Lushnja pa fushë stërvitore, gati rikonstruksioni i stadiumit të Plugut

Apr 11, 2018 | 17:57
SHPËRNDAJE

Skuadra e Lushnjës pritet të konfirmojë rënien edhe matematikisht nga Superiorja pas ndeshjes me Flamurtarin. Dhjetë humbjet radhazi janë një tregues i qartë që futbolli verdhejeshil do të rikthehet në Kategorinë e Parë. Kështu, që Bashkia e Lushnjës ka filluar të mendojë për edicionin e ri, ku nevoja më emergjente është rikonstruksioni i një fushe stërvitore. Lushnja si Bashki e zgjeruar me reformën administrative-territoriale ka shumë alternativa.

lushnjaa

Që nga anekset pranë stadiumit “Roza Haxhiu” deri te fushat e futbollit, pjesë të njësive administrative të Bashkisë së Lushnjës. Nga drejtuesit e Bashkisë po shihet mundësia për të ndërhyrë në ish-stadiumin e Plugut, pjesë e njësisë administrative të Golemit, i cili ndodhet vetëm 3 kilometra në juglindje të Lushnjës. Mendohet që të përfundojë rikonstruksioni i nisur tetë vite më parë dhe i lënë në mes. Në këto tetë vite stadiumi i Plugut ka degraduar si mos më keq.

Ambientet e brendshme, shkallët e spektatorëve janë pushtuar nga bimësia, shkurret dhe ferrat. Ndërhyrja pritet të bëhet për një fushë sintetike, pasi edhe investimi i nisur tetë vite më parë ka pasur këtë plan. Gjithashtu planifikohet dhe rregullimi i ambienteve të brendshme dhe të jashtme. Kështu, që Lushnja pritet të shpëtojë nga fakti që nuk ka ku të stërvitë skuadrën.

stadiumi i plugut

Por edhe të lirojë fushën e stadiumit nga ngarkesa e ndeshjeve të skuadrave U-17 dhe U-19, që luajnë në “Roza Haxhiu”. Çdo gjë pritet të zbardhet me projekt-vendimin, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve të sh.a “KF Lushnja 1930”.

Alban Alushi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura