Lushnja e “fashuar”, Gjyla humbet tre titullarë për Orikun

Oct 8, 2019 | 18:20
SHPËRNDAJE

Me humbjen 1-2 në Bilisht ndaj Devollit, Lushnja dorëzoi vendin e parë pas tri javëve kryesim.

lushnja

Sulmuesi Mikel Canka shënoi sërish për lushnjarët, duke regjistruar golin e gjashtë në katër javë të luajtura deri më tani, por rezultati u përmbys në fundin e ndeshjes dhe Lushnja tashmë është e dyta, në sajë të golavarazhit më të mirë se Apolonia. Skuadra e trajnerit Ilir Gjyla luajti një pjesë loje me 10 vetë, pas kartonit të kuq të Mones dhe kjo patjetër që ndikoi në atë rezultat, ashtu si dhe dëmtimi i Sefës pas 20 minutash.

DEKLARATA – Për gazetën “Panorama Sport”, “bomberi” i lushnjarëve, Mikel Canka, u shpreh: “Ishte një ndeshje mjaft e fortë, ku u pa qartë se të dyja ekipet luftuan për fitoren. Mendoj se e nisëm mjaft mirë ndeshjen, por na penalizoi dëmtimi i Sefës. Pastaj, gjyqtari nuk duhet të tregohej aq i prerë me atë karton të kuq për Monen. Mendoj se mund ta paralajmëronte me karton të verdhë, për të mos i prishur bukurinë ndeshjes. Luajtëm 45 minuta me një lojtar më pak, por sërish treguam se jemi një skuadër e mirë dhe arritëm të kalonim në avantazh. Goli i parë i Devollit erdhi nga një goditje këndi që nuk ishte. Duhej të jepej pozicion jashtë loje dhe jo goditje këndi. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë punën tonë, sepse ka plot ndeshje përpara. Gabime do të ketë, por do të ishte mirë që gjyqtarët të jenë të drejtë dhe jo të njëanshëm”, u shpreh golashënuesi më i mirë i Lushnjës dhe i Kategorisë së Parë, Mikel Canka.

PASOJAT – Lushnja nuk humbi vetëm vendin e parë në përballjen e drejtpërdrejtë me Devollin, por edhe tre lojtarë të rëndësishëm të formacionit. Kështu, kapiteni Fatjon Sefa u dëmtua në pjesën e parë dhe mësohet se ai ka një hematomë. Sipas stafit mjekësor, do të pritet të çënjtet këmba për të bërë vizitën dhe për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Në pamje të parë, duket një dëmtim serioz.

Për ndeshjen e radhës me Orikun nuk do të jetë edhe futbollisti i linjës së majtë, Arbër Mone, i cili u ndëshkua me karton të kuq në fund të pjesës së parë të ndeshjes me Devollin. I skualifikuar do të jetë edhe qendërmbrojtësi Beqir Ibrahimllari, që ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Janë tre titullarë që i prishin shumë punë trajnerit Ilir Gjyla për ndeshjen e radhës. Kështu, përveçse kanë dalë pa pikë, lushnjarët kanë dalë me pasoja të rënda nga transferta e Devollit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura