“Made in Albania”/ Realiteti shqiptar brenda një salle

Apr 21, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Megjithate, ndonjehere nuk duan t’ia dinë a për këtë. Ndonjëherë shpërthejnë me sa kanë në kokë. I dinë të gjitha hallet e tjetrës, nga punonjësja më e re, tek ajo më e moshuara, që sikur i ul pak gjakrat. Edhe për shkak të gjuhës së ëmbël, shkodrania Zyliha Miloti, e rikthyer pas mungesash në këtë rol, e bën edhe më reale atë përzierje vuajtjesh që nuk ka shpresa të ketë shërim. Prania e Luftar Pajës dhe Milotit të bënin të mendoje se kishte qenë kështu prej vitesh, e njëjta situatë.

Gjatë shfaqjes “Made in Albania”
Gjatë shfaqjes “Made in Albania”

Shfaqja e tyre e hershme në skenë bënte të dukej edhe kjo e fundit sikur kishte ardhur pak prej së shkuarës, por në fakt, pjesa më e madhe e shqetësimeve ishin të reja. Të gjitha prodhime vendëse, si etiketat e xhaketave që duhet të prodhonin. Jo se qamete të ngjashme nuk dëgjon edhe përtej kufijve, por të gjitha ngjarjet e “Made in Albania” ishin të dëgjuara dhe identifikuese të asaj kategorie të shoqërisë që zgjimin nuk e do aq sa ngrysjen e ditës. Edhe nëse nuk të ka rënë rasti kurrë të shkosh në ndonjë rrobaqepësi masive apo ndonjë ndërmarrje ku gratë janë të shumta, te “Made in Albania” e kupton që pamja është ekzaktësisht ajo.

Kjo është pa dyshim edhe për meritë të aktoreve që ishin future nën përparësen ngjyrë tulle sikur ta kishin mbajtur prej vitesh. OK, pothuajse të gjitha. Nuk mungonte as ironia e situatave të përditshme që thyente pak dramën e të gjithave dhe, në fund, të bënte të qeshje. Nëse situatat, vende-vende, nuk do të ishin pak të zgjatura, shija do të ishte më e mirë dhe më çlodhëse. Kjo ndoshta nisi të ndihej afër fundit çka bënte të distancoheshe pak dinamika e ngjarjeve që kishe dëgjuar.

13001028_10153523956576569_6063818066321163223_n

Kjo dramë e re e Stefan Çapalikut është edhe pjesa e tretë e veprës “Triologia Albanica”, (ku bëjnë pjesë edhe monodrama “I’m from Albania” dhe drama “Allegretto Albania”). “Made in Albania” i bën jehonë pikërisht Shqipërisë së sotme, asaj të vërtetës, thelbësores, “të padukshmes”, “underground”-it shqiptar. Regjisor dhe producent ekzekutiv i këtij projekti është Altin Basha, i njohur tashmë si regjisor i një teatri të ri.

Altin Basha në bashkëpunim me autorin ka pasur një sukses ndërkombëtar në festivalin “Drama të Reja nga Europa” në vitin 2010 në Gjermani, ku fituan çmimin e parë me dramën “Allegretto Albania”. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pati këto ditë të fundjavës, duke filluar që prej së enjtes, ditë të mira që do të vijojnë të jenë të tilla fundjavën e ardhshme.

Në fund, skenografja dhe kostumografja Iliriana Loxha, bashkë me koreografin Gjergj Prevazi dhe muzikën nga Endri Sina, bënë që të shiheshin e ndiheshin karnavalet, me apo pa maska, të vërtetë apo të shtirë, hallet u ngelen aty…

Në role: Luftar Paja dhe Zyliha Miloti, Shegushe Bebeti, Albana Kocaj, Eglantina Ceno, Loredana Gjeçi, Era Çaushi, Arjeta Dhima, Sara Smaja, Linda Jarani, Algiona Aga, Aleksander Seitaj, Florian Agalliu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura