“Magjistari” i Europës, Zidan kërkon historinë. Synohet trofeu i tretë radhazi në Champions

SHPËRNDAJE

“Mendoj se do të shkojë gjithçka mirë”. Kjo ishte fraza që tha Zinedin Zidan në ditën kur u prezantua si trajner i Realit më 5 janar 2016. Nga ajo ditë dhe deri sot, me francezin si trajner, madrilenët nuk kanë zhgënjyer kurrë në Champions. Erdhi me shumë qetësi dhe mbi të gjitha me shumë pikëpyetje, por në këtë kohë që flasim ai po bëhet gati të luajë finalen e tretë radhazi në Ligën e Kampioneve. Për të arritur në këtë rrugë, ai ka mposhtur skuadra të forta. E para ishte Roma dhe i fundit Bajerni (për herë të dytë).

Atletiko e Madridit dhe Juventusi vuajtën gjithashtu përballë formacionit madrilen në tre sezonet e fundit. Por, “viktimat” e tjera ishin Volfsburgu, Mançester Siti, Napoli dhe PSG. Riktheu qetësinë e munguar në skuadër dhe menaxhoi në mënyrë perfekte yjet e skuadrës së tij. Statistikat i ka të frikshme në Champions: 32 ndeshje, 21 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje. Kurrë i eliminuar nga ky kompeticion dhe gjithmonë fitues. Për më tepër, dy Superkupa të Europës, dy Botërore për klube një kampionat spanjoll dhe një Superkupë Spanje në palmaresin e tij si trajner. Duhet të heqim kapelën.

zidan

TRI FINALE

Por me kualifikimin e tij për në finalen e Kievit, Zinedin Zidan hedh një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Kjo ishte finalja e tretë radhazi për të dhe për Realin dhe jo shumë skuadra e kanë arritur diçka të tillë gjatë historisë. Zizu barazon Fabio Kapelon dhe Marçelo Lipin me 3 finale radhazi, por në fakt ai ka fituar dy dhe pret të shkruajë me germa të arta emrin e tij në historinë e trajningut botëror.

Dy trajnerët e mësipërm kanë fituar vetëm 1 nga tri finalet radhazi, ndërsa francezi kërkon kupën e tretë. Askush më parë nuk e ka arritur diçka të tillë dhe Zizu kërkon ta bëjë realitet. Në fakt, skuadra e Ajaksit dhe Bajerni kanë arritur të fitojnë 3 Champions radhazi, por në pankinat e tyre kanë qenë trajnerë të ndryshëm. Në skuadrën holandeze ka qenë ‘ fillimisht Runis Mishels dhe më pas Stefan Kovaks, ndërsa te Bajerni Udo Latek dhe Detmar Kramer. Duke u kthyer pas në kohë në triumfin e 5 Champions-ave radhazi nga Reali i Madridit, dy trofe i ka fituar Hoze Vilalonga, dy Luis Karniglia dhe një Migel Munjoz.

Kjo do të thotë se Zinedin Zidan ka mundësinë që të bëjë histori në këtë kompeticion dhe të jetë i pari trajner që fiton tri Champions radhazi. Diçka që nuk është aspak e lehtë, por ai drejton një ekip të fortë si Reali i Madridit që ka treguar se në këtë kompeticion është i papërmbajtshëm. Por me fitoren e një tjetër trofeu, ai do të shpëtonte edhe këtë sezon të nisur keq. Në kampionat dhe në kupë u eliminua shumë shpejt dhe Champions-i këtë herë shërben jo vetëm për të bërë histori.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.