“Ma sheh sherrin, nëse nuk…”/ Zbardhet dëshmia e punëtorit që u plagos me kallashnikov: Autorin e njoh. Ja arsyeja që më qëlloi

Sep 27, 2021 | 14:01
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Një 47-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në zonën e Thethit në Shkodër. Shtetasi Gëzim Ndrezaj mori një plumb në pjesën e këmbës dhe përfundoi në spital jashtë rrezikut.

gezimndrezaj

Ai mori fillimisht ndihmë mjekësore pranë Qendrës Shëndetësore të zonës së Thethit dhe më pas u transferua drejt Spitalit të Shkodrës. Ndrezaj punonte si murator dhe dyshohet të ketë qenë pikërisht puna e tij që ka çuar në plagosjen me armë. Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit dhe po punon për arrestimin e tij. Deri më tani nuk bëhen ende të qarta shkaqet dhe motivet e kësaj plagosjeje.

“Në fshatin Theth, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi G. T, i cili po transportohet për në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaroi Policia lokale.

DËSHMIA

Duket se pas sherrit që përfundoi në përdorimin e armës së zjarrit janë arsyet banale të autorit dhe 47-vjeçarit. I plagosur në këmbën e djathtë, Ndrezaj tregon se me autorin ishin konfliktuar për arsye pune. Sipas tij, autori i ka kërkuar të bëjë një punim pranë banesës së tij, por 47- vjeçari nuk ka pranuar. Në këtë moment, sipas 47- vjeçarit, autori, i cili ishte me një makinë, ka nxjerrë automatikun dhe e ka qëlluar një herë në këmbë. Ai thotë se ka pasur vetëm një të shtënë, si dhe shton se autorin e njeh, pasi është banor i zonës. “Më ka thënë t’i bëj një punë dhe unë i kam thënë se nuk ka mundësi.

Ai më tha: ‘Ma sheh sherrin, nëse nuk ma bën’. Normal e njoh. Më qëlloi me automatik. Ishte me makinë. E njoh autorin, është banues këtu. Ai gjuajti një herë. Isha këtu. Ngjarja ndodhi para 10 minutave. Ai ishte me makinë”, tha gjatë dëshmisë së tij 47-vjeçari i plagosur. Ndërkohë, banorët e pranishëm thanë se nuk kishin parë gjë, ndërsa i ofronin 47-vjeçarit ndihmën e parë.

Policia: Ngjarja, e paqartë

Policia e Shkodrës nuk dha detaje të hollësishme për ngjarjen edhe për shkak të largësisë ku ndodhi konflikti. Në komunikatë thuhet se është bërë shpallja në kërkim e autorit të dyshuar. I plagosuri tha se ishte qëlluar me automatik. “Në fshatin Theth, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi G. T, i cili po transportohet për në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaroi shkurtimisht Policia lokale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura