Lumi Vjosë zonë e mbrojtur/ Eksperti në “Panorama TV”: Është aseti i dytë energjitik më i madh në Shqipëri! Duhej shfrytëzuar, herët ose vonë…

Mar 21, 2023 | 21:25
SHPËRNDAJE

Eksperti i energjitikës, Geri Selenica shprehet kundër vendimit të qeverisë për ta vendosur Lumin e Vjosës në zonat e mbrojtura. Sipas tij, Vjosa është aseti i dytë më i madh energjitik në Shqipëri dhe kjo duhej shfrytëzuar.

geri-selenica

I ftuar në emisionin “Log.” në “Panorama TV”, Selenica deklaroi se herët ose vonë, një qeveri do e shfrytëzojë Lumin Vjosë për prodhim energjie.

Pyetje: Si do shfrytëzohej Vjosa?

Selenica: Duke qenë ekonomist, duke u marrë me shumë vite me hidroenergjitikën, mund ta kuptoj nga pikëpamja makroekonomike. Studimi përfundimtar për kaskadën e Vjosës ka mbaruar në vitin 1993 dhe është bërë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, katedra e hidrologjisë dhe është aprovuar nga këshilli i ministrave i asaj kohe. Mbi bazën e atij studimi me 7 diga, është një studim makro nga pikëpamja energjitike për gjithë Shqipërinë sepse Shqipëria ka fuqinë që të gjenerojë rreth 20 terravat orë në vit, potencial energjitik.

Çështja është tek studimi i parë, ka qenë serioz dhe po ta shihni me ndryshimet që janë bërë në periudhën e të ashtuquajturës demokraci, është që është futur Kalivaçi në mes. Për arsye se hidrocentrali i Poçemit, do bënte rregullatorin, atë që bën Skavica, sepse nuk kishte hapësirë ku ta bënte më sipër. Do ruante gjithë zonën e përmbytjeve poshtë Poçemit. Lumi i Vjosës është aseti numër dy i energjisë në Shqipëri. Të flasësh për lumenj të egër, më duket utopi. Biles dhe kryeministri jam i sigurt që nuk e di se si e ka hedhur atë firmë, sepse ai bëri humor aty, tha Europa ka zbutur të gjithë lumenjtë ndërsa ne na kërkohet që t’i mbajmë të egër.

Pyetje: Ju mendoni se rezerva duhej shfrytëzuar?

Selenica: Patjetër. Edhe do shfrytëzohet, sepse ka dy vendime të mëparshme që nuk i ka zbatuar kjo qeveri dhe do vijë një qeveri tjetër që nuk do zbatojë vendimet e sotme. Gjithmonë ekonomia do fitojë. Kaskada e Drinit, është ndryshe se sa fuqi ka një hidrocentral, dhe ndryshe se çfrarë volumi energjitik ka. Volumi energjitik i Vjosës, me atë studim ka 2.2 terravat. Por, duhet të kuptoni që rezervuari i Poçemit do ishte 2 miliardë kub ujë. Kjo është pak a shumë sa liqeni i Fierzës. Atë kohë kishte studime të jashtëzakonshme, që edhe më sot me korentin e tyre po jetojmë. Të nënvlerësosh asetin numër dy energjitik në Shqipëri, është miopi.

Pyetje: Si u fut Çvaçi në mes?

Selenica: E njëjta skemë siç u bë me Skavicën. Deshën të vinin disa hidrocentrale të vegjël në mes, se bëheshin më shpejt. Hyri interesi ekonomik. Nuk duhej bërë fare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura