgjë. Peshkopët dhe baronët që organizuan negociatat me mbretin në vitin 1215, kuptuan diçka shumë të rëndësishme. Forca e një dokumenti nuk qëndron aq shumë te teksti i tij, por tek autoriteti që e interpreton. Edhe Kushtetuta e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës apo ajo e Bashkimit Sovjetik të Stalinit, flisnin për liri dhe të drejta. Edhe sot, kjo prirje vazhdon po aq fort.

Për ta bërë më të prekshëm këtë realitet, po përmendim disa raste. Qeveria shqiptare (Prokuroria dhe Policia) ka arrestuar mbi 32 mijë njerëz për mospagim dritash. Qeveria shqiptare nuk arrestoi me dhjetëra njerëz edhe gazetarë për protestat për prishjen e teatrit. Qeveria shqiptare arrestoi me dhjetarë njerëz që protestonin për prishjen e shtëpive tek Unaza e Re. Qeveria shqiptare arrestoi me dhjetëra njerëz, sidomos të rinj, të cilët qëndruan në qeli me javë të tëra për protestat e opozitës (të cilët më pas u liruan pasi arrestimet u cilësuan të paligjshme). Qeveria shqiptare ka hedhur gaz lotsjellës në shtëpitë e njerëzve në mëngjes herët, në mënyrë që ata të dilnin dhe shtëpitë të prisheshin. Qeveria shqiptare nuk ka arrestuar asnjë zyrtar të lartë dhe asnjë njeri të botës së krimit për blerjet e zgjedhjeve në Durrës dhe Dibër siç u tha nga përgjimet e “Bild”. Qeveria shqiptare nuk ka arrestuar për asnjë ditë ish-ministrin Tahiri, ndonëse ai akuzohet për krijim organizate dhe trafik ndërkombëtar droge. Qeveria shqiptare arrestoi si përgjegjës për ndërtesat e prishura nga tërmeti disa inxhinierë dhe topografë në Durrës dhe Tiranë, po nuk tha asnjë gjysmë fjale për kryetarët e bashkive, Veliaj dhe Dako. Qeveria shqiptare shkarkoi në mënyrë antikushtetuese kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës. Qeveria shqiptare (Policia dhe Prokuroria) mbrojti njerëzit që po blinin vota dhe qëlluan me armë në Elbasan, duke mos pranuar që ata kishin karta identiteti, para dhe lista zgjedhësish). Qeveria ka shkarkuar në mënyrë antikushtetuese anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2014. Gjykata kushtetuese e quajti ndryshimin e ligjit që bëri të mundur shkarkimin e tyre, antikushtetues. Gjykata Administrative, po ashtu, kërkoi kthimin në detyrë të dy anëtarëve të shkarkuar. Qeveria i mori Presidentit kompetencat për shkarkimet dhe emërimet e ushtarakëve madhorë, kompetenca, të cilat i riktheu Gjykata Kushtetuese.

Dhe kjo listë shumë e gjatë vazhdon… Mjafton të themi se këshilltarja e Kryeministrit i tha Gjykatës Kushtetuese kur gjykohej akti normativ për statusin e nëpunësit civil se qeveria mund të ndryshojë me anë të akteve normative edhe Kushtetutën e vendit. Kjo tregon se parimi bazë i një qeverie kushtetuese dhe i një qeverie që nuk është mbi ligjin as që është fare në diskutim. Magna Carta i përket një bote tjetër, jo sonës, jo Ramës.

Pas tetë vjetësh në pushtet, qeveria e Ramës nuk është thjesht mbi ligjin, nuk është mbi institucionet. Ajo është sot i vetmi institucion, ajo është sot i vetmi ligj. Reforma në Drejtësi do të kishte një vlerë vetëm në qoftë se ajo do të sillte sadopak frymë nga ajo që solli magna carta 816 vjet më parë. Që kjo të ndodhë, duhet që Gjykata Kushtetuese dhe ajo e lartë, të cilat Rama i zhduku fare duke përdorur Reformën në Drejtësi në mënyrë që të kishte mundësi t’i riformatonte në shërbim të tijin të nisin të godasin këtë uzurpim institucionesh dhe këto qëndrime të rënda mbi ligjin të Ramës. Që kjo të ndodhë, duhet që Prokuroria speciale SPAK të nisë të godasë ministrat dhe vetë Ramën për paligjshmërinë e thellë, me të cilën kanë qeverisur vendin. Kur kjo të ndodhë, atëherë mund të themi se Reforma në Drejtësi është diçka që u shërben njerëzve sepse i shërben vënies së pushtetit të qeverisë, të mbretit, të Kryeministrit nën ligjin. Çdo gjë tjetër që do të prodhojnë Gjykatat Kushtetuese, ajo e Lartë, Prokuroria dhe Gjykata Speciale janë thellim i frymës që e bën qeverinë sunduesin e plotë dhe të vetëm duke i kthyer njerëzit në skllevër dhe robër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura