Lutu, të lutemi!

Sep 29, 2014 | 14:45
SHPËRNDAJE

Nuk duhet t’i ketë shpëtuar askujt nga vëmendja fraza e përsëritur e Papës: “Lutuni për mua!”. E tha disa herë. Madje, me po këtë frazë mbylli edhe fjalët e tij të fundit në avionin që e riktheu në Vatikan, të dielën e shkuar.
Të pranishmit e radhëve të para, aq të angazhuar sa ishin se kush ta cikte e ta puthte më parë, mund edhe të mos e kenë dëgjuar. Edhe nëse ua ka kapur veshi, me siguri kanë menduar se e kanë dëgjuar gabim.
Se fundja, ia bënë gjithë ato nderime dhe e pritën Papën aq mirë pikërisht për të kundërtën: që ai të lutej për ta. Për ta e për ne të gjithë! Në fakt, nuk ka fare vend për të dyshuar se të gjithë po mendoni që lutjet e bekimet e Atit të Shenjtë do donit të shkonin të gjitha për ju! Nuk është se e keni gabim, mirë e keni menduar, por ja që po nuk u bekuan ata të radhëve të para, ju i keni pretendimet të kota. Kështu që, as këtë herë, nuk keni për të kapur gjë…
Jo se, “faljet” e para, edhe nëse i ka përçuar, sado që mund të mos bëjnë efekt, do të prekin ata. Të gjithë! Papa, në vend që të thoshte lutuni për mua, do bënte mirë të lutej që lutja t’i kishte fuqi të mbinatyrshme, nga ato që nuk janë parë ndonjëherë! Nga ato që të shpëlajnë me një presion uji, me magji. Po për këtë s’ka se si t’i ketë shkuar mendja se nuk mund të mendojë i vdekshmi se ca të vdekshëm të tjerë kanë nevojë për kaq shumë lutje, të të gjithë popujve, që të kthehen në gjendje fillestare. Situatat janë të gjitha hipotetike, sepse sipas të gjitha gjasave, edhe në fillesa, “24-vjeçarët” kanë qenë pikërisht kështu, nevojtarë lutjesh. Jo kaq të sofistikuar saç janë bërë, por gjithsesi nevojtarë. Ngelet kuriozitet i madh për shembull, nga ata të pazbulueshmit ndonjëherë, se, sa ndër radhë (në të parat gjithnjë) po dëgjonin ndonjë nga fjalët përgjatë meshës?! Jo se po bënin ndonjë gjë të keqe, jo. Edhe ata, duke u lutur ishin, por për veten e tyre. Mbase mendojnë vërtet se po t’i prekte Papa, qelizat e vdekura do të ripërtërihen. Edhe nëse kjo do të mund të ndodhte, mëngjesi tjetër i gjen sidoqoftë të dëmtuara. “Lufta” nis sërish atje ku ka qenë, është bërë vetëm një ditë pushim. Një ditë që, për një çast, të dukej vërtet se pësoje mpirje lokale të trurit, dhe, besoje. Mjaftonte vetëm dremitja e drekës të të hapte sytë. Të të kujtonte se asnjë lutje nuk ju pastron, se asnjë lutje nuk na shpëton. Ja, po të keni mbërritur deri në fund të këtyre radhëve, ju e kuptoni vetë se ka kaluar vetëm një javë dhe keni harruar gjithçka. Entuziazmin e bulevardit të boshatisur, e zëvendësuat qysh të nesërmen me nervozitetin e trafikut të përditshëm; me bankomatin që nuk bindet të nxjerrë më para, me ilaçet që nuk ua dini efektin. Për të gjitha këto, sot e gjithnjë do t’ju duhet të luteni vetë. Për radhët e para le të lutet Papa. Duke e bërë këtë, na ka shpëtuar të gjithëve!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura