Lungomare, projekti flamur i ‘Rilindjes Urbane’, me dëme dhe defekte

Oct 10, 2019 | 20:29
SHPËRNDAJE

Dy vjet pas përfundimit të punimeve “Lungomare” e Vlorës – parë gjerësisht si flamurtarja e projekteve të qeverisë së kryeministrit Edi Rama të pagëzuara si “Rilindje Urbane“, është duke shfaqur shenja amortizimi.

PHOTO-2019-10-04-16-52-24_1-533x400

Puseta të prishura, gropa të hapur në trotuar dhe pemë të thara bien lehtë në sy, ndërsa 4 kilometra shtëtitore që kanë kushtuar në total rreth 15.5 milion euro, nuk janë marrë ende në dorëzim prej bashkisë së Vlorës, për shkak të problemeve të shfaqura brenda asaj që ishte periudha e garancisë.

Mos marrjen në dorëzim për shkak të dëmtimeve e konfirmoi edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

“Lungomare do të merret në dorëzim shumë shpejt, pasi të zvëndësohen disa pemë të dëmtuara dhe përmirësohen disa detaje”, tha ai.

Por disa banorë të Vlorës ankohen duke hiperbolizuar se projekti i përfunduar dy vjet më parë është amortizuar aq shumë, sa të marrë pamjen sikur ishte bërë para 20 vjetësh.

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian i cili financoi përmes fondeve IPA pjesën kryesore të projektit, i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kishte bërë “pranim përfundimtar të kushtëzuar”, për pjesën e projektit të financuar dhe kontrolluar prej tyre.

Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, FSHZH, i cili ishte bashkë-investitor në projektin kryesor dhe finacues i katër projekteve të tjera që binin mbi Lungomaren nuk u përgjigj zyrtarisht për marrjen apo jo në dorëzim të tyre nga kontraktorët.

Jo zyrtarisht një burim pranë këtij institucioni i tha BIRN se projekti që kishte të bënte me gjelbërimin dhe që sipas kryebashkiakut Leli pengonte marrjen në dorëzim pasi pritej zëvendësimit të disa pemëve të thara, ishte marrë në dorëzim.

“Nuk mund të komentoj çfarë ka thënë kryetari i Bashkisë, nuk e di për çfarë pemësh bëhet fjalë, por di të them që ne kemi procesverbalet e komisioneve të vlerësimit përfundimtar që mbajnë edhe firmën e bashkisë”, tha burimi nga FSHZH.

Defekte dhe dëme

Edhe pse shihet si një projekt i vetëm, “Lungomare” në fakt janë pesë investime të ndryshme me vlerë në total prej 15.5 milion eurosh. Projekti kryesor financohet nga Instrumenti për Ndihmën Para-Anëtarësimit (IPA) me 9.4 milion euro, ndërsa 2.3 milion euro u paguan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Bashkimi Europian financoi edhe 805 mijë euro të mbikëqyrjes së punimeve.  Punimet për këtë fazë u realizuan nga një konsorcium grek kompanish i udhëhequr nga INTRAKAT, ndërsa mbikëqyrja u krye nga kompania italiane IRD Engineering s.r.l.

Ndërkohë FSHZH financoi 4 projekte të tjera të lidhura me “Lungomaren” dhe që u zhvilluan mbi të me vlerë rreth 3 milion euro. Këtu përfshihen “Rehabilitimi i Plazhit Vlorë – Mbushja me rërë” me vlerë 1.4 milion euro i ndërtuar nga “Ish-Consorzio Veneto Cooperativo Spa and Riviera, Kostruttiva S.C.P.A”, “Gjelbërimi i vijës bregdetare të qytetit të Vlorës” i kryer nga kompania “Garden Line” me vlerë 835 mijë euro, “Sistemi multifunksional “Smart City”, i zhvilluar nga kompania “Communication Progress” me vlerë 511 mijë euro dhe “Ndërhyrja për mbrojtjen detare të plazhit, të formuar nga projekti i Lungomares” i bërë po nga “Kostruttiva S.C.P.A” me vlerë 284 mijë euro.

Dy prej këtyre projekteve, ai për gjelbërimin dhe projekti për mbrojtjen detare të plazhit, u gjetën me probleme nga auditi i  Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, në vitin 2017. KLSH në raportet e saj vuri në dukje se gjeti dëme në vlerën 7.4 milion lekë në dy prej projektet e financuara nga FSHZH.

Sipas raportit rezultoi se “nga auditimi i dosjes teknike të objektit “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare Vlorë” u konstatua se është paguar dy herë nga ana e Autoritetit Kontraktor, në favor të firmës “G L Sh.p.k”, sasia prej 35 pishave, me vlerë 2,3 milionë lekë”.

Po ashtu KLSH gjeti 5 milion lekë dëme në projektin e mbrojtjes së plazhit. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit një pjesë e punës nuk ishte kryer, por ishte paguar.

Në përgjigje të një kërkese për informacion Fondi pranoi disa prej gjetjeve të KLSH. Nga përgjigja zyrtare e FSHZH lihet të kuptohet se fillimisht dëmi ishte konsideruar më i madh.  “Pas dokumenteve të ofruara dhe vizitave në terren, KLSH uli vlerën e dëmit në 5 milionë lekë“, thuhet në përgjigjen zyrtare nga Fondi.

Në përgjigje ndërkohë vihet në dukje se projekti në fjalë kishte qenë i vështirë dhe mosrakordimi i sipërfaqes që duhej mbushur me thasë me rërë me atë që ishte në projekt kishte ardhur për shkak se disa thasë ishin mbivendosur.

“KLSH ka llogaritur numrin e thasëve në bazë të gjatësisë së vendosjes së tyre, sipas projektit, ndërkohë që thasët janë të vendosur nën det. Gjatë vendosjes së thasëve nën det  rezulton se ata janë mbivendosur me njëri -tjetrin duke shkurtuar gjatësinë totale“, thuhet në përgjigjen e FSHZH.

Megjithë mosdakordësinë me gjetjet e KLSH-së, Fondi ka pranuar shkaktimin e dëmit prej 5 milion lekësh në këtë projekt. FSHZH i tha BIRN se një pjesë e parave, 3.6 milion ishin rikuperuar. Ndërkohë 1.4 milion lekë mbeten të “humbura”, pasi kompania italiane që kreu punimet e mbylli degën e saj në Shqipëri dhe nga kompania mëmë në Itali përtej kërkesave nga FSHZH “nuk është marrë asnjë përgjigje”.

“Dega e “Kostruttiva” S.C.P.A në Shqipëri rezulton në likuidim. FSHZH ka dërguar kërkesa edhe pranë kompanisë mëmë në Itali. Gjatë korrespondencës me këtë kompani, kjo e fundit ka kërkuar të gjithë dokumentacionin mbi të cilin KLSH ka gjykuar se është shkaktuar dëm ekonomik. Edhe pse këto dokumente janë vënë në dispozicion (dërguar) nga Fondi, përsëri nuk është marrë asnjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e FSHZH.

Fondi i Zhvillimit ndërkohë pretendoi se dëmi i shkaktuar nga pagimi dy herë i 35 pishave ishte rikuperuar plotësisht.

“Ju bëjmë me dije se nuk ka pasur nevojë që kjo shumë të kthehet nga kompania përkatëse, pasi mbulohej nga sigurimi i kontratës, ose garancia”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Projekt i rrethuar me polemika

“Lungomare” është projekti më i përfolur i “Rilindjes Urbane” të iniciaur prej qeverisë Rama, jo vetëm pse ishte ndër të parët dhe një ndër më të financuarit, por edhe për shkak të një mori kostosh shtesë. Madje shëtitorja qe për një farë kohe një prej nyjeve të debatit politik në vend, kur qeveria vendosi të rrëzonte një pallat në pronësi të të afërmve të liderit të opozitës i ngritur buzë detit.

Puna për ndërtimin e shëtitores së Vlorës nisi menjëherë pasi Rama u votua si kryeministër në vitin 2013. Konkursi për projektin u shpall më 28 nëntor 2013, ndërsa fituesi u përzgjodh mes 45 projekteve në garë, ku 5 më të mirat u shfaqën për publikun e gjërë në teatrin Petro Marko në 21 Shkurt 2014, ku u përzgjodh nga një juri ndërkombëtare si  fituese studioja belge e projektimit XDGA.

Punimet filluan pas sigurimit të financimit nga IPA në vitin 2015 dhe projekti u inagura në vitin 2017 dhe qe pjesë e rëndësishme e dekorit të fushatës elektorale të Partisë Socialiste në atë vit.

Por mjaft njerëz nuk janë të bindur që kostot justifikojnë vlerën e projektit. Në fakt veç 15.5 milion eurove që ka kushtuar ndërtimi, disa dhjetra milionë euro të tjera  iu shtuan projektit prej shpronësimeve të bizneseve.

Ndërsa prishja e kompleksit të pallateve “Jon” në pronësi të të afërmve të kreut të opozitës Lulzim Basha i kushtoi buxhetit 16.8 milion euro të tjera, pas vendimit të Gjykatë së Strasburgut që e gjeti të padrejtë mënyrën e shpronësimit.

Përfaqësues të opozitës në Vlorë ankohen se kanë qenë gjatë gjithë kohës në errësirë sa i përket projektit. “Lidhur me shëtitorën bregdetare, këshilli bashkiak i Vlorës ka marr vetëm një vendim që lidhet me zerimin e taksave për bizneset përgjate 4 km ku shtrihet projekti” tha për BIRN Ardit Hoxha, ish-këshilltar bashkiak.

Një pjesë e banorëve megjithatë e mbështesin projektin edhe pse gjejnë tek ai probleme dhe mangësi. Besmir Banushi, 30 vjeç çiklist profesionist, vlerëson hapësirat që janë krijuar me korsitë e biçikletave. “Është hera e parë pas shumë vitesh që po shiten dhe po blihen biçikleta në masë”, tha Banushi.

Ai megjithatë tha se kishte disa probleme kryesisht sa i përket sinjalistikës dhe ndërprerjes së rrugës së biçikletave nga makinat në kryqëzime, por që sipas tij me “pak dashamirësi mund të zgjidheshin”.

Ervin Sota, pronar i një vinoteke përgjatë “Lungomares”, i tha BIRN se ajo kishte përmirësuar biznesin dhe imazhin. “Përtej problematikave të hapësirës për parkim dhe gjërësisë së rrugës, që per hir të së vërtetës është problem serioz, Vlorës si imazh e rrjedhimisht bizneseve përgjatë saj i ka sjellë të ardhura”, tha Sota.

Ndërkohë një punonjës banke që nuk pranoit ë identifikohej i tha BIRN se projekti në tërësi nuk ka qenë serioz.

“Lungomare e Vlorës është një investim afatgjatë, i bërë jo më larg se 2 vite më parë dhe sot, të jep idenë e një investimi komplet të amortizuar të cilit po i vjen ora për tu ribërë”, tha ai. Bankieri kundërshtoi po ashtu edhe planet për zgjatimin e shëtitores deri në Orikum që sipas tij rrezikon të ndryshojë pamjen e plazheve të cilat janë të rëndësishme për kujtesën e qytetit.

Deri më tani është njoftuar tenderi për vazhdimin e shëtitores së Vlorës “segmenti jugor nga fushat e sportit deri te tuneli”, i cili u shpall më 19 gusht 2019 me fond limit 458 milion lekë. Ndërkohë prej ditësh Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit po prish godina që ndodhen në zonën e Rradhimës për t’i hapur rrugë zgjatimit të shëtitores deri në qytezën e Orikumit. Qëllimet e qeverisë në këtë pikë kanë hasur vetëm në kundërshtimin e pronarëve të bizneseve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura